Politika

Kodheli: Nuk garoj për Bashkinë e Tiranës

kodheliMinistrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli ka mohuar që të jetë pjesë e garës për Bashkinë e Tiranës për zgjedhjet e ardhshme vendore. Ajo tha se do qëndrojë të jetë ministre e Mbrojtjes

 



Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli ka hedhur poshtë çdo aludim për një kandidim të sajën për kryetar bashkie të Tiranës në zgjedhjet e ardhshme vendore që do duhet të mbahen vitin tjetër.

Një fakt të tillë ministrja e ka bërë publik gjatë një interviste për Mustafa Nanon, ku pyetjes nëse kandidati i Partisë Socialiste për Tiranën do ta ketë emrin Mimi Kodheli, ajo iu përgjigj shkurt: jo.

Kodheli ka bërë të ditur se, pavarësisht se është shumë e lidhur me Tiranën, nuk ka ndërmend të kandidojë, pasi e konsideron të ezauruar rolin e saj për transformimin e kryeqytetit. “E dua këtë qytet më shumë se çdo gjë në botë. Çdo gjë e parë që më ka ndodhur, më ka ndodhur brenda këtij qyteti, i njoh çdo detaj këtij qyteti. Besoj se e kam dhënë kontributin tim për qytetin”, – tha Kodheli.

Më tej ajo ka shtuar se është e vendosur që të vazhdojë detyrën e ministres së Mbrojtjes deri në fund të mandatit, me qëllim përmbushjen e misionit të saj reformues të ushtrisë.

“Kam në dorë dhe jam duke menaxhuar një ndër portofolet më të rëndësishëm të qeverisë. Kam bërë një betim dhe kam marrë një angazhim që, reformën që kam nisur ta çoj deri në fund. Besoj se do të vazhdoj të jem ministre e Mbrojtjes. Ka një logjikë kur kjo gjë bëhet”, – shtoi Kodheli.

Ndërkohë që lidhur me emrin e kandidatit të PS-së për Bashkinë e Tiranës, ajo ka theksuar se ai do jetë një zgjidhje shumë e mirë dhe që do të bëhet nga kryetari i partisë dhe forumet e saj.

“Unë besoj që kandidati që do të vijë për qytetin e Tiranës do të jetë absolutisht një zgjedhje shumë e mirë e kryetarit dhe e partisë dhe e shpresoj shumë këtë gjë. Më vjen keq ta them, jo se dua ta them, jo se merret me politikë, jo se ai që drejton Tiranën sot është ai që drejton edhe PD, por 4 vitet e fundit Tiranës nuk i kanë sjellë asnjë gjë”, – tha ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli.

Por pavarësisht kësaj, emri i Kodhelit pak ditë më parë ishte pjesë e një testimi që selia rozë po bënte tek qytetarët sa i përket garës së ardhshme për kryetarin e Bashkisë së kryeqytetit. Qytetarë të ndryshëm që u morën në telefon u pyetën për emra konkretë; të ministrit të Brendshëm, Sajmir Tahiri, ministres së Mbrojtjes, Mimi Kodheli, apo ish-kryeministrit Pandeli Majko.

Çka linte të kuptonte se Partia Socialiste do të garonte për Bashkinë e kryeqytetit me një nga kandidatët e mësipërm, për të cilët qytetarët u pyetën në këtë sondazh. Në varësi të mbështetjes që do të gjenin këto tri kandidatura te qytetarët, do të vazhdonte dhe procesi i përzgjedhjes së emrit të kandidatit zyrtar të PS-së për zgjedhjet vendore për Bashkinë e kryeqytetit.

Por duket se rezultatet e dala nga këto sondazhe kanë bërë që të paktën njëri prej këtyre tri kandidaturave, pra Mimi Kodheli të tërhiqej nga vijimi i kësaj gare fillimisht brenda partisë dhe më pas përballë kundërshtarit politik. Por burime nga PS-ja bënë të ditur atëherë se ky sondazh nuk ishte përfundimtari, pasi nuk përjashtohej mundësia që në bazë të rezultateve apo pëlqyeshmërisë së qytetarëve të testoheshin edhe kandidatë të tjerë.

Nga emrat që janë përfolur deri më tani ka qenë edhe ai i ministres së Arsimit, Lindita Nikolla, ai i nënkryetares së Bashkisë, Albana Dhimitri, apo edhe i ish-nënkryetarit tjetër të kësaj bashkie, Eduard Shalsi.

Vetë kryeministri Edi Rama në fillim të shtatorit përjashtoi nga kjo garë emrin e ministrit të Mirëqenies, Erion Veliaj, për të cilin ai tha se do të qëndronte ministër deri në fund të mandatit, pasi është një nga ministrat më të suksesshëm.

 

 

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas