Kryesore

Klosi sulmon Braçen: Askush nuk është i pazëvendësueshëm


TIRANË Shpërndarja e anëtarëve të kryesisë së Partisë Socialiste në qarqet ku ata nuk kanë qenë të deleguar më parë, mbetet ende një çështje e mprehtë në selinë rozë, e cila vijon të shkaktojë debat. Zërave kritikë të këtij procesi i përgjigjet sekretari organizativ i kësaj force, Blendi Klosi, i cili duket se i ka hedhur më shumë “benzinë” zjarrit të debatit mes socialistëve teksa ka deklaruar se në Partinë Socialiste askush nuk është i pazëvendësueshëm, pavarësisht kontributit apo vlerave që ka. Deklaratë kjo që duket se i drejtohet më shumë deputetit Erion Braçe, i cili tashmë ka deklaruar publikisht se nuk e pranon këtë vendim të kryesisë dhe se nuk do pranojë delegimin në qytetin e Korçës, por se do qëndrojë në Berat, ku dhe është zgjedhur deputet.

Klosi



Në një intervistë dhënë për median vizive, sekretari organizativ i Partisë Socialiste, Blendi Klosi kërkon të davarisë mjegullën që është ngritur për sa i përket vendimmarrjes së fundit të kryesisë dhe Asamblesë për rishpërndarjen e anëtarëve të këtyre dy forumeve në zona ku nuk kanë qenë të deleguar më parë, duke u shprehur se kjo është një reformë në të mirë të punës së partisë dhe të afrimit të drejtuesve socialistë me njerëzit e thjeshtë. Kështu, duke shpjeguar këtë proces Klosi thekson se ndryshe nga më parë, tashmë është bërë një ndarje më e detajuar e anëtarëve të këtyre dy forumeve dhe kjo për të mbuluar çdo pjesë të vendit. “Është bërë mbase në ndryshim nga herët e tjera një ndarje më specifike, më e detajuar, ndarje e cila do të kërkojë që anëtarët e Asamblesë Kombëtare, anëtarët e Kryesisë, të zgjedhurit e të gjitha niveleve të PS-së, deri në fund të muajit mars të kenë një kontakt të plotë 100 për qind në të gjithë territorin e Shqipërisë, duke iu kërkuar që jo vetëm të kontaktojnë strukturat tona për të përgatitur një vit të fortë elektoral, po për të përgatitur të gjithë realitetin shqiptar, për një lëvizje shumë të madhe që ndërmerr në këtë vit, një lëvizje që ka të bëjë me rrugën e programit të PS-së”, – shprehet Klosi. Ai bën të ditur gjithashtu se me të synohet të kontaktohet me çdo shqiptar për t’i dhënë atij informacion mbi programin, dhe mbi të gjitha për atë çfarë socialistët premtojnë që do të bëjnë kur të vijnë në qeverisje.

Replika

Por përveç këtij sqarimi, Klosi nuk nguron t’u kthejë përgjigje dhe atyre individëve në Partinë Socialiste që këto ditë kanë dalë hapur kundër një reforme të tillë. Kështu ai, ashtu si edhe Rama në mbledhjen e Asamblesë, u tregon atyre derën në rast se nuk duan t’iu binden vendimeve të forumeve. “Kjo është një ndarje që ka të bëjë me një program politik, i cili u miratua edhe në kryesi, dhe në Asamble ka detyra dhe afate konkrete, mbi të cilat do të punojë gjithsecili nga ne. Askush nuk është i pazëvendësueshëm në këtë parti, askush nuk është i pakritikueshëm dhe do të jetë puna e gjithsecilit që do të jetë kriteri bazë, vlerësimi për çdo anëtar kryesie, për çdo anëtar të Asamblesë Kombëtare, për çdo të zgjedhur të kësaj partie. Jemi të gjithë jo në shërbim të një grupi të caktuar, jemi të gjithë në shërbim të shumicës së popullsisë që nuk do më të qeveriset nga Sali Berisha”, – u shpreh Blendi Klosi. Pavarësisht se nuk foli me emra të përveçëm, deklarata e Klosit duket se i drejtohet në mënyrë direkte në radhë të parë deputetit dhe anëtarit të kryesisë së Partisë Socialiste, Erion Braçe, i cili në mënyrë publike ka deklaruar se nuk pranon të shkojë në Korçë ku e kanë deleguar.

 

PasPara

3 komente

  1. Me fjale te tjera ka vetem nje bari, dhe ky eshte Rama.Bariu i dergon delet per kullote ose thertore ku do ai dhe kur do ai pa i pyetur mepare delet…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas