Op Ed

Kleri katolik shqiptar dhe zanafilla e proceseve sociale të kombit

Nga Ndriçim Kulla

Për të trajtuar sa më mirë fazën e tretë të mendimit shqiptar, që do të shtrihej në vitet më demokratike të gjithë kësaj periudhe, në vitet 1920-1924, do të na duhet të studiojmë më në thellësi një shpërthim të madh, qoftë patriotik, qoftë intelektual, që solli veprimtaria e klerit katolik shkodran, gjatë lëvizjes kombëtare dhe gjatë përpjekjeve të konsolidimit të shtetit shqiptar deri në Konferencën e Paqes. Analiza e kulturës dhe shkollave shqipe tregon se për 400 vjet (duke filluar nga viti 1632) në trekëndëshin Mat-Mirditë-Dibër (sipas Fulvio Kordinjano në veprën Shqipëria, në trekëndëshin Shkodër-Pulati-Shkupi kishin ekzistuar betejat e gjigantit katolik të Veriut, vëll. II) kishte filluar dhe zbatuar arsimimi i popullit shqiptar dhe përgjegjës për atë proces ishte institucioni i Klerit Katolik Shqiptar i lidhur me institucionin qendror në Romë, fillimisht, dhe pastaj e vazhduar nga Perandoria Austro-Hungareze. Këto 400 vjet përbëjnë fazën e domosdoshme të formimit të popullit shqiptar dhe atë që shkenca botërore e konsideron si zanafillë të proceseve sociale të një populli. E në këtë proces rolin vendimtar e kishin luajtur urdhrat françeskanë e më pas jezuitë, së bashku me misionet shëtitëse apo kolegjet e nivelit sipëror që ata hapën e mbajtën në Shkodër . Përgatitja e tyre kulturore, atdhetare dhe politike qe me të vërtetë e spikatur jo vetëm për shumicën e njerëzve, por edhe për selitë e njohura të Europës, atëherë kur edhe vetë emri shqiptar, ndoshta dëgjohej prej tyre për herë të pare. Ishte pikërisht forca morale e këtyre njerëzve të zotit, ajo që i dha hov luftës me penë, për liri dhe të drejta njerëzore të shqiptarëve. Jo më kot në strehën e Françeskanëve Shqiptarë, në derën e saj shkruhej me shkronja shqipe: “Per Atdhé e Fé-na bajmë vdekjen si me lé !”…



Me përpjekjet për një Shqipëri të pavarur, së bashku me intensifikimin e punëve me veprimtarë të tjerë të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, ishin intensifikuar edhe veprimet në radhët e udhëheqësve fetarë shqiptarë. Ndonëse ideologjia kombëtare në radhët e udhëheqësve fetarë myslimanë pothuajse ishte shpërfaqur nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit më 1878, nga Lidhja e Pejës, e duke vazhduar me ngjarjet më pas, që do të kulmonin me shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë. Udhëheqësit shqiptar të të gjitha feve, në të shumtën e herëve, ishin në lartësinë e duhur politike. Në komunitete të caktuara ka pjesëtarë të caktuar, që, në momentet e caktuara me veprimet apo mosveprimet e tyre, të kenë rënë në sy të disa penave, e që, ka bërë, që i gjithë komuniteti të cilësohet me epitete të ndryshme, negative apo pozitive. Me të parën, (negative) për shkak të devijimit të tyre në një moment të caktuar historik, krejt mllefi është zbrazur ndaj një komuniteti të caktuar. Ndërsa me të dytën, (pozitive) për shkak të dallimit për të mirë, krejt meritat i janë veshur një komuniteti, e që për mendimin tonë, kjo është e padrejtë. “Si t’k’shtenë, si muhamedan, Shqipninë bashku t’gjith e kanë e prandaj t’gjith do t’qindrojmë, do t’qindrojmë e do t’luftojmë, kemë m’u ba kortarë-kortarë Priftën, Fretë, Hoxhallarë për Shqipni…” (Gjergj Fishta). Në këtë kontribut tonin, jemi përcaktuar të japim vlerësimin për disa nga krerët fetarë, vetëm në një periudhë të caktuar historike, në shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë në vitin 1912, e këtë e kemi bërë për disa arsye: E para: në të kaluarën për shkaqe që tashmë dihen, kjo shtresë intelektuale dhe patriotike e vendit u eliminua nga librat tonë, ose u cilësuan të gjithë si antikombëtarë. E dyta: kjo shtresë intelektuale edhe sot e kësaj dite vazhdon të jetë e harruar, andaj, disa nga studiuesit, me plot të drejtë, klerikët e pavarësisë i quajtën si “klerikë të harruar të pavarësisë.”(2) E treta: vazhdojmë ende me trajtimin e tyre për shkak të simpatisë për një komunitet të caktuar ose për shkak se personi që shkruan i përket një drejtimi shpirtëror të caktuar. E katërta: kjo shtresë kishte një rol të rëndësishëm në shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë, dhe për atë u shpërblyen me poste të rëndësishme në qeverinë e përkohshme të Ismail Qemalit më 1912. Kontributet dhe përpjekjet e vazhdueshme të udhëheqësve fetarë janë të dukshme edhe sa i përket çështjes së alfabetit të përbashkët të gjuhës shqipe me shkronja latine, ku në mes të klerit katolik dhe pjesës më të madhe të udhëheqësit fetar mysliman kemi mendime të kundërta. Përderisa kleri katolik në këtë kohë i përkrahur edhe nga Austro-Hungaria ishte për një alfabet të shqipes me shkronja latine, projekt, ky që u nis nga Komiteti i Stambollit, (Gjergj Fishta, Dom Nikollë Kaçori, Ndre Mjeda, Preng Doçi), te shumica e udhëheqësve fetarë mysliman, të ndikuar edhe nga politikat xhonturke, mbizotëronte mendimi se shkrimi i gjuhës shqipe me shkronja arabe ishte më i drejtë. Megjithatë ngjarja më e madhe dhe e qëndrueshme në kulturën shqiptare, e që do të vijonte të rrezatonte edhe për dekada të tjera me radhë gjithë historinë tonë mendore ishte themelimi i revistës “Hylli i Dritës”, një apostull i denjë jo vetëm i shqiptarizmës, por edhe një model i lartë i rigorozitetit shkencor, që e ngjiti deri në majën e vlerësimit “si një nga gazetat më të mira për kohën në Europën Juglindore”. Ndonëse kulmin dhe maturinë e vet ajo do ta arrinte në vitet ‘30, përsëri dhe në fillimet e veta u shqua për nivelin e lartë argumentues e bindës dhe për tonin polemik, që në penën e njeriut që e identifikoi më tepër me emrin e vet, korifeut të mendimit shqiptar At Gjergj Fishtës, arriti të na lërë artikuj të llojit të programit dhe sprovës për gjithë mendimin e mëvonshëm si “Udha që do ndjekim”, por sidomos “A janë të zot shqiptarët me u mbajt shtet m’vedi”, por edhe artikuj polemikë që spikasin për cilësinë e lartë të argumentit dhe shtrirjen e gjerë të dijes, siç janë “Kanibalizmi sllav a se deka e shëmtueme e P.Luigjit Paliq”, e veçanërisht thumbimi i madh, por i drejtë ndaj Europës dhe Perëndimit për copëtimin që i shkaktuan Shqipërisë në artikullin e famshëm të vitit 1913 “Një komedi e pandershme e XX qindvjetëve”, që solli dhe mbylljen përkohësisht të vetë gazetës.

Gjithsesi, arritja ma e madhe e “Hyllit të Dritës” nuk kufizohet vetëm me formimin dhe edukimin e Shqiptarit me parimet e Atdhetarizmit dhe kalitjen e një breznie burrash që përkrah Klerit Katolik Shqiptar nuk iu tut syri të kërkonin të drejtat kombëtare nëpër tryezat diplomatike ku shtrohej çështja shqiptare, por kryesisht në krijimin e bazës së duhur diturore për lulëzimin e shkencës historike dhe humane shqiptare. Misionarët katolikë në vende të ndryshme të botës u morën shumë me kërkime etnologjike në viset ku shërbyen. Këta i dhanë një shtysë të fuqishme zhvillimit të etnologjisë së kohës së re. Historia e etnologjisë botërore u detyron shumë zbulime misionarëve katolikë, si eksplorues të përkushtuar e me dije shkencore të shkallës më të përparuar. Edhe klerikët shqiptarë, në kërkimet e tyre, u udhëhoqën shumë nga ndjenja atdhetare, të frymëzuar nga idetë e Rilindjes, për t’u treguar të huajve se shqiptarët janë një popull me trashëgimi të pasur kulturore, janë një popull vital, krijues, artist, pra dhe të aftë për t’u vetëqeverisur në mënyrë të pavarur si shtet kombëtar. Nuk do të kishte asnjë vlerë analiza e formimit të shtetit të shqiptarëve pa edukatorët historikë të tyre, pa intelektualët historikë të tyre, pa udhëheqësit shpirtërorë të tyre, pa moralizuesit historikë të tyre. Ekziston një fotografi, deri në mrekulli, e realizuar nga Kel Marubi më 1924, ku bashkësia e të katër shtresave të intelektualëve që formuan institucionet katolike (françeskane dhe jezuite) është e shkrirë në një. Nuk është një reklamë propagandistike, por është realiteti historik dhe përmbyllja e zanafillës së popullit shqiptar nga pikëpamja njerëzore individuale. Këta njerëz, që të gjithë, mbyllën sytë duke punuar dhe luftuar për çështjen shqiptare sipas pamjes europiane që kemi pasur deri më 1945. Gjithsecili prej tyre e ka lënë një tullë në themelet e zanafillës së shtetit të shqiptarëve dhe bashkësia e tyre përbën një qelizë gjeniale të Kombit Shqiptar. Pikërisht te këta njerëz duhet thënë se mbështetet zanafilla e popullit tonë, qëndron pika kulmore e çështjes shqiptare, përmbyllja historike e formimit të Popullit dhe Shtetit të Shqiptareve. Ja përse veprimtaria e Kleri Katolik Shqiptar të këtyre viteve duhet të konsiderohet si zanafilla njerëzore, kulturore dhe edukative e popullit shqiptar, pra zanafilla e proceseve sociale dhe antropologjike të transformimit të tij.

PasPara

1 koment

  1. po shifen rezultatet e klerit katolik shqiptar,frrok,ndok,dosha,artur busha,prenga,pjerdh e dhin ndrea,jozefina topalli,mersila doda,zef preqo,mark marku,nikoll lesi etj me dy kemb te futura ne qenefin negjmije,ku dhjejn rama,ruqi,.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas