Kronika, Kryesore

Kërcënimi i gazetarit, policia: Nuk gjetëm armë, SMS nuk ka lidhje me ngjarjen

Një tjetër gazetar është kërcënuar në krye të detyrës. Ngjarja ka ndodhur në Laç pas një shpërthimi tritoli në ambientet e një lokali. Prokuroria ka nisur hetimet; pronari i një lokali kërcënoi me pistoletë gazetarin e Report TV, News 24 dhe Fax News, Julian Shota. Pronari i lokalit, Llesh Buraku kërcënoi gazetarin në momentin kur ai ndodhej në vendin ku kishte shpërthyer eksplozivi. Mësohet se biznesmeni është shoqëruar për në komisariat për procedurat e mëtejshme. Vetë gazetari ka rrëfyer momentin kur u kërcënua me jetë nga Llesh Buraku, 53 vjeç nga Laçi. Pronari i lokalit të cilit i ishte vendosur tritol orët e para të mëngjesit të sotëm, tentoi të mbante të fshehtë ngjarjen, duke iu kërkuar përfaqësuesve të medias të mos e pasqyronin atë, pasi një gjë të tillë, sipas tij, do ta bënte edhe policia.

Policia e Lezhes ka reaguar sot me një deklaratë për mediat lidhur me ngjarjen. Sipas policisë: “Nga kontrollet e ushtruara në ambientet në pronësi të shtetasit Ll.B., nuk është konstatuar asnjë armë zjarri apo send tjetër i kundraligjshëm”.



“Gjithashtu, në lidhje me sms-në e publikuar të dërguar nga shefi i Komisariatit të Policisë Kurbin shtetasit J.Sh., sqarojmë se nuk ka lidhje me ngjarjen, pasi mesazhi që shtetasi J.Sh. pretendon se i ka dërguar shefit të Komisariatit Kurbin ku i shpjegon ngjarjen dhe i kërkon ndihmë, nga verifikimet hetimore ka rezultuar se nuk i është dërguar fare shefit të Komisariatit Kurbin, duke mos u vënë në dijeni ai se çfarë po ndodhte”– njofton policia.

Deklarata e policisë

Në lidhje me një lajm të publikuar në median elektronike ku shtetasi J.Sh. me profesion gazetar, është kanosur gjatë kryerjes së detyrës si dhe i ka dërguar mesazh shefit të Komisariatit të Policisë Kurbin ku i ka kërkuar ndihmë dhe ky i fundit nuk i është përgjigjur, ju sqarojmë se :

Nga specialistët e Seksionit për parandalimin dhe hetimin e ngjarjeve kriminale në Komisariatin e Policisë Kurbin, u referuan materialet në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Kurbin, në ngarkim të shtetasit Ll.B. 53 vjeç, banues në Kurbin, për veprën penale “Kanosje për shkak të detyrës” parashikuar nga neni 283 i Kodit Penal, pasi më datë 03.09.2018, rreth orës 15:00, është paraqitur pranë Komisariatit të Policisë Kurbin shtetasi J.Sh. i cili ka kallëzuar se rreth orës 07:00, ka shkuar për të pasqyruar ngjarjen e ndodhur në lokalin ku i është vendosur lëndë eksplozive, dhe është kërcënuar me armë zjarri nga pronari i lokalit, për moslejimin e filmimit të vendngjarjes.

Me marrjen e informacionit nga njoftimi i shtetasit J.Sh. tek Policia e Lezhës rreth orës 09:00, është ngritur grupi hetimor nën drejtimin e Drejtuesit të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kurbin, për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes, duke kryer të gjitha veprimet hetimore konform rregullave.

Nga kontrollet e ushtruara në ambientet në pronësi të shtetasit Ll.B., nuk është konstatuar asnjë armë zjarri apo send tjetër i kundraligjshëm.

Gjithashtu, në lidhje me sms-në e publikuar të dërguar nga shefi i Komisariatit të Policisë Kurbin shtetasit J.Sh., sqarojmë se nuk ka lidhje me ngjarjen, pasi mesazhi që shtetasi J.Sh. pretendon se i ka dërguar shefit të Komisariatit Kurbin ku i shpjegon ngjarjen dhe i kërkon ndihmë, nga verifikimet hetimore ka rezultuar se nuk i është dërguar fare shefit të Komisariatit Kurbin, duke mos u vënë në dijeni ai se çfarë po ndodhte.

Policia e Kurbinit, është e gatshme në çdo kohë të trajtojë me seriozitet dhe transparencë të plotë çdo situatë të çdo shtetasi.

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas