Arkiva 2

Kapitalizmi dhe përgjegjësia sociale


 



“Kapitalizmi, në stadin e tij aktual, nuk i përshtatet më realitetit” – “Kriza ekonomike mund të thellohet akoma më shumë” – “Rreziku i një depresioni të madh është gjithnjë e më prezent”- këto janë disa fjali të shkëputura nga intervista e Klaus Schwab, themeluesit të Forumit Ekonomik që mbahet çdo vit në Davos të Zvicrës, dhënë revistës ekonomike Bilanc. Ky skepticizëm ndaj gjendjes aktuale të sistemit kapitalist shenjoi edhe klimën në të cilën u mbajt Forumi i sivjetshëm. Thuajse të gjitha pyetjet e ngritura shprehin në thelb shqetësimin se sistemi kapitalist në formën e tij të tanishme nuk përputhet aspak me aspiratën e njeriut për një jetë më të lumtur e më të drejtë. Drejtimi në të cilin po ecën kapitalizmi po e gërryen bazën morale të shoqërisë duke bërë që askush të mos ndihet përgjegjës për asgjë.

Duhet thënë se shqetësimet e ngritura javën e kaluar në Davos nuk janë të reja. Herë pas here, me intensitet të ndryshëm këto shqetësime janë artikuluar nga filozofë dhe teoricienë të njohur të ekonomisë. Ia vlen t’ua shkundim pak pluhurin e kohës disa nga mendimeve më të spikatura, duke i parë nën dritën e pikëpyetjeve të ngritura së fundmi në forumin ekonomik të Davos-it.

Le të fillojmë me Adam Smith, të cilin e ka shqetësuar vazhdimisht raporti i kapitalizmit me moralin e shoqërisë. Si një vrojtues tejet i vëmendshëm i shoqërive aksionere, Smith e gjykon modelin e shoqërive me përgjegjësi të kufizuar si një model anakronik pa të ardhme. Në librin e tij “Mirëqenia e Kombeve” nuk thotë asnjë fjalë të mirë për shoqëritë aksionere. Duke qenë se aksionerët nuk marrin fort vesh nga biznesi, ia besojnë këtë administratorëve. Këta të fundit nuk e marrin seriozisht detyrën, sepse, në fund të fundit, nuk janë paratë e tyre në lojë. Prandaj, sipas Smith, “indiferenca dhe shpërdorimi abuziv do ta dominojnë drejtimin e biznesit”.

Ç’është e vërteta parashikimet e Smith-it nuk u realizuan. Shoqëritë aksionere nuk rezultuan si specie në zhdukje, përkundrazi atyre do t’u përkiste e ardhmja. Ato çliruan energji të panjohura deri atëherë rezultuan si forma më e suksesshme në tregjet botërore. Sidoqoftë suksesi i tyre kishte (dhe ka) një karakter të dyshimtë. Me moralin e një tregtari të ndershëm e fisnik shoqëritë aksionere nuk duket se kanë fort lidhje. Në një shoqëri me përgjegjësi të kufizuar nuk ndihet njeri përgjegjës për moralin. Për bilancin po! Mesa duket shoqëritë aksionere janë përgjegjëse vetëm për pasurimin personal, por jo për përgjegjësinë personale.

Ideja e përgjegjësisë së kufizuar është bërë ideja dominante e ekonomisë globale dhe mbetet e tillë edhe në ditët e sotme. Europa imperialiste, e cila zhvaste kolonitë në mbarë botën, e bëri këtë mbi bazën e rregullave të përgjegjësisë së kufizuar. Për bastisjen e vendeve të Botës së Tretë kanë qenë përgjegjëse shoqëritë tregtare, të cilat nuk mbartën asnjë përgjegjësi për pasojat sociale dhe ekologjike. Edhe bankat e mëdha, shkaktare për krizën e fundit (?) financiare, e bënë gjithë këtë rrëmujë me një përgjegjësi kaq të kufizuar, saqë jo atyre, por shtetit iu desh të përgjigjej për dëmet dhe borxhet. E njëjta gjë edhe për menaxherët e niveleve të larta, financierët e superpaguar, të cilët nuk artikuluan as edhe një shprehje keqardhjeje, le më të përgjigjeshin me pasuritë e tyre private.

E parë në aspektin psikologjik, shoqëritë me përgjegjësi të kufizuar ofrojnë një terren ideal për abuzimin moral. Aty ku nuk mbajmë përgjegjësi, nuk jemi përgjegjës. Para derës së shtëpisë sime nuk lejoj asnjë mbeturinë; plehrat i pastroj nëse burojnë prej meje. Rrugëve të qytetit nervozohem kur shoh njerëz që hedhin plehrat përtokë, por me siguri nuk e marr mundimin t’i lëviz që andej!

Ekonomia moderne kapitaliste dhe morali e përgjegjësia sociale janë dy elemente që nuk mund t’i bashkosh kollaj me njëri-tjetrin. Si mund t’i bësh bashkë ato, si mund të përgatitet koktejli me përbërës kaq të ndryshëm si pushteti privat ekonomik me përgjegjësinë sociale? Me këtë pyetje të koklavitur janë marrë veç e veç e bashkërisht tre studiues të së ashtuquajturës “Shkolla e Freiburgut”: ekonomisti Walter Eucken (1891-1950), juristi Franz Boehm (1895-1977), dhe Hans Grossmann-Doerth (1894-1944).

Pyetjet e mësipërme nuk janë krejtësisht të reja. John Stuart Mill i kishte ngritur ato në një formë të ngjashme kur kishte folur për dy vlera bazë të politikës, e sidomos për vështirësinë e bashkimit të tyre në një të vetme: ideja e liberalizmit dhe ideja e demokracisë. Megjithëse ne sot i shohim të dyja si vlera pozitive, nuk është se te dyja ecin dora dorës në krah të njëra-tjetrës. Sepse për të funksionuar realisht demokracia ka si parakusht një dozë të lartë barazie: barazi në të drejtën për të zgjedhur, mundësi të barabarta në arsimim, në të drejtën për informim e kështu me radhë. Kurse liberalizmi konsideron si parim suprem lirinë dhe, në këtë mënyrë edhe shansin për avantazhe ekonomike e politike ndaj të tjerëve.

Për të tre studiuesit e mësipërm dhe bashkëshoqëruesit e tyre filozofë, Wilhelm Roepke, Alfred Mueller-Armack dhe Alexander von Ruestow, problemi zgjidhet vetëm me një kusht: ekonomisë i duhet nga pikëpamja morale një shtet i fortë. Sepse vetëm atje ku shteti ia del ta ushtrojë rolin e tij si rregullator ekonomik, mund të lulëzojnë me të vërtetë tregjet e lira. Nëse duam një lojë të ndershme forcash ekonomike, duhet një shtet si arbitër, i cili i bie bilbilit kur loja bëhet e pandershme, një arbitër që ndëshkon me karton të verdhë e të kuq.

Ndryshe nga shumë ekonomistë sot, që nuk interesohen fort për çështje të moralit në ekonomi, studiuesit e shkollës së Freiburgut u përpoqën të gjenin një sintezë të tregut me moralin. Të tre përjetuan periudhën e Raichut të Tretë dhe nxorën një konkluzion të rëndësishëm: mënyra sesi një popull zhvillon ekonominë e tij pasqyrohet direkt në rendin e tij shoqëror. Dhe anasjelltas, rendi shoqëror përcakton kulturën e një ekonomie. Tregu dhe morali janë të lidhur fort me njëri-tjetrin.

Po cili është raporti mes tyre? Një konstatim mjaft esencial në këtë drejtim bën Wilhelm Roepke: “tregu ekonomik liberal bazohet në premisa, të cilat nuk i përcakton ai vetë”. E shprehur më thjesht: “në fillim është kultura pastaj vjen tregtia; e para përcakton të dytën dhe jo anasjelltas”.

Kush e bazon sjelljen mbi fitimin, mund të konsiderohet i zgjuar në aspektin ekonomik, por është larg së prodhuari moral. Përkundrazi, duke vepruar thjesht me orientim drejt fitimit, ai po konsumon atë bazë morale që gjen në shoqërinë ku jeton. Ai përdor rregullat e ndershmërisë. Ai nxit besimin dhe jep besim. E zhvillon aktivitetin e tij duke u nisur nga besueshmëria e klientëve apo partnerëve. Të gjitha këto nuk i krijon tregu, por merren prej këtij si kushte paraprake në mënyrë që tregu të funksionojë. Në plan afatgjatë tregu mund të kthehet në një barrë dhe rrezik për shoqërinë. Sa më në mënyrë racionale të kalkulojnë njerëzit fitimin e tyre, aq më e pashëndetshme bëhet klima shoqërore. Tregu e gërryen moralin duke konsumuar resurset etike sociale. Kush synon thjesht dhe vetëm avantazhe personale, shkatërron në plan afatgjatë interesin e komunitetit.

Si i bëhet halli atëherë? Roepke-s nuk është se i shkonte ndërmend të vinte në pikëpyetje kapitalizmin dhe nuk shihte gjëkundi alternativë tjetër. E vetmja gjë që kërkonte ishte një shtet, i cili, i pandikuar, ecte kundër rrymës duke penguar degradimin moral të qytetarëve në konkurrencën e ashpër të tregut. Sipas Roepke-s, tregu nuk është një parim absolut, por thjesht një instrument, ndonëse i rrezikshëm, por pa alternativë tjetër konkurruese. I ashtuquajturi “parim i individualitetit” si bërthamë e ekonomisë së tregut duhej mbajtur në ekuilibër me një parim tjetër, atë të “social dhe human”. “Ekonomia sociale e tregut”, një koncept i kolegut të Roepke-s, Alfred Mueller-Armack, nënkupton jo vetëm një rend të caktuar tregu, por edhe një model edukimi e formimi të shoqërisë. Sigurisht Roepke me kolegët e tij ishin utopistë. Ata kërkonin jo vetëm një rend të mirë shoqëror, por edhe njerëz të mirë, një “humanizëm ekonomik” siç e quanin ata. Që nga politika e deri te banka, gjithçka duhej t’i nënshtrohej një kredoje: inkurajimit të shoqërisë drejt vlerave “të duhura”, si ndershmëria, drejtësia, përkujdesja dhe besimi.

 

(vijon nesër…)

PasPara

2 komente

  1. Mendoj se gradualisht Po shkohet ne drejtimin e duhur. Sa per pergjegjesine , ajo do te mbetet jetim. "Vjedhja" qe eshte bere gjate viteve, me arsyetimin e "fitimit" i ka justifikur , ata njerez egoiste. E kunderta ka ndodhur me qytetarin qe ka pervetesuar nje bluze , nje kg sheqer apo nje drase ne pronen shoqerore. Ligji ka vepruarme force. Por e keqja qendron tani se bankat qe nuk ndryshojne me"piramidat" po marin kredi nga shteti. E thene ndryshe ato po marin te ardhura nga taksa paguesit. Pra shoqeria po iveston per privatin, per nje model aspak premtues. Si do te shkohet me tutje? C'fare thone filozofet apo ekonomistet? Nje gje eshte e qarte, se sot me shume se kurre duhet trasparence. A egzistone nje arsyetim ekonomik qe te shmange spekullimin? Le te shohim perse Marksi ekonomisht pas shume dekadash po terheq vemendjen e shoqerise. Cila eshte e verteta qe ai ka thene dhe ne e kemi anashkaluar pasi nuk na ka pelqyer . – ne qarkullim kembehen ekuivalente- . Cili vec ketij gjigandi e studioj ne menyre prefekte mallin dhe kapitalizmin? Por ai nuk do te kuptonte se shume me vone do te kembehej , morali, firma dhe posti .Atehere jane dy rruge, ose ekonomi tregu i Lire ne kontroll financiar , ose kapitalizmin "kazino" Pra ose interesi i shoqerise ose ai i individt ose te dya bashke. Si behet realisht kjo e mundur? Ne se thenia e Marksit percakton vleren reale te kembimit, ajo qe eshte me siper nuk mundet ti perkase privatit e tera. Shteti duhet te ndryshoje metodologjine ne drejtimin e kontrollit te te ardhurave , por jo si veproi shteti totalitar, duke i mare te ardhurat privatit por te mare ate qe realisht i takon shoqerise . Kembimi realizohet ne shoqeri dhe shteti te shkundet,te mare ate qe i takon shoqerise. Nuk ka vend me per egoizem. Ligji duhet te veproi ne forma ekonomike. Te mos ngaterojme me qellim Marksin ekonomist me Marksin Kommunist per te justifikuar abuzimin. Spekullimi ne globalizmin e diteve tona ka bere qe shoqeria te konsumoi me shume te ardhura sa realisht realizohen. Ne emer te globalizmit eshte realizuar nje vlere jo reale ne monelle, pasi konkretisht mungon realizimi ne strukture. Kjo metodologji e njeanshme eshte perkrahur nga bankat duke i bere llogarite gabim ne eufori , pa zerat. Dhe perfundimi eshte kjo qe ne po shohim sot e tipizur tek Greqia apo te tjera vende. Por kjo nuk mundet te ndodhe ne Gjermani, pasi ky popull, nuk genjen dike apo aq me shume te mashtoi vetveten.

  2. Nuk po i bej koment asaje qe shkruan Gilman Bakalli por dua te theksoi se njerez si ai dhe shume te tjere qe kane pervec pregatitjes profesionale te pa diskutueshem ,moral qytetar dhe njerezor te admirueshem u ,,kositen,, pa meshire nga Berishe-Topalli pasi u ,,shpallen,, te ,,rrezikshem ,, per sistemin e ri komunisto-demokrat.

Leave a Reply to Ndoc Sukaj Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas