Kryesore, Mapo Format

Kallzime dhe akuza: Prokuroria mes përplasjeve, BE pozicionohet

Ish-drejtuesi i Prokurorisë së Elbasanit, nëpërmjet një kallëzimi penal ndaj Prokurores së Përgjithshme kërkon pezullimin e saj nga detyra dhe kryerjen e një ekspertimi psikiatrik ligjor. Ndërkohë po dje në zyrën e kryeprokurores ishte ambasadorja e BE, Romana Vlahutin, e cila ka dhënë mbështetjen e saj për institucionin e akuzës. 

Një ditë pas shkarkimit nga detyra, ish-drejtuesi i Prokurorisë së Elbasanit Dritan Gina ka depozituar një kallëzim penal ndaj Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme Arta Marku, të cilën e akuzon për shpërdorim detyre. Në kallëzim, Gina kërkon edhe shqyrtimin e padisë civile ndaj kryeprokurores, e cila sipas tij ka nxjerrë një akt administrativ në kundërshtim me ligjin dhe Kushtetutën. Ai thotë se pas regjistrimit të kallëzimit penal, Prokuroria e Krimeve të Rënda duhet të kërkojë pezullimin nga detyra të Arta Markut, si dhe të urdhërojë kryerjen e një ekspertimi psikiatrik ligjor, për të verifikuar gjendjen mendore të të kallëzuarës. Referuar gravitetit të shpërdorimit të detyrës të kryer nga ana e të kallëzuarës, me dashje direkte dhe me veprime aktive kriminale, duke përdhosur Kushtetutën dhe mos përfillur ligjin, referuar densitetit dhe vazhdimësisë së veprimtarisë kriminale të saj, të cilat dëmtojnë vetë interesat e ligjshëm të shtetit, paraprakisht kërkojmë që, menjëherë pas regjistrimit të këtij kallëzimi penal, ndaj personit të kallëzuar, për shkak të rrezikshmërisë së lartë shoqërore të saj, të merret masa e sigurimit personal ndalues, e “Pezullimit të Ushtrimit të detyrës publike”, thuhet ndër të tjera në kallëzimin penal që ish-drejtuesi i prokurorisë së Elbasanit bëri ndaj kryeprokurores së përkohshme Arta Marku. Referuar kallëzimit, Gina kërkon kryerjen e ekspertimit psikiatrik ligjor, si dhe dëmshpërblim për dëmin jopasuror që i është shkaktuar nga ky urdhër i paligjshëm. “Kërkojmë që, në përputhje me përcaktimet e nenit 44 të K. Pr. Penale, pas regjistrimit të këtij kallëzimi, nga ana e Prokuroreve të çështjes të urdhërohet kryerja e një ekspertimi psikiatrik ligjor, me qëllim për të verifikuar gjendjen mendore të të kallzuarës, thuhet në padi. Gjithashtu, Gina kërkon edhe dëmshpërblim 100.000 lekë për cenim të personalitetit. “Duke mos patur për qëllim pasurimin, në kurriz të veprimeve kriminale të të kallëzuarës së paditur, por vetëm me qëllimin mbrojtjen e reputacionit, personalitetit dhe të vlerave profesionale, kërkojmë detyrimin e të paditurës që të dëmshpërblejë paditësin në masën prej 100.000 lekësh. Në kallëzim ish-drejtuesi i Prokurorisë së Elbasanit thotë se veprimet e kryeprokurores Marku janë kryer me arrogancën e një kapobande kriminale që gëzon mbrojte nga politika. “Nuk ka asnjë analizë të bërë nga ana e Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme, e cila me arrogancën e një kapobande kriminale që gëzon mbrojtje nga politika, nuk denjoi as të prezantohet përpara drejtuesve të Prokurorive dhe jo më të kërkojë të dhëna apo informacion analitik apo statistikor në lidhje me funksionimin, veprimtarinë apo problematikat e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan apo të drejtuesit të saj”, thuhet në kallëzimin penal. Më tej ai thotë se detyra e Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme, nuk përfaqëson menaxhimin e një kompanie teleperformace, por nënkupton moral, integritet, përgjegjshmëri dhe maturi në kryerjen vetëm të detyrave ligjore të ngarkuara. “Asnjë funksionar publik e për më tepër, Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme, nuk mund t’ia lejojë vetes që të shpërdorojë detyrën për interesat e ngushtë të një grupi të kriminalizuar, me qëllimin e vetëm të përfitimit të pozitave të qëndrueshme nesër apo përfitimin pasuror të paligjshëm sot, nga abuzimi me pushtetin dhe caktimi i miqve në krye te organeve drejtuese të Prokurorisë”, thuhet në kallëzim. Më tej, Gina ashpërson gjuhën ndaj kryeprokurores të cilën e akuzon për vendosjen e shokëve në poste drejtuese. “Rritja e besimit te publikut tek organi i akuzës, nuk bëhet duke dëgjuar dhe zbatuar verbërisht urdhrat e bandave kriminale dhe të përkrahësve të tyre me pushtet, të cilëve, zbatimi i ligjit nga prokurorë të ndërgjegjshëm, iu prishi pazaret e drogës dhe, as duke vënë «shokët» në postet drejtuese, e errësuar nga ngutshmëria që imponon nxjerrja e përfitimit maksimal, brenda kohës së shkurtër, gjatë së cilës, në mënyrë të turpshme, e kallëzuara do të qëndrojë në detyrë”, citohet në kallëzim.



 

Takimi, Vlahutin-Marku, ambasadorja e BE mbështet kryeprokuroren

Ambasadorja e BE në Tiranë, Romana Vlahutin, ka zhvilluar dje një takim me Kryeprokuroren Arta Marku, në zyrën e kësaj të fundit. Takimi nisi në orën 16:00 dhe zgjati rreth 45 minuta. Ky ishte takimi i parë i Kryeprokurores Marku me ambasadoren Vlahutin pas marrjes së detyrës. Ambasadorja e BE nuk është prononcuar për mediat pas takimit, por mësohet se në fokus të bisedës ka qenë Vettingu në Prokurori dhe hetimi i dosjeve të nxehta. Romana Vlahutin rikthehet në Prokurorinë e Përgjithshme pas rreth tri vitesh për shkak të përplasjeve me ish-kryeprokurorin, Adriatik Llalla. Ndonëse e vetmja marrëdhënie e ndërlikuar e Llallës e njohur edhe publikisht ka qenë ajo me ambasadorin e SHBA Donald Lu, pasi ky i fundit e akuzoi atë se nuk hetoi asnjë zyrtar për korrupsion gjatë gjithë mandatit të tij si titullar i organit të akuzës. Që pas marrjes së detyrës së re, Arta Marku ka zhvilluar disa takime me ambasadorët e akredituar në Tiranë. I pari që takoi kryeprokuroren ishte ambasadori i SHBA, Donald Lu, ndërsa më pas ishin përfaqësuesit e vendeve të BE. SHBA dhe BE vijojnë mbështetjen për institucionet e drejtësisë shqiptare për zbatimin e reformës në sistemin e drejtësisë.

 

PasPara

1 koment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas