Kryesore, Politika

Kadare: Teatri, ngrehinë për të argëtuar ushtarët italianë…

Plot dhjetë vjet më parë Ismail Kadare do të nxitej të shkruante për teatrin dhe dramën shqipe, prej një drame të mbetur në dorëshkrim të Mid’hat Frashërit.

Një dekadë më parë, shkrimtari do të shprehej se Shqipëria është i vetmi vend në Europë që s’ka një teatër dhe se ngrehina aktuale e Teatrit Kombëtar ka shërbyer për të argëtuar ushtarët italianë në kohën e pushtimit.



Ai bën një historik të teatrit shqiptar, goditjen që mori gjatë pushtimit osman dhe atë fatale gjatë komunizmit me kanonet e realizmit socialist. Por do të ndalej edhe te debati i nxehtë për Skënderbeun mes mitit dhe historisë. Kadare i quan më të rrezikshëm dhe se vetë Haxhi Qamili ata që hedhin baltë mbi figurën e Heroit Kombëtar.

Ky shkrim i vitit 2008, na vjen në këtë Vit të Skënderbeut, por edhe të mbushur me debate për teatrin, si parathënie në vëllimin e tretë të veprës së plotë të Mid’hat Frashërit, prezantuar dje.

ISMAIL KADARE

DRAMA E NJË LIDERI

Dramaturgjia përbën pjesën më të papërfillshme në letrat shqipe. Nga ana e saj, jeta teatrale nuk ka shkëlqyer kurrë në këtë zonë të Ballkanit. Shqipëria është i vetmi vend në Europë, që nuk ka ende një ngrehinë teatri, të denjë për këtë emër.

Teatri Kombëtar i sotëm, ish-Teatri Popullor i kohës së komunizmit, i cili quhej dikur kinema “Kosova”, nuk ka qenë veçse një ndërtesë e përkohshme, nga ato që ushtria italiane i përdorte për zbavitjen e trupave të saj. Për një habi, që në pamje të parë ngjan e pashpjegueshme, faktorët proteatrorë në Shqipëri janë të barabartë me ata kundërteatrorë.

Duket sikur nga përplasja e tyre nuk mund të kishim veçse këtë tokë të askujt. Ndër rrethanat që mund t’i jepnin shtysë të ndjeshme teatrit shqiptar, dallohen tri kryesoret.

E para, vendi i shqiptarëve, që prej mijëra vitesh është fqinj me atë të grekëve, trualli ku lindi teatri antik. Për nga gërmadhat e moçme teatrore, Shqipëria është ende sot një nga vendet më të pasura në kontinent.

E dyta, doket shqiptare, qoftë të gëzueshmet, qoftë të përzishmet, kanë një ngjyrim të theksuar teatror.

E treta, vetë tipologjia e njeriut shqiptar, gjestet, e folura, dëshira për t’u dukur, etja për lavdi, për publik e për duartrokitje, e afrojnë atë… më shumë nga teatri se nga pragmatizmi i jetës. Faktorët e kundërt me këto nuk kanë qenë as më të paktë e as më të dobët.

Në pesë shekujt e sundimit osman, në mos ndalimi i plotë i teatrit, armiqësia e shtetit turk ndaj tij, bëri që shtetasit e perandorisë të largoheshin nga trazimet që jepte skena. Gjysmë i ndaluar, teatri pati një zhvillim fare të druajtur vetëm atëherë kur Turqia ndihej e detyruar t’i bënte lëshime Europës dhe europianizmit. Vendet nën pushtim zakonisht nuk kanë teatër. Mungesa e jetës shoqërore, e institucioneve dhe pasioneve partiake, e jetës parlamentare, e tribunave dhe përplasjes së ideve, e fushave dhe proceseve të mëdha, së fundi, mungesa e shtypit të lirë, e gjithë këtyre burimeve të teatrit, kjo mungesë, pra, bëri që tundimi teatror të mos këndellet asnjëherë.

Koha çerekshekullore e dy mbretërive shqiptare, me një rend republikan midis, ishte e pamjaftueshme për të davaritur përgjumjen e një nate pesëshekullore. Ideja e Fan Nolit për të përdorur drama të tilla si “Jul Cezari” i Shekspirit ose “Armiku i popullit” të Ibsenit, si ushqim zëvendësues, në mungesë të dramaturgjisë shqiptare, ishte e fisme si ide, por iluzore në thelbin e saj.

Si të mos mjaftonte kjo mbrapshti, pikërisht kur po vinte koha e zgjimit të vërtetë, mbi teatrin shqiptar ra një fatkeqësi e re: faktori komunist. S’gjante me përgjumje, përkundrazi shoqërohej me lodërti dhe zhurmë festash e olimpiadash, por, në të vërtetë, ishte më e keqe se gjumi.

Ndërsa gjithë letrat shqipe i ruajtën teoritë varfëruese të realizmit socialist, heroin pozitiv zotërues, urrejtjen klasore, klimën e hareshme drejtpeshuese, e të tjera marrëzi të ngjashme, teatri ishte ai që do të rrëzohej përfundimisht prej tyre. Si lojtar në skenë përpara sallave, të cilat syrit dyshues të shtetit i ngjanin si salla të mundshme mitingjesh kundër tij, teatri iu nënshtrua një censure paranoje.

Për të dhënë veç një shembull, mjafton të përmendim teorinë e mungesës së konfliktit, asaj që i hiqte teatrit dhe mundësinë e fundit të ballafaqimit, qoftë edhe në mënyrë fare të druajtur, të mendimeve disi të ndryshme. Një nga marrëzitë më të mëdha ishte zotërimi i heroit pozitiv, i cili u bë aq i mërzitshëm e i bezdisshëm, saqë në krahasim me të personazhet negative, pijanecët, horrat, kumarxhinjtë, borgjezët e rrëzuar plot vese, ngjanin më tërheqës se pozitivët, duke rrezikuar të bëhen model për spektatorët.

Nga frika e një gjëje të tillë, u shpik teoria e radhës, që në teatër konflikti midis “të mirëve e të ligjve” të zëvendësohej me një tjetër, atë të konfliktit të “mirit” me “më të mirin”! Ishte një nga shenjat që jo vetëm të ashtuquajturit art socialist, por gjithë rendit, po i vinte fundi. Në fundajën e varfër e të pikëllueshme që u përmend më lart, nuk mund të kishim veç një prodhim të varfër teatror.

Nuk ishte e rastit që drama e parë shqipe u shkrua jashtë Perandorisë Osmane, nga arbëreshi Françesk Anton Santori, aty nga mesi i shekullit XVIII. Ashtu si nuk qe e rastit që një nga dramat e rralla të mëvonshme, “Izraelitë e filistinë” e Fan Nolit, siç e tregonte titulli, ishte tepër larg jetës shqiptare.

Më pas, dy komeditë e Andon Zako Çajupit, “Pas vdekjes” dhe “Katërmbëdhjetë vjeç dhëndër”, të vetmet që vazhdojnë të luhen gjer në ditët tona, arritën të sjellin në skenë diçka nga jeta shqiptare. Pjesë teatrale patriotike, shpesh sentimentale, disa herë me subjekte antike, si ato të Ethem Haxhiademit, e krahas tyre drama moralizonte dhe pjesë teatrale me subjekte edukuese, emancipuese e fetare, si ato të shkrimtarëve katolikë veriorë, ndër të cilat “Juda makave” e At Gjergj Fishtës, ishin të pamjaftueshme për të siguruar klimë të vijueshme të jetës teatrore.

Në këtë tablo të paktë e manastirore është e kuptueshme që kërkesat e ligjshme për një dramaturgji të nivelit të lartë vetvetiu zbehen. Është kjo një arsye më tepër që t’i gëzohemi ndoshta më tepër se ç’duhet zbulimit të dorëshkrimit të një drame, zbulim që në kushte të tjera të një zhvillimi normal të artit teatror do të kalonte ndoshta jo fort i vërejtshëm.

Është fjala për dramën “Foleja kombëtare” të Mid’hat Frashërit, personalitet i shquar i jetës kulturore dhe politike shqiptare, bir dhe nip i familjes së madhe të Frashërllinjve. Është një rast i qartë kur personazhi e kapërcen dukshëm veprën e vet, në këtë rast dramën e vetme që e ka lënë në dorëshkrim. Kur një shkrimtar kthehet në lider, ose anasjelltas, lideri bëhet shkrimtar, gjithmonë krijohen probleme. Me Mid’hat Frashërin, alias Lumo Skëndo, çështja është më e ndërlikuar.

Prozator me talent të spikatur, shkrimtar fin, autor, ndër të tjera, i librit me tregime dhe novela “Hi dhe shpuzë”, si dhe i kujtimeve për një udhëtim të vitit 1915 në Zvicër, pamjet e së cilës i ripërtërijnë ëndrrën e vjetër të rilindësve për ta parë atë vend si model i ardhshëm i Shqipërisë europiane, Mid’hat Frashëri ka dallgëzuar disa herë nga letërsia në politikë, dhe anasjelltas, gjersa e ka lënë këtë botë në moshën 69-vjeçare.

Për vdekjen e tij misterioze, në një hotel në New York, më 1949-n, gjithmonë e më tepër shtohen dyshimet se ka qenë një vepër e zbulimit të fshehtë sovjetik për llogari të aleatit të tij, Shqipërisë komuniste. Në këtë rast, do të kishim të drejtë të thoshim se nga dy pasionet e tij në jetë, ishte politika ajo që ia mori jetën, në kohën që letërsia i dha një jetë të dytë. Ndërsa vepra e tij letrare në prozë ka zënë vend në fondin e thesarit shqiptar të letrave, drama “Foleja kombëtare” nuk ka qene veçse një incident, aspak me kuptimin e keq të fjalës.

Ai vetë duhet ta ketë gjykuar si të tillë, përderisa nuk e ka botuar, por as asgjësuar. Më tepër se një dramë, është drafti i një drame, një synim, një skicim, një ngrehë paraprake për pjesë teatri, e lënë në kantier, siç u ndodh shpesh njerëzve të letrave. Në fund të fundit, mund të merret si një peng apo qortim ndaj dramaturgjisë së kursyer shqiptare, që gati dy shekuj pas dramës së parë shqipe, ende s’ka qenë në gjendje të japë një pjesë të madhe teatri, nga ato që skenat e çdo vendi e presin gjithmonë me padurim.

“Foleja kombëtare”, ndonëse e pakryer si vepër, zgjon interes për një vlerë gjithmonë të çmuar në art: synimin për përmasa të mëdha. S’është vetëm rrokja e dy trazimeve themelore të jetës shqiptare për gati një shekull, ndriçimi përmes dijes dhe arsimit të kombit në mënyrë paralele, për meshkujt dhe për femrat, as për listën tepër të lartë e të fisme të personazheve, duke nisur nga Naim Frashëri, At Gjergj Fishta, Lef Nosi, Jani Vreto, Pashko Vasa, Sami Frashëri, sulltani turk, motrat Qiriazi, ministri i Jashtëm turk, etj. për të përfunduar te pjesa e pafisme, si spiuni shqiptar Halil, që spiunon Naimin te ministri i Brendshëm turk, etj..

Është fjala për trajtimin dramatik të gjithë kësaj lënde në horizont të gjerë, të njohur tepër rrallë, për të mos thënë të panjohur për teatrin ballkanik. Është fjala për skenat, ai ajo e aktit të parë, ku autori, natyrshëm e pa asnjë kompleks, vendos përpara nesh dy personazhe, që për nga qëllimet janë më të largët se dy planetë: sulltanin turk Abdyl Hamitin dhe poetin shqiptar Naim Frashëri.

Dialogu midis tyre është mëse befasues e paradoksal. Sulltani e paralajmëron, më saktë, e kërcënon Naim Frashërin, se përgjegjësia për trazimet, që mund të sjellë çelja e shkollave shqipe, do t’i bjerë atij si një nga zyrtarët më të lartë të censurës perandorake! (Diçka aspak e shpikur prej autorit-nip o poetit të madh.) Që Mid’hat Frashëri e hodhi për herë të parë, e me sa duket të fundit, këtë dëshirë të tij teatrore në vitet ’30, dëshmonte se dy çështjet që do të përcaktonin fatin e mëtejshëm të kombit: shkollat shqipe dhe emancipimi i gruas shqiptare (të dyja të zhytura në terr prej osmanllisë) ishin ende problemet e ditës, madje do të vazhdonin të ishin të tilla në të ardhmen.

Mid’hat Frashëri, i fajësuar me gjithë koleksionin e akuzave, të cilat njeriu shqiptar, për fat të keq, i përdor aq bujarisht, i himnizuar me koleksionin tjetër, të kundërtin, si “gjeni i kombit”, që njeriu shqiptar, përsëri për fat të keq, i përdor aq kopracisht kur duhet, e aq pa vend kur nuk duhet, ka shfaqur disa herë parashikime me të vërtetë profetike. Sikur ta ndiente nga do t’i vinte jo vetëm fatkeqësia e re kombit shqiptar, por atij vetë, vdekja, ishte i pari njeri në botë që gjeti një fill bashkues midis ngjarjeve të 1917-s në Rusi dhe rebelimit proturk të Haxhi Qamilit në Shqipëri, katër vite më parë, më 1914, duke e quajtur këtë rebelim një lëvizje bolshevike.

Si një paralajmërim ndëshkimi për atë profeci, dy vite përpara vrasjes në New York, armiku numër një i Frashërit, shefi i komunistëve shqiptarë, shkroi të vetmen sprovë historike kushtuar Haxhi Qamilit, ku, në kundërshtim të plotë me gjithë mendimin shqiptar, e himnizonte të çmendurin mizor nga Sharra, që në zhurmën e daulleve dhe ulërimave “Dum Babën!” (lexo Sulltanin), kërkonte kthimin e Shqipërisë nën sundimin osman. Kjo kundërvënie e dy personazheve rrotull psikopatit turkofil, ishte kuptimplote. Ajo dëshmonte se sundimi osman në Shqipëri ishte më keq se një sundim ushtarak.

Ajo dëshmonte synimin osman, jo thjesht për ta mbajtur të sunduar Shqipërinë, por për ta zhbërë si të tillë. Turqizmi i popullit shqiptar ishte projekti më i lemerishëm me të cilin atij i ra fati të ndeshet. Për fat të keq, mekanizmat mbrojtës të tij nuk u treguan të aftë për të shmangur plotësisht të keqen. Për vizionin otoman, ndër popujt e Ballkanit, populli shqiptar ishte ai që ndërkaq kishte vdekur. Ai përftohej si turk, por, ndërkaq, nëse kërkonte identitetin e vet, ndëshkohej egërsisht si turk i pabesë.

Një pjesë e tragjedisë shqiptare ishte pikërisht interpretimi i keq i statusit të tij. Në vjershën e dëgjuar “Jam turk, ehamdulila”, poeti Esad Mekuli e shpallte me dëshpërim këtë nyjëtim dramatik, ku kishte ngecur ende si në kurth njeriu shqiptar. Shumë njerëz bënin pyetjet: Përse Shqipërisë i shkojnë punët mbrapsht? Përse për të tjerët po zbardhte liria, e për Shqipërinë jo? Rilindja shqiptare, bashkë me pararendësit dhe pasrendësit e saj, e kapi hijen e vdekjes që po i vërtitej kombit.

Robëria e gjatë po pillte filozofinë e robërisë, ngadhënjimi i së cilës do të ishte shumë herë më fatal se robëria vetë. Shkrimtarët veriorë Budi, Bardhi, Bogdani, më pas arbëreshët me De Radën në krye, e fill pas tyre vargu i vetë rilindësve, të herët a të vonë, si Naimi, Mjeda, Çajupi, Fishta e gjer te Noli, u ranë gjithë kambanave që duhej të zgjonin shqiptarët, për t’i ngritur kundër robërisë, por sidomos kundër filozofisë së saj. Për aksionin e saj dëshpërimisht solemn, Rilindja shqiptare solli në Shqipëri fantazmën e dëbuar, Gjergj Kastriotin, të cilin Europa, për fatin tonë, na e ruajti, jo vetëm në shesh dhe rrugët e pagëzuara me emrin e tij, por edhe në kujtesën e saj. Mid’hat Frashëri ishte njëri nga rilindësit që jetoi të tria kohët, atë të sundimit osman, të Shqipërisë së pavarur dhe fillimin e komunizmit.

Ishte ky i fundit që bëri atë që nuk arriti dot ta bënte osmanllia, asgjësimin e tij. Koha e Republikës së Nolit dhe ajo e Mbretërisë së Zogut, e para mjaft e shkurtër, e dyta jo aq e gjatë sa do të duhej, ndonëse në kundërshtim me njëra-tjetrën, në shumë gjëra u bashkuan në një pikë themelore, njëmendësimin e ideve të Rilindjes shqiptare dhe testamentin e Gjergj Kastriotit, thënë ndryshe, nxjerrjen e tyre nga statusi idealist e romantik dhe vënien në themel të institucioneve, të strategjisë filozofike dhe politike të shtetit shqiptar. Për fat të keq, koha e pavarësisë ishte e shkurtër për t’ia lënë vendin periudhës groteske të varfërisë, terrorit dhe izolimit komunist. Pyetjet: përse Shqipëria vazhdon të jetë e pafat; përse të tjerët ecin e ajo ngec; bëheshin tani me të njëjtin pezm fatalist, ndonëse për një tjetër fatkeqësi. Ato pyetje do të përsëriteshin më pas, atëherë ku s’do të duhej, pas rënies së komunizmit.

Ato vazhdojnë të bëhen sot, jo vetëm nga mendjet elitare, por nga shumica e shqiptarëve, gjithkund ku ata ndodhen. Përgjigjet për to janë të ndryshme dhe kjo është e kuptueshme. Pas dy robërive, aq pranë njëra-tjetrës, vizioni shqiptar i botës mbetet ende i turbullt dhe kaotik. Midis përgjigjeve është njëra që gjithmonë e më shpesh përsëritet, më ndrojtur në shtyp, por fare haptas në internet. Në Shqipëri punët do të shkojnë gjithnjë e më mbrapsht përderisa në qendër të Tiranës nuk do të hiqet shtatorja e Skënderbeut për t’u zëvendësuar me atë të Sulltan Muratit.

Ngjan e pabesueshme, por këto fjalë të një ripohuesi nga Shqipëria, hulumtuesit mund t’i gjejnë jo më larg se tre muaj më parë. Një tjetër ripohues, këtë herë nga Kosova, shkruan e zezë mbi të bardhë, se “antishqiptari Gjergj Kastriot Skënderbeu është protagonist kryesor i historiografisë komuniste”. Dhe më poshtë: “i futur në tekstet e historisë prej komunistëve”.

Emri i këtij ripohuesi është H. Ferraj dhe sa ç’ishte e madhe habia për mashtrime të tilla, po aq, në mos më shumë, është habia tjetër se ky ripohues paska përkrahje në rrethet universitare e gjysmëzyrtare në Shqipëri. Ky e të tjerë si ky, duke abuzuar me lirinë kaotike, shpesh karikatureske shqiptare, guxojnë të hedhin mendimin se regjimi i egër komunist shqiptar ishte i tillë ngaqë u projektua në bazë të orientimit të rilindësve shqiptarë! Për të mos u zgjatur me këtë barbari shembujsh, po e mbyllim me fjalët e një tjetër ripohuesi, prapë nga Kosova, që bën paralajmërimin se të sulmosh Perandorinë Osmane sot është njëlloj si të sulmosh miqtë tanë amerikanë që çliruan Kosovën! Ç’të thuash për këtë nostalgji të ringjallur befas, një shekull pas ikjes së osmanëve?

Ta quash groteske, tragjike, komike… natyrisht mund ta quash kështu, madje mund të gjesh edhe cilësime të tjera më të thekura, por kjo nuk e shpjegon dukurinë. Të thuash se po t’i përmbaheshe programit të Rilindjes, Shqipëria jo që s’do të bëhej kurrë komuniste, por do të ishte prej kohësh një shtet model në Bashkimin Europian. Të thuash se i ashtuquajturi “mit” i Skënderbeut, u ngrit prej të vetmes ndërmarrje të përbashkët shqiptaro-europiane, qysh prej disa shekujsh, se u sublimua prej Rilindjes dhe pastaj kohës së pavarësisë, prej Nolit dhe Zogut, se komunizmi jo vetëm ishte i huaj për të, por në vitet e flirtit me jugosllavët 1946-1947, emri i heroit pothuajse u zhduk nga shtypi shqiptar.

Të vazhdosh me kronikën e asaj që mund të quhet “lufta e shtatoreve”, kur më 1968, qeveria shqiptare bëri çmos që pagëzimi i sheshit “Skënderbe” në Paris bashkë me shtatoren midis të ndalohej prej qeverisë franceze dhe Bashkisë së Parisit? Të vazhdosh me ngritjen e shtatores së shefit të komunistëve shqiptarë, njëzet hapa pranë shtatores së heroit, paralajmërimi i hapur, se Kastrioti do të zhvendosej së shpejti dhe sheshi i parë i Shqipërisë do t’i përkiste këndej e tutje, patronit të ri komunist? (Brenda tre viteve, historia do të jepte një nga mësimet madhështore të saj, kur princi mesjetar do ta shihte rivalin e vockël të tij t’i zvarritej m’u përpara syve, krejtësisht në stilin e Mesjetës). Shumëkujt mund t’i duket se të ngresh çështje të tilla, pra, të polemizosh me të çmendurit, është kohë e humbur.

Ndërkaq, të çmendurit (që në këtë rast do t’i përligjim po të ishin thjesht të tillë), vazhdojnë veprën shkatërruese, mu në sytë tanë. Në kohën që po shkruhen këto radhë, metropoli shqiptar vlon nga polemika: Ta ruajmë apo ta rrëzojmë Skënderbeun! Vetë shtrimi i çështjes është njollë e zezë për Shqipërinë. Dihet se kush do ta fitojë këtë polemikë, por vetë fakti që ajo ndodhi, që populli shqiptar, një shekull pas osmanllisë, ende guxoi ta bëjë një pyetje të tillë, është një turp për të.

Nën këtë ndriçim të keq, do të zbulojmë ndoshta më qartë atë cen që ka shtyrë nga gabimi në gabim. Polemika vulgare dhe imorale për rilindësit dhe Skënderbeun është shenjë e një sëmundjeje më të thellë, prej së cilës kombi shqiptar, nëse kërkon një të ardhme në këtë botë, duhet të shërohet.

Intelektualët që nismëtuan baltën kundër Skënderbeut dhe Rilindjes nuk janë katundarë me shallvare, që i bien daulles e klithin “Dum Babën!”. E ndërkaq, mund të thuhet se janë jo vetëm më të rrezikshëm, por më vulgarë e më pa moral se ata. Duket fyerje, natyrisht, të merresh me ata. Dhe ashtu është. Por kur ujërat e zeza vërshojnë befas, dikush duhet të merret me to. Të mësuar të nderojmë personazhe të shquar, artistë, politikanë e gra të bukura, në çastin kur ujërat e zeza shpërthejnë, ne kujtohemi për ata që përveshin mëngët e zbresin të punojnë mes tubave e veglave, e territ, atje ku nuk guxon të zbresë kush.

Duke kujtuar se po ia hedhin problemit, intelektualucët gjysmakë, ata që ushqehen kryesisht nga “Google”, merren me raportet mit-histori pa kuptuar asgjë prej tyre. Pa e ditur se konceptet mit, histori, mitizim e çmitizim janë shumë të ndërlikuara se ç’i di mendja e tyre e ngushtë. Me nocione të tilla, zakonisht dhe sidomos me raportet mit-histori është lehtë të bësh spekulime.

Përpara se të jenë kundërthënëse, ato janë plotësuese, dy vizione të botës, njëri i dendësuar jashtë mase, e tjetri, po ashtu, jashtë mase i faktuar, që mëtojnë të njëjtën gjë: të rrëfejnë botën dhe njerëzimin. Seriozë nuk janë provokatorët e këtij diskutimi, por serioz është ndërkaq, problemi. Në kohën kur Shqipërisë së sotme, familja e popujve europianë i kërkon zbardhjen e së vërtetës për regjimin e saj e të turpshëm, prej të cilit nuk ka as njëzet vjet që ka dalë, një aksion thellësisht çoroditës kërkon ta kthejë energjinë dhe vëmendjen gjashtë shekuj pas, në një hulumtim krejt të kotë.

A ka alibi për këtë çoroditje? A ka vërtetë diçka serioze për të qortuar e ndrequr në atë që është quajtur “moti i madh” i shqiptarëve? Ajo epokë, ai asnjë tjetër, është zbardhur e dëshmuar në mijëra libra e studime nga Uashingtoni në Tokio, nga Tirana, Venediku e Roma në Londër, Stokholm e Shën Petërburg. Nga kjo mizëri botimesh e faktesh del një dëshmi përgjithësisht unanime: një luftë për jetë a vdekje e shqiptarëve dhe gjithë ballkanasve kundër Perandorisë Osmane.

Një thyerje me pasoja fatale: shkatërrim fizik, kulturor, moral. Për ironi të fatit, populli shqiptar, ai që besoi se po favorizohej, pësoi goditjen më të rëndë. Ajo ishte në logjikën osmane: popullit që iu vu shenjë për t’u turqizuar. U shestuan kështu dy projekte paralele: shkombëtarizimi, që do të ndodhte në truallin shqiptar, shpërngulja masive, gjenocidi i fshehtë, që do të përfundonte në rrafshinat e Anadollit. Akti i fundit i kësaj shpërnguljeje do të ndodhte në shekullin XX, si rrjedhojë e pakteve të fshehta turko-jugosllave për të zbrazur një pjesë të Kosovës.

Ajo që më së shumti vërteton jo favorizimin, por diskriminimin shqiptar, është ndalimi i gjuhës së shkruar shqipe dhe ndalimi i shkollave shqiptare. Asnjë gjuhë tjetër dhe asnjë shkollim në Europë nuk kanë pasur një martirizim të tillë: pesë shekuj dënim. Për të mos u zgjatur, mjafton një statistikë tmerruese nxjerrë nga “Historia e shqiptarëve”, e francezit Serge Metais, botuar në vitin 2006, Paris. Tabloja e shkollimit është e pabesueshme. Më 1887, në Shqipëri kishte tre mijë shkolla. Prej të cilave, një mijë e dyqind shkolla publike turke, po aq shkolla private greke, treqind shkolla bullgare, serbe dhe vllahe, shkollë shqipe vetëm një, me drejtor Pandeli Sotirin! Pra, gati çdo gjuhë lejohej të mësohej në “perandorinë tolerante”, përveç njërës: gjuhës shqipe! …

Nga ky këndvështrim, mendimi gjenial i Mid’hat Frashërit kur e përqasi mizorinë haxhiqamiliste me atë bolshevike, e ruan ende të plotë vlerën e vet. Rrënimi i Skënderbeut, natyrshëm shfaqet këtu si synim i përbashkët i dy armiqve kryesorë të Europës, otomanizmit dhe bolshevizmit. Rrënimi i Skënderbeut është i pandarë nga rrënimi i Shqipërisë. Gjergj Kastrioti është vënë kështu në një rrethim të dyfishtë: nëse përbaltet, siç ëndërrojnë rimohuesit, problemi mbyllet thjesht. Nëse mbetet në këmbë, siç ka ndodhur e do të ndodhë përsëri, të mbetet i tillë jo si shqiptar, por me tjetër kombësi.

Kjo do të ishte, nga njëra anë, zbrazja më e madhe e Shqipërisë, e, nga ana tjetër, mbyllja e një cikli të zi për Kosovën, kur kjo e fundit, provincë e përjetshme serbe dhe djep i Serbisë, siç ëndërrohet prej sllavëve, do ta kishte të natyrshëm, sipas tyre, një kryezot serb. Nostalgjia e kohëve të fundit për osmanizmin, nostalgji që vetë Turqia e sotme, moderne dhe kemaliste do ta dëbonte, është shumë shqetësuese. Çdo vonesë në zbehjen e pastaj shuarjen e saj e bën më të zezë njollën, që ajo po i vë kësaj shoqërie. Raportet e një populli me lirinë janë shenja e parë identifikuese e tij.

Ato janë karta e parë kredenciale, e fisme apo e pafisme, me të cilën ai shfaqet përpara familjes së popujve. Flirtet e turbullta me robërinë dëshmojnë, as më pak, as më shumë, raportet e turbullta me lirinë. Një dëshmi e munguar për këtë të fundit do ta vinte kombin shqiptar në bankën e turpit si i vetmi popull në kontinent, që duke shkelur më të epërmin ligj moral të njerëzimit, e modifikoi identitetin e vet për t’ia përshtatur atë robërisë. Historia e kthyer në mit (dhe jo miti në histori) e Kastriotit ka qenë dhe mbetet një histori fund e krye pozitive, shqiptare dhe europiane. Është pjella e parë e përbashkët e Shqipërisë me Europën dhe, si e tillë, përveç që na nderon, na jep shpresë.

Tetor 2008 (Panorama)

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas