Mapo Format

“Ju jeni motori që vini në lëvizje universitetin tonë”: UET vlerëson ekselentët

Teksa të premten e kaluar u diplomuan studentët e cikleve përkatëse, pushimet verore nuk kanë arritur të boshatisin tërësisht auditorët dhe ambientet e Universitetit Europian të Tiranës. Përgjatë këtyre javëve aktivitete të shumta dhe promovime librash kanë qenë të vazhdueshme, nga ku përfshirja e studentëve ka qenë e lartë.

Edhe në ditën e djeshme më 16 korrik një gjë e tillë nuk  mungoi. Universiteti ka në politikat e tij vazhdimin e traditës së dhënies së certifikatave studentëve ekselentë, si një mënyrë kjo për t’i motivuar ende më tej në vijueshmërinë e tyre të rezultateve.



Dje tek Aula Magna në orën 17:00 u mirëpriten studentë ekselentë, që iu është paraqitur njoftimi si të përzgjedhurit për arritjet e larta akademike. Të pranishëm ishin prindër, që shoqëronin fëmijët e tyre, ashtu krenarë dhe mjaft të stimuluar, pa harruar për të përgëzuar universitetin edhe pedagogët që mundësojnë raporte të shëndetshme në marrëdhënien student-pedagog.

Nga ana tjetër të pranishëm ishin edhe Prof. Dr. Tonin Gjuraj, rektor i Universitetit Europian të Tiranës, Anisa Subashi drejtoreshë e ciklit Bachelor, si dhe Gëzim Cako, kryetari i rrjetit të ekselencës.

Drejtoresha e ciklit Bachelor u shpreh: “Ju jeni lokomotiva e studentëve tanë, lokomotiva e aspektit akademik të universitetit, nëqoftëse do të ketë një grup si grupet e talentit, të artit, të muzikës ju jeni ai grupi që e keni konsoliduar më mirë pjesën e qëndrimit nëpër leksione, ju keni qenë më të mirët sepse keni qëndruar në auditore për të marrë notën më të mirë. Universiteti ka rreth 5000 studentë, ku 3000 janë të ciklit Bachelor, pra ju jeni 100 më të mirët e 3000 studentëve”.

Gëzim Cako, student i bursës ‘Pashko’, por edhe kryetari i rrjetit të ekselencës kthehet pas studimeve Erasmus në Riga. Ai shprehet: “Unë jam dyfish i gëzuar sepse së pari jam edhe unë pjesë e juaja, e 100 studentëve ekselentë, dhe së dyti, që ju përfaqësoj në çdo problematikë, paqartësi apo sugjerim që keni për të rritur cilësinë e universitetit tonë. Ju jeni motori që vini në lëvizje universitetin tonë dhe arsyeja që ai është më i miri vjen prej jush, sepse ju përbëni universitetin, ju jeni më të mirët”.

Shumë studentë provuan për herë të parë emocionin e marrjes së një shpërblimi, një shtyse emocionale, një motivim për përpjekjet e vitit të kaluar akademik, që justifikohet, finalizohet me këtë certifikatë. Nga ana tjetër shumë studentë të tjerë i shtuan dosjes së tyre një certifikatë të dytë apo të tretë. Duhet të kemi parasysh që kjo nismë i përfshin të tre vitet e ciklit Bachelor, ku asnjë nuk mbetet pa u shpërblyer për mundin e tyre.

Prof. Dr. Tonin Gjuraj, rektor i Universitetit Europian të Tiranës, shprehet mbi eksperiencën e tij në UET kështu: “Ndonëse kanë kaluar 12 vite, unë kam pasur fatin të jem Dekani i Parë i Shkencave Sociale kur e kemi themeluar institucionin në vitin 2006, vija nga Shkodra në atë kohë. Unë u shkëputa për një periudhë prej dy vitesh për një eksperiencë diplomatike nga ku shërbeva në Izrael. I gjendur midis pasionit për diplomaci dhe jetë akademike, predominoi kjo e dyta. Dhashë dorëheqjen dhe iu ktheva jetës akademike. Arsyeja e vërtetë që u ktheva në auditor ishte, sepse mendova që po humbisja UET-in, studentët. Thashë po kalojnë vite dhe po më harron institucioni mua e për ta kërkuar vendin që kam pasur do të ishte e vështirë, kështu që më mirë po rikthehem. Dhe u riktheva në UET në vitin 2009″.

Mesatarja më e lartë është ajo 10.00, të cilën nuk e posedon apo zotëron vetëm një student, por disa. Padyshim eventi i ditës së djeshme ishte mjaft i rëndësishëm për universitetin pasi po përzgjidhet ajka e studentëve, individë që bëjnë krenarë pedagogët dhe familjarët e tyre.

Me arritjet më se të kënaqshme, ata justifikojnë shpenzimet monetare të prindërve, pse jo edhe lodhjen psikologjike duke shpresuar për një të ardhme sa më të mire për fëmijët e tyre./A.Kacmoli

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas