Ekonomi, Kryesore

Jo vetëm te ‘Gabi’, në këto dy dyqane shqiptarët shpenzuan 46 milionë euro në 2017-n

62% e shqiptareve deklaruan në Anketën e Cilësisë së Jetës, të realizuar nga Komisioni Europian, se nuk arrijnë që të përballojnë blerjen e veshjeve të reja, më e larta në Europë. Këtë e dëshmojnë dhe importet e veshjeve të përdorura, që  arritën në 24 milionë euro në 2017-n në doganë, duke u dyfishuar në krahasim me 5 vjet më parë, sipas të dhënave nga INSTAT.  Ndërsa vlera e shtuar e këtij biznesi vlerësohet të paktën tre herë më e lartë, duke arritur në mbi 70 milionë euro.

Megjithatë nuk është vetëm Gabi i preferuari i shqiptarëve. Janë dy marka veshjesh të reja,  për të cilat shqiptarët kanë shpenzuar jo pak, por 46 milionë euro në vitin 2017, me një  rritje prej 30% në krahasim me vitin e mëparshëm. Kjo shumë është ndarë përgjysmë mes veshjeve të Zarës e markave të tjera të ITX Albania si dhe LC Waikiki, që janë dy dyqanet më të mëdha të veshjeve në Shqipëri dhe po shohin rritje të fortë vit pas viti.



Të ardhurat e ITX Albania, në pronësi të kompanisë  Zara Holding B.V, që tregton markat Zara, Massimo Dutti, Bershka, Stradivarius etj arritën në 3.07 miliardë lekë në 2017-n (rreth 23 milionë euro), me një rritje prej gati 20% në raport me vitin e mëparshëm, sipas të dhënave nga tatimet. Që kur ka hyrë në Shqipëri në vitin 2013, ITX Albania, ka parë një rritje dy shifrore të të ardhurave vit pas viti, i ndihmuar dhe nga preferenca e shqiptarëve për këtë markë të njohur, që përpara se ajo të hynte në Shqipëri.

Një tjetër markë që ka njohur rritje të shpejtë në Shqipëri është LC WAIKIKI Retail AL, me origjinë nga Turqia, që ka hyrë në Shqipëri që në vitin 2010. Të ardhurat e saj ishin 3.06 miliardë lekë (rreth 23 milionë euro), në vitin 2017, me një zgjerim të fortë prej 43% në krahasim me një vit më parë. E përqendruar në segmentin e tregtimit të veshjeve me çmime të lira,  LC WAIKIKI ka rezultuar e suksesshme në Shqipëri dhe është zgjeruar me shpejtësi vitet e fundit.

Rritja e ITX Albania dhe LC Waikiki si dhe zgjerimi i biznesit të rrobave të përdorura ka goditur dyqanet e vogla, të cilat tregtojnë veshje relativisht të lira. Në sondazhet që Monitor ka zhvilluar vazhdimisht me biznese që kanë bërë kërkesë për mbyllje apo kanë kaluar në status pasiv, një pjesë e konsiderueshme e tyre kanë rezultuar që kanë pasur si aktivitet tregtimin e veshjeve./monitor

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas