Kryesore

“Java Çame”, Idrizi, mesazh të fortë politikës: Trimëroshët e Tiranës zhburrërohen…

Në kuadër të të javës çame, PDIU dhe shoqata ‘Çamëria’ kanë dekoruar ish presidentët Bujar Nishani, Alfred Moisiu si dhe ish kreun e OSBE Ricardo Migliori për kontributin që kanë dhënë për çështjen çame.

“Duart e fqinjit të përfshirë në krim, për fat të keq u zgjatën deri në Tiranë e sot heshtja i ka pllakosur “trimëroshët” e politikës shqiptare që i gafurren njëri-tjetrit si të dehur pas pijes së pushtetit dhe zhburrërohen e të mbesin në dorë, kur ulen përballë Greqisë”, tha kryetari Shpëtim Idrizi.



Nga ana tjetër presidentët thanë se ky është një nder që iu bëhet. Nishani theksoi në fjalën e tij se çështja Çame është çështje prosperiteti dhe çështje e të drejtave të njeriu, është թështje pro shqiptare dhe akush nuk duhet të na kompleksojë në lidhje me këtë.

“Çështja Çame nuk është çështje urrjetjeje dhe hakmarrje, por çështje e drejtësisë, integriteti dhe prosperiteteti. Është një çështje europiane,. Është një çështje proshqiptare dhe askush nuk ka pse të na kompleksojë, askush nuk ka pse të na shantazhojë. Ju falendroj shumë për këtë nder të veçnatë, në këtë javë të veçantë për Çamërinë’, tha ndër të tjera Nishani.

Fjala e plotë e Idrizit:

Kam nderin dhe privilegjin t’ju uroj sot mirëseardhjen në këtë aktivitet që çel siparin e Javës Çame, të cilin këtë vit e kemi quajtur “Çamëria nuk harron!”.

Kemi dashur që përgjatë kësaj jave t’i bëjmë një pengesë të fortë harresës, harresës që na vret si komb, si njerëz, e që shpesh na lë pa një histori të drejtë e pa një mundësi reale për të rregulluar historinë tonë tragjike, e që kësisoj na shënon fort të ardhmen.

Popujt, të cilët kanë vuajtur histori genocidiale si ky i yni, ja kanë dalë të ndryshojnë historinë e tyre pas dhjetra vitesh vetëm falë përpjekjeve të përditshme e sfidës që i kanë bërë harresës.

Kanë kërkuar çdo ditë drejtësinë për to dhe të afërmit e tyre dhe në fund kanë marrë atë çka kanë kërkuar e merituar nga historia… respektin dhe dinjitetin e nëpërkëmbur.

Historia shkruhet me qindra vite për kombet dhe në këtë qindvjeçar ne do duhet të shkruajme me fjalë të arta qëndrese, gjithë dhimbjen dhe vuajtjen e njerëzve tanë.

Do duhet që të shkruajmë e të nderojmë luftën e Çamërisë me pushtuesin gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe bashkpunimin me forcat aleate, të cilën e sjell në librin e tij Hektor Sejko, vepër që do ta përurojmë gjatë javës çame;

Do duhet të sjellim bukurinë e trevës tonë, por edhe tragjedinë e rrënimit që kemi lënë pas e do e shohim në ekspozitën e një grupi piktorësh, një aktivitet i jashtëzakonshëm e për të cilin unë i jam shumë mirënjohës artistëve dhe atyre që e organizuan këtë aktivitet;

Do jemi së bashku për të parë dosjen e hapur “Çamëria” të ish-Sigurimit të Shtetit, e të mund të kuptojmë persekutimin e thellë të komunitetit tonë përgjatë diktaturës komuniste, e më në fund të kthehemi në pelegrinazhin e përvitshëm për të nderuar të parët tanë dhe varret e tyre në Kllogjer.

Nuk ka vend më të dashur e më të trishtuar për ne se varreza monumentale e Kllogjerit… e vetmja varrezë kolektive e atyre përmasave në vend, ku humbën jetën me mijëra burra e gra, pleq e fëmijë, faji i vetëm i të cilëve ish’ se kishin lindur në vendin më të bukur të Shqipërisë dhe që fatkeqësisht u lanë të vetëm në tragjedinë e tyre. Masakrimi i tyre është një plagë e hapur për ne e një vulë turpi për shtetin fqinj, që kriminelëve si Napolon Zerva i ngren buste në sheshet e qyteteve dhe i nderon si heronj.

Na morën shtepitë, tokat, pronat, jetën e më në fund nderojnë rrëmbimin e vrasjen e ky nuk mundet të jetë standart i një vendi anëtar i Bashkimit Europian.

Europa është familja e popujve, e do të thotë respekt per tjetrin, respekt për jetën e pronën, nderim për dinjitetin njerëzor. Të gjitha këto standarte po dhunohen pa asnjë brerje ndërgjegje nga fqinji ynë e po noterizohen nga heshtja e mortit që i ka mbyllur gojën shtetit tonë.

Të dashur miq,

Përgjatë përgatitjes së kësaj jave kam përjetuar shpesh e më shpesh se çfarë do të thotë mundimi i mitit të Sizifit…, se çfarë do të thotë të ngresh gurin e rëndë të kauzës së harruar, të padrejtësisë, vuajtjes dhe persekutimit dhe të mundohesh çdo minutë ta ngjisësh në majën e malit e nga aty të shohësh se si zbret rrokullimthi përsëri në tokë.

Arritëm që politika shqiptare, jo thjeshtë të fliste, po të bërtiste për Çamërinë e të përbetohej se ishte çështje shqiptare e nuk do mund të harrohej, por ndeshëm me tradhëtinë e radhës. Duart e fqinjit të përfshirë në krim, për fat të keq u zgjatën deri në Tiranë e sot heshtja i ka pllakosur “trimëroshët” e politikës shqiptare që i gafurren njëri-tjetrit si të dehur pas pijes së pushtetit dhe zhburrërohen e të mbesin në dorë, kur ulen përballë Greqisë.

Por, unë jam ende gjallë e në këmbë, ne jemi ende gjallë e në këmbë.

Ne pasardhësist e Epirotëve të pamposhtur, nuk përtojmë që ta mbajmë çdo ditë gurin e rëndë që na vendosi historia mbi supe, e ta çojmë çdo ditë në majën e malit, derisa të arrijmë qëllimin… të mposhtim harresën, të rifitojmë drejtësinë e dinjitetin e nëpërkëmbur për të parët tanë, për veten tonë e për fëmijët tanë. Këtë mesazh duhet të ngulisë mirë në mendje, cilido politikan shqiptar apo grek.

Ne nuk harrojmë. Çamëria nuk harron, por shkëmbi i vuajtjes që ne ngremë çdo ditë shumë shpejt do jetë peshë në qafën tuaj.

Historia do rishkruhet me çdo mjet a mundësi e për fat sot familja europiane ka institucione e ligje që nuk i lejojnë vrasësit të kthehen në heronj, e “trimëroshët” të kthehen në hutaqë brenda një nate.

Ne besojmë fort tek demokracia e drejtësia europiane!

Të nderuar miq e të ftuar,

Unë sot ftoj të gjithë shqiptarët, kudo ku i ka vënë Zoti brenda dhe jashtë Shqipërisë Politike të bëjnë të tyren, Çamërinë e Pirros së Epirit, të Dora D’Istrias, Marko Boçarit, Abedin Bej Dinos, Xhavellës e Bubulinës, Hasan Tahsinit, Mitrush Kutelit, Koli Idromenos e Bilal Xhaferrit, si dhe të katër firmëtarëve të pavarësisë së Shqipërisë.

Më lejoni të them dy fjalë për përmbajtjen e aktivitetit të sotëm. Sot, çel rrugën krijimi i një rrethi njerëzish që do të quhen “Miqtë e Çamërisë”.

Jeni ju miqtë e mi e shumë të tjerë që ne do i nderojmë e respektojmë në vazhdimësi. Tashmë, ju e keni bërë Tuajën, Çamërinë e burrave dhe grave që unë përmenda më sipër.
Ky është grupi i parë i personaliteteve, të cilët me fjalën, punën dhe përkrahjen e tyre kanë ndihmuar në nxjerrjen e Çamërisë nga fjalori i harresës, janë ata që kanë treguar se kur një grup njerëzish bëhen bashkë me qëllimin e mirë për të rregulluar historinë e për të treguar dinjitet bashkërisht, kauzat përmbushen, e drejta merr udhë dhe e mira fiton.

Sot, së bashku me nderimin për ta dhe kontributin e tyre, Ju do të merni edhe titullin ambasadorë të Çështjes Çame e jeni të lutur të na përfaqësoni në çdo instancë zyrtare a tavolinë, ku marrni pjesë për të përmbushur qëllimin tonë përfundimtar, zgjidhjen me drejtësi për këtë genocid historik.

Mirënjohje për Presidentin Moisiu, i cili i kërkoi zyrtarisht Presidentit Stefanopulos të nisnin negociata dypalëshe për të gjetur zgjidhjen juridike për popullsinë çame, deklaratë e cila asokohe detyroi shtetarët fqinjë të tërhiqeshin e të mos e quanin të harruar Çështjen Çame, por si një akt që do duhej të zgjidhej.

Nuk mund te mos kujtoj sot i nderuar President Moisiu që Ju, së bashku me të madhin Dritëro Agolli ishit të parët firmëtarë të Peticionit në mbështeteje të Rezolutës Çame.

Faleminderit President Moisiu.

Mirënjohje Presidentit Nishani, për gjithë kontributin e dhënë për të sjellë para opinionit publik e ndërkombëtar përpjekjet në Luftën Antifashiste të shqiptarëve të Çamërisë.

Ne sot kemi rastin t’Ju shprehim mirënjohjen tonë për dekorimin nga ana Juaj të Shoqatës “Çamëria” me dekoratën e lartë të Heroit Kombëtar “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu”.

Faleminderit President Nishani.

Mirënjohje për mikun tonë politikanin e zëvendëskryeministrin e Kosovës, Fatmir Limaj. Vepra e Komandant Çelikut e UÇK-së do jetë burim vlerësimi e frymëzimi për qendresën e popullit të Kosovës e kur je në të drejtën tënde mjafton të besosh e luftosh çdo ditë dhe drejtësia do të vijë një ditë.

Por, miku ynë Limaj ka qenë vazhdimisht me ne në rrugëtimin tonë si mik i mirë, qysh në lindjen e PDIU-së nga bashkimi ynë më 17 Shkurt të vitit 2010.

Faleminderit miku im Fatmir Limaj.

Mirënjohje për mikun tonë, Ricardo Migliori ish-President i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, sot President Nderi i saj, që ka artikuluar qartë zgjidhjen e Çështjes Çame në përputhje me të drejtën Europiane dhe standartet e OSBE-së.

Sot, ne i kërkojmë që të përfaqesojë zyrtarisht problemin çam pranë zyrës së OSBE për minoritetet e përzëna.

Faleminderit zoti Migliori.

Mirënjohje për shkrimtarin e mendimtarin e mbarë trevave shqiptare, Kim Mehmeti, një mik i Çamërisë, jo vetëm me shkrimet e botimet ndjeshmërinë e penës së tij për Çamërinë, por dhe për organizimin e promovimin e Çështjes Çame, kudo ku ka shqiptarë.

Faleminderit miku ynë Kim Mehmeti.

Mirënjohja më në fund shkon për një djalë të ri, gazetar, trim e i papërtuar që na jep shpresë se shqiptari i mirë mund të bëhet edhe më i mirë në brezin e sotëm.

Çdo ditë na bën të kuptojmë me punën e tij se identiteti dhe dinjiteti kombëtar është paradigma e vetme përbashkuese e shqiptarëve.

Marin Mema që nuk ka frikë të futet me apo pa leje në shtetin fqinj e të tregojë të vërtetat e shqiptarëve, trojeve e historisë tonë të rrëmbyer.

Faleminderit Marin Mema.

Shqiptarët e mirë në këtë vend janë shumë. Miqtë e vërtetë të Çamërisë janë më shumë se armiqtë dhe këtu bëhemi shumë zemra bashkë.

Po e mbyll fjalën time duke theksuar fort:

Ne, shqiptarët e Çamërisë nuk kërkojmë shpagë, ne duam të falim.

Ne nuk duam luftë, po kërkojmë paqen, që të jetojmë si fqinj të mirë me grekët.

Ne nuk duam ndryshim kufijsh, por ne duam të kthehemi në vatanin tonë, në shtëpitë tona.

E kjo është çështje kohe e është aq afër, sa ne punojmë përditë, tashmë me miqtë e Çamërisë!

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



Pas