Kryesore, Mapo Letrare

‘Jam pa perëndi. E kam gjoksin e zbrazur…’, zbulohen shënimet e shkrimtarit të madh

Viteve ’90 po u vinte fundi dhe një tjetër fund ndihej në ajër. Diktatura, si një kafshë e plagosur, shkaktonte viktimat e fundit.

Por kishte jetuar gjatë dhe pasojat dhe varret që kishte hapur ishin të thella, ndoshta të pashërueshme. Varfëria e njerëzve nuk mund të mbulohej dot më. Por po aq e dhimbshme ishte edhe varfëria shpirtërore.



Ndalimi i besimit fetar qysh në vitin 1967, u kishte mohuar shqiptarëve të kishin shpresë, të besonin përtej së prekshmes.

E ndonëse Dritëro Agolli besonte te letërsia, dukej se e vuante mungesën e besimit në Zot. Kështu shkruan ai në shënimet e mbajtura mes viteve 1988-1990. “Unë jam pa perëndi. E kam gjoksin e zbrazur”.

Asokohe e kishte të ndaluar ta thoshte hapur këtë, ndaj e mbajti ndryrë në shënimet e tij, të publikuara nga e bija, Elona.

SHËNIMET

Ai e kishte vështrimin e mprehtë. Gazetaria ishte profesioni i tij, por syri i gazetarit e ndihmonte edhe në shkrimtari, në ndërtimin e ngjarjeve, vizatimin e karaktereve… Ishin detajet ato që e bënin diferencën. Dhe prej këtij vrojtimi dhe ndjeshmërie, veprat e Dritëro Agollit janë aq të pasura, me ngjyra të gjalla, si të shikoje vetë jetën.

Dritëro Agolli pati mundësi të botonte shumë në gjallje dhe ta thoshte të vetën nëpër biseda e faqe të shtypit, por duket se s’kanë të sosur shënimet e Dritëroit. E bija, Elona, teksa vazhdon të rrënojë nëpër shënimet e të atit, herë pas here ndesh nëpër blloqe e fletore, gjëra të atilla dhe nuk i reziston dot tundimit që t’i ndajë me të tjerët.

Thuajse çdo ditë, ajo boton poezi e faksimile të shënimeve të Dritëroit, aq sa duket sikur ai është i pranishëm më shumë se kurrë. Dje, ajo ka publikuar disa copëza shkrimesh, që datojnë përpara rënies së komunizmit. Ndonëse ishte i majtë në bindje, madje për shumë vite kishte drejtuar Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve, një organ me shumë autoritet përpara viteve ’90, ai nuk e kishte të vështirë të shquante problematikat.

Faksimile të shënimeve të mbajtura nga Dritëro Agolli, gjatë viteve 1988-1990
Faksimile të shënimeve të mbajtura
nga Dritëro Agolli, gjatë viteve 1988-1990

Ato i haste kudo ku shkonte me bllokun e gazetarit dhe mbante shënime nga ato që shihte apo ia tregonin. Elona i ka quajtur “thagma të komunizmit”, sepse të atilla ishin në atë kohë dhe vazhdojnë të mbeten. Madje, sot, marrin edhe më tepër një karakter qesharak dhe të pabesueshëm.

“Thagmat e komunizmit në shënimet e Dritëroit. Blloku shënjon në faqen e parë ‘Shënime, 1988- 1990’. I ruajtur së bashku me blloqe të tjera të vogla: shënimet e gazetarit, shënime udhëtimesh, ngjarje për tregime, aforizma e thënie (syresh mjaft të guximshme për t’u shkruar e ruajtur) shënime me kuriozitete nga shtypi ndërkombëtar apo lajmet e ATSH, etj”, shkruan Elona Agolli.

Përmes këtyre shënimeve shprehet shqetësimi i Dritëroit për gjithfarëlloj temash, që kishin të bënin me jetën në fshat, me kulturën, vëzhgime që lidheshin me përditshmërinë e shqiptarëve, me mungesën e kulturës shëndetësore… “Në vendin tonë shpenzohen një milion e gjysmë tubeta dhëmbësh në vit. D.m.th, gjysmë tubete në vit për frymë. Aq pak sa s’bëhet!”, shkruan në fletoret e tij Dritëroi.

“THAGMAT E KOMUNIZMIT”

Si një devolli, bir fshatari, që nuk e mohoi asnjëherë lidhjen me vendlindjen dhe me tokën, Dritëro Agolli duket se ishte i shqetësuar për atë që ndodhte në fshat. Edhe për atë ishte e pakuptueshme se si fshatarit t’i hiqej e drejta mbi tokën, të prodhonte, të mbillte e të korrte, të rriste shpezë në oborr.

Këtë dëshmojnë edhe shënimet në fletoret e tij, të shkruara mes humorit dhe keqardhjes. Ndërsa e vlerësonte shumë punën që pa gdhirë, mirënjohje që e shpreh përmes këtë aforizëm: “Zgjohet dielli mbi pikën e parë të djersës”, shkruante ai.

“PULA E DETIT”

Ishte ndaluar të mbaje në fshat pula e gjela deti. Njëri e mbante fshehurazi. E mori vesh kryetari i këshillit dhe shkuan me dy-tre veta për t’ia hequr.

-Është klloçkë. Është mbi vezë!,-tha i zoti i shtëpisë.

-There! S’duhet ta mbash.

Donte, s’donte, e theri në sy të tyre dhe e hodhi, pasi klloçka nuk hahet.

(Gegë Gjoka -Troshan, Lezhë)

Burimi: http://www.panorama.com.al/jam-pa-perendi-e-kam-gjoksin-e-zbrazur-zbulohen-shenimet-e-driteroit/

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



Pas