Kryesore, Politika

Ja përgjimet për deputetin e PS që njoftoi Shullazin për hetimin

Pas një hetimi të nisur kryesisht në shkurt të 2016-s, Prokuroria për Krime të Rënda vuri nën përgjim dhe vëzhgim Emiljano Shullazin dhe miqtë e tij.

Mes dhjetëra telefonatave të përgjuara, dy prej tyre tërhoqën vëmendjen e prokurorëve. Në rrjetën e përgjimit kishte rënë Jurgis Çyrbja, ish-zyrtar i lartë i Hipotekës në Durrës, aktualisht deputet i Partisë Socialiste.



Referuar dosjes hetimore, rezulton se menjëherë sapo një oficer i Policisë Gjyqësore shkoi në zyrat e Hipotekës në Durrës për të sekuestruar praktikën e regjistrimit të ish-hotel Vollgës, Çyrbja telefonon Gilmando Danin, i konsideruar si krahu i djathtë i Shullazit. Ligjvënësi e informon atë, se Prokuroria ishte vënë në lëvizje dhe shprehte shqetësim për këtë fakt.

“E kemi keq punën. Lidhet me detyrën time”, dëgjohet Çyrbja t’i thotë të pandehurit. Po atë ditë, prokurorët e ftuan Çyrbjan të jepte shpjegime në cilësinë e personit që kishte dijeni për rrethanat e hetimit. Pasi mbaron rrëfimin e tij, pa kapërcyer rrethimin e godinës së xhamtë, ligjvënësi telefonon sërish Gilmando Danin dhe i kërkon të takohen.

Nga ai moment, deputeti dhe i dyshuari nuk rezultoi të kenë folur më në telefon. Pak muaj me vonë, Çyrbja u ballafaqua në sallën e gjyqit me Shullazin dhe të pandehurit e tjerë, duke dhënë dëshminë e tij. Ai foli asokohe edhe për një takim që kishte pasur me Emiljano Shullazin, për çështjen e ish-hotel Vollgës, por nuk pranoi të kishte pasur komunikime me miqtë e tij përmes telefonit, ku i informonte për gjithë sa ndodhte. Prej atëherë ka kaluar jo pak kohë.

Çyrbja vazhdon i qetë jetën parlamentare. Ndërkohë, Shullazi dhe miqtë e tij, ndaj të cilëve rëndojnë akuza të rënda, si gjobëvënie apo shkatërrim prone me eksploziv, presin shtatorin për të dëgjuar pretencën e Prokurorisë.

Në këto muaj, kur vetingu në gjyqësor ka dhënë frytet e para e pritet që ky proces të nisë edhe në Polici, pyetja e madhe që shtrohet është: A ka ardhur koha për veting në politikë?

Çyrbja dëshmoi vjet në gjyqin e Shullazit

Jurgis Çyrbja, ish-kreu i Hipotekës së Durrësit, aktualisht deputet i Partisë Socialiste, ka dëshmuar në korrik të vitit të kaluar në gjyqin që vazhdon të zhvillohet në Gjykatën e Krimeve të Rënda kundër Emiljano Shullazit dhe të pandehurve të tjerë. Ai deklaroi para Gjykatës se kishte vetëm pak kohë që kishte marrë detyrën e kryeregjistruesit të Durrësit, kur ka zhvilluar një takim me shtetasin Ylvi Beqja.

Sipas tij, takimi është zhvilluar në godinën e Hipotekës dhe se diskutimi është bërë për regjistrimin në Hipotekë të ish-hotel “Vollgës”, që pretendohet se ishte në pronësi të Beqajt. Deputeti i PS pranoi para Gjykatës se ishte takuar për këtë çështje me Emiljano Shullazin dhe Gilmando Danin, të cilët kanë shfaqur interes për regjistrimin e kësaj pasurie. Ky takim me Shullazin, sipas tij, ishte bërë pranë shtëpisë së tij në Shijak./Panorama

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas