Aktualitet

Ish-kreu i ARRSH, kërkon sërish lirimin

Ish-kreu i ARRSH-së, Dashamir Xhika, kërkon lirinë në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Xhika është në burg prej muajsh, së bashku me dy ishdrejtuesit e Njësisë së Menaxhimit të Projektit për rrugën Tiranë-Elbasan. Kërkesa për rivlerësim mase të sigurisë do të shqyrtohet nga gjyqtarja Ilirjana Olldashi.

Kjo është e disata herë që ish-kreu i ARRSH-së kërkon të lirohet nga burgu. Ai është në gjykim edhe për një çështje tjetër të abuzimit me rrugët në Elbasan. Bëhet fjalë për abuzimin me rrugën Gjinar-Elbasan. Dëmi i përllogaritur nga Prokuroria për abuzimet me tenderët dhe amendimet e kontratave me kontraktorët shkon në 37 milionë dollarë.



Sipas mbrojtësve të Xhikës dhe Alites, ish-drejtuesit e Njësisë së Zbatimit të Projektit për rrugën Tiranë-Elbasan, konstatimi i Gjykatës së Krimeve të Rënda se Xhika ka bërë amendime të kontratave pa marrë miratimin e bordit drejtues të ARRSH-së është i pavlefshëm. “Gjykata citon dhe arsyeton në vendimin e saj se nga ish-drejtuesi i ARRSH-së është nënshkruar amendimi i kontratës në kundërshtim me pikën 8.2 të Rregullores së Brendshme të ARRSH-së, pasi ky urdhër ndryshimi përbën plotësime e përmirësime të rëndësishme të projekt-zbatimit si dhe modifikime e shtesa të rëndësishme (vlera e lartë) të propozuara dhe si e tillë duhej të miratohej më parë nga Këshilli Teknik dhe Bordi për menaxhimin e këtij projekti.

Nëse do t’i referohemi Marrëveshjes “Istisna” dhe konkretisht Seksioni 3 përcaktohet se “Agjenti (KM), pa miratimin paraprak me shkrim të IDB-së, nuk do të bëjë asnjë amendim, ndryshim ose modifikim të kontratës që mund të: a) rezultojë në rritje të çmimit të kontratës; ose b) në një shtyrje të datës së përfundimit; ose c) në një ndryshim të specifikimit; ose d) të mos jetë në përputhje me praktikën e mirë të zakonshme”, thuhet në rekurs. Po kështu, mbrojtja pretendon se për shkeljet nuk ka asnjë aktekspertim real dhe konkret.

Raport-Auditi i realizuar nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë nuk përbën një provë, nuk është një objekt prove dhe nuk është në kushtet e nenit 151, përkundrazi ky është raport ka qenë materiali kallëzues, pra, organi i Akuzës dhe gjykata kanë legjitimuar me cilësinë e provës një material kallëzues, sipas mbrojtjes. Avokati thotë se gjatë kërkesës për caktimin e masës së sigurimit personal nga ana e organit të Akuzës nuk është provuar që i pandehuri të ketë vepruar me dashje, me qëllim përfitimi për veten e tij apo/dhe për persona të tretë.

Në këto rrethana vërejmë se, nuk mund të provohet lidhja shkakësore mes veprimeve të të pandehurit dhe ardhjes së pasojës, e cila sikundër theksuam më sipër është tepër e dyshimtë. Më tej, mbrojtja pretendon se akuza e shpërdorimit të detyrës nga një ish-funksionar i shtetit, nuk është kompetencë lëndore e Gjykatës së Krimeve të Rënda. Mbrojtja pretendon se Xhika është i parrezikshëm për shoqërinë dhe se nuk ka arsye apo rrezik që ai të largohet jashtë vendit. “Rreziku i ikjes nuk mund të matet vetëm në bazë të rrezikut të peshës së dënimit”, argumenton mbrojtja.

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas