Dikur, Kryesore

Ish-deputeti socialist: Ja çfarë ndodhi në zyrën e Metës ditën e bombardimeve të NATO-s…

Ish-deputeti socialist, Taulant Dedja, kujton ditën e nisjes së bombardimeve të NATO-s mbi Beograd 19 vjet më parë, më 24 Mars 1999. Në një shkrim të tij të postuar në portalin “flasshqip.ca”, Dedja në atë kohë ishte i dërguari i qeverisë “Nano” për të menaxhuar krizën humanitare të kosovarëve në Kukës dhe Tropojë, numri i të cilëve arriti në 600 mijë vetë.

Bombardimet e NATO-s e kanë gjetur në krye të një delegacioni parlamentar në parlamentin holandez, ndërsa kujton se godina e qeverisë shqiptare në Tiranë ishte kthyer në një qendër emergjence ku kryqëzoheshin informacionet e fundit. Ai kujton dhe një takim në Rinas me delegacionin kosovar që kthehej nga konferenca e Rambujesë.



“Ishim nisur nga Tirana pikërisht ditën që në Rinas ndaloi edhe delegacioni i Rambouille-së, që kthehej pas përfundimit të bisedimeve në Francë. Aty nuk mungoi dhe një përqafim e shtrëngim duarsh me shumë prej personazheve, grup të cilin kishte dalë ta takonte edhe Presidenti Mejdani e ministri i Jashtëm, Paskal Milo. Mbaj mend dhe faktin që, i ndjeri Presidenti Rugova nuk doli nga avioni…”, kujton Dedja.

TAULANT DEDJA:

Në fund të viteve ‘90-të, ngjarje të vrullshme përmbysën një realitet të zymtë për shqiptarët e ish-Jugosllavisë dhe prodhuan zgjidhje deri atëherë të paimagjinuara më parë. Asokohe, alternativa e vetme e vendimmarrësve politikë serbë dhe e një regjimi në grahmat e fundit ishte t’ua bënte jetën të padurueshme shqiptarëve të Kosovës deri në atë pikë sa ata të largoheshin vetë nga toka e tyre.

Nëse kjo nuk do të ndodhte, regjimi do ta realizonte reformën e serbizimit përmes një pastrimi etnik me një fushatë dhune shtetërore. Dhe kjo ishte fare e thjeshtë për ta, sepse mundej të gjendej një “arsye” për të nisur luftën me shqiptarët e Kosovës. Deri në momentet kur përpjekjet paqësore të Ibrahim Rugovës rezultojnë të pafrytshme, përplasja erdhi duke u intensifikuar gjithnjë e më tepër.

Për rrjedhojë logjike, në pranverën e vitit 1998 shpërtheu konflikti i parashikuar serboshqiptar. Qytete e fshatra të plaçkitura apo të shkatërruara. Civilë të vrarë. Gra e fëmijë të përdhunuar e masakruar. Mijëra të tjerë kthyer në refugjatë, në një marshim epik morën drejtimin për nga shteti amë, Shqipëria. Tropoja (BajramCurri), ku u strehuan fillimisht rreth 30.000 refugjatë, u kthye në qendër të vëmendjes së diplomacisë europiane, por jo vetëm.

Aty mbërritën që nga ministri Jashtëm i RFGJ-së, Hans Klaus Kinkel, ministri i Jashtëm i Turqisë, Hikmet Çetin, Kreu i Komisionit të Mbrojtjes së Parlamentit të Zvicrës, Muhlemann, e deri oficerë të shërbimeve të NATO-s, për njohjen nga afër të asaj që po ndodhte e për përgatitjen e asaj që do ndodhte më pas… Fati e pat sjellë të isha asokohe aty me detyrë si i dërguar nga Qeveria “Nano”. Pak nga pak, rezistenca e fuqishme e kosovarëve të keqarmatosur përballë ushtrisë të pajisur mirë të serbëve, u kthye në një lëvizje të organizuar nga UÇK-ja, e cila udhëhoqi rezistencën shqiptare.

Ky konflikt duhej zgjidhur. Kësisoj, shqiptarët ia arritën të zgjonin dhe të vënë në pikëpyetje të gjitha politikat e status quo-të e ndërkombëtarëve, të cilat deri në atë moment veç kishin shtuar shkaqet e urrejtjeve dypalëshe. Në një situatë të tillë, nga zjarri i rezistencës për liri e me mbështetjen e fuqishme të SHBA-ve, partnerëve të saj dhe NATO-s, u shtrua rruga drejt krijimit të shtetit më të ri të Europës.

Në këtë rrugë, data 24 Mars 1999 mbetet emblematike. Pikërisht atë ditë nisën bombardimet e forcave aleate ndërkombëtare mbi Serbinë, në emër të mbrojtjes së të drejtave të njeriut, të mbrojtjes së të drejtave të një populli që po masakrohej për të disatën herë. Ndodhi që atë ditë të gjendesha në Parlamentin holandez në krye të një grupi politikanësh dhe ekspertësh për këmbim përvojash në mbështetje të reformës së decentralizimit të nisur nga qeveria shqiptare.

Ishim nisur nga Tirana pikërisht ditën që në Rinas ndaloi edhe delegacioni i Rambouille-së, që kthehej pas përfundimit të bisedimeve në Francë. Aty nuk mungoi dhe një përqafim e shtrëngim duarsh me shumë prej personazheve, grup të cilin kishte dalë ta takonte edhe Presidenti Mejdani e ministri i Jashtëm, Paskal Milo. Mbaj mend dhe faktin që, i ndjeri Presidenti Rugova nuk doli nga avioni …

Ditën e 24 Marsit 1999, me mua në Hagë ndodhej edhe Bamir Topi, përfaqësues i opozitës në grupin e ekspertëve për decentralizimin së bashku me kryetarin e Bashkisë Elbasan, Engjëll Dakli, por edhe eksperti Artan Hoxha nga Instituti i Studimeve Bashkëkohore e disa kolegë të tjerë. Një grup, të cilin përsëri fati e pat sjellë ta drejtoja unë, në cilësinë e zv.ministrit për Pushtetin Lokal të Qeverisë “Majko 1”.

Pikërisht në ambientet e Parlamentit Holandez mësuam për nisjen e sulmit ajror, që do të zgjaste plot 78 ditë. Madje mësuam edhe faktin që piloti i parë që kish nisur atakun ishte nga Forcat Ajrore të ushtrisë holandeze. Emocionet ishin të mëdha, i kujtoj si tani. Nuk flisnim më për asgjë tjetër … Nuk munguan as telefonat me Tiranën, as kontaktet me Ambasadën.

Në konsultim më eprorët, mikpritësit dhe kolegët e grupit, mora menjëherë vendimin për ndërprerjen e vizitës dhe kthimin në atdhe në kushtet e një situate të jashtëzakonshme. Ministria ku unë punoja ishte direkt përgjegjëse për menaxhimin e situatës në terren, ndërkohë që drejt Shqipërisë kishte nisur fluksi i dytë i refugjatëve, që do të kapte më pas shifrën e mbi 600 000 njerëzve. Nëse krahasojmë raportet numerike, është njëlloj sikur në Kanada të zbarkojnë brenda dy javëve 6 milionë refugjatë. Gjithçka u zgjidh shpejt, me një ndryshim të vogël në kthim. Nuk do mund të zbrisnim në Rinas, sepse aeroporti ishte mbyllur për shkak të situatës.

U nisëm nga Amsterdami drejt Zyrihut. Nga Zyrihu drejt Selanikut. Befas, teksa fluturonim mbi Itali, avioni bën një devijim të papritur e na njoftojnë se do të zbresim në Vjenë për t’u furnizuar me karburant. Kuptohej, nuk u dha shkaku i vërtetë. Me sa duket, avioni kish marrë urdhër të devijonte trajektoren për shkak të situatës së bombardimeve mbi Serbi dhe lëvizjeve të shumta të avionëve luftarakë.

Fluturuam më pas mbi Rumani, Bullgari e Turqi për të zbritur gati ndaj të gdhirë në Selanik. Gjithçka u rrokullis shpejt pas atyre dy netëve fare pa gjumë. Fluturimthi me taksi drejt Kapshticës, ku më priste shoferi i dikasterit. Më pas, drejt e në zyrën time për të marrë dosjen “Kosova” e për të shkuar me një frymë në Kryeministri. Aty asgjë nuk ngjante më me një seli qeverie ku mbizotëron solemniteti dhe qetësia. Të gjithë ishin aty, përveç Ilirit (Metës), i cili siç mësova, ishte nisur drejt Kukësit së bashku me Vladimir Shehun. Zyra e Zv. kryeministrit Meta ishte shndërruar në një “miniqendër emergjence”, ku hynin e dilnin shumë njerëz … shqiptarë e të huaj.

Aty ishte Pandi, eprori dhe shoku im, Kryeministri kurajoz 30-vjeçar mbi supet e të cilit binte e gjithë përgjegjësia në ato momente dramatike të papërsëritshme. Ishte Ndre Legisi, Ermelinda Meksi, Kastriot Islami, Ylli Bufi, Arben Demeti e Genc Likskëndaj. Të më ndjejnë ata që nuk po i rendis me emra në këtë moment. Ishte dhe Ambasadori i OSBEsë, Dan Everts, diplomat i shkëlqyer holandez me aq kontribute për shqiptarët. Vazhdimi njihet nga të gjithë …

Ajo që më mbetet të them sot është që kurrë nuk do ta harroj atë Mars 1999, kohë që çeli rrugën përfundimisht për çlirimin e Kosovës martire. Ajo që nuk mund të le pa përmendur është ndihma e madhe që populli i Republikës së Shqipërisë i dha Qeverisë, duke hapur dyert për vëllezërit nga Kosova. Nuk mund të harroj as angazhimin e të gjithë të zgjedhurve lokalë, nga Veriu në Jug.

Falë këtij solidariteti të jashtëzakonshëm që u ngrit mbi çdo lloj bindjeje politike, ne ja dolëm!

Mirënjohje dhe respekt për të gjithë ata, me të cilët në atë periudhë të papërsëritshme kam ndarë momente gjithashtu të papërsëritshme./BW/

<
>
dedja dedja-meta-nano taulant-dedja-ok auto_kosova-ne-focus-news-735x40015220515461522051550-600x327 deda-nano
PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



Pas