Ekonomi, Kryesore

Investitorët që po ndërrojnë timonin

Sigurisht që struktura e investimeve në Shqipëri është e përqëndruar në tregti e shërbime të thjeshta. Por, vitet e fundit, veçanërisht ndikuar nga kriza financiare ndërkombëtare, shumë sipërmarrës po reflektojnë si të qëndrojnë në treg, duke riorientuar investimet e tyre në fusha të tjera.

Mund të keni dëgjuar vërdallë të thonë: “Nuk është e lehtë tashmë të bësh biznes!”. Kjo nënkupton se nuk jemi më para 15 apo 20 vitesh, kur mjaftonte të blije diku e të shisje diku tjetër për të fituar.



Sigurisht, tregtia vijon të jetë dhe ndërmjetësimi prodhues-konsumator po merr rëndësi edhe më të madhe, duke u specifikuar e specializuar. Tashmë, blerësi edhe pse ende “i uritur”, është bërë shumë më i zgjuar se dikur (për shkak të njohurive shumë më të mëdha që mund të kishte ndaj disa viteve më parë).

Tregtarë e sipërmarrës në vend, janë rritur bashkë me bizneset e tyre, kanë mësuar, aq sa për të qenë të zgjuar të kuptojnë se ku duhet të zgjerohen, në çfushë duhet të zhvendosen, apo çfarë experience të re mund të nisin.

Samir Shqarri, ëshë djali i një familje tregtare, që prej vitesh shiste veshje në një dyqan në rrugën Myslym Shyri në Tiranë. Prej rreth një viti, ai bashkë me familjen kanë hapur një restorant afër rreth rrotullimit “Zogu Zi” pasi e kanë mbyllur dyqanin.

I quajtur “Mama’s Bistro”, restoranti parashikon të ofrojë vakte të shëndetshme e jo shumë të shtrenjta për njerëzit. Është një zgjidhje për punonjësit nëpër zyra, për vizitorë në Tiranë, apo edhe për një takim mes miqsh.

Ideja ishte e Samirit, “po binte xhiro e butikut. Me ngritjen e taksave nga 2013-a patëm edhe presionin për të kaluar si biznes i madh. I gjithë aktiviteti gjeneronte thjeshtë një rrogë të mirë, por s’kishe çtë ndaje”, thotë ai.

Ai tregon se, “Ideja për këtë lloj biznesi lindi duke parë zonën me zyra dhe mundësinë për t’u ofruar një drekë, ambient të këndshëm cilësi të pranueshme dhe çmim jo të shtrenjtë. U nisëm për diçka më të thjeshtë se aq, por u shtymë për të bërë diçka të plotë, thotë Samiri.

Familja e tij, e cila gatuan e shërben përkrah punonjësve, ka vendosur të respektojë një rregull: të furnizohet vetëm me produkte vendase, mish, vaj ulliri vendi dhe produktet e baxhos. “Mishin e viçit e marrim nga Shkodra, pulët në Seman të Fierit. Ndërsa baxho ku furnizohet me bulmet është rrugës për në Skrapar. Vajin e ullirit e merr në Berat dhe për të përmbyllur ciklin e punës, mamaja e tij bën disa specialitetite. Ekonomiste në profesion, ajo gatuan për restorantin, disa gatime që bën edhe në shtëpi për djalin dhe familjen e saj. Dora e familjes në biznesin e ri, në një fushë tërësisht të ndryshme nga tregtia, ndihet kudo. Motra arkitekte ka projektuar dhe realizuar një investim që shkon në 100 mijë euro.

Nga ndërtimi, në co-working space

Ogert Gjata, është marrë me ndërtime prej vitesh, po së fundi, ka zgjedhur të menaxhojë disa nga pronat e tij, duke sjellë alternativa të reja për tregun e zyrave të punës. Në zonën e ish Bllokut, një profesionist i lirë, apo një grup profesionistësh mund të vendosin në mënyrë kreative të zhvillojnë punën e tyre në zemër të kryeqytetit. Dutch Hub Tirana, është konceptuar duke krijuar të gjitha facilitetet e një zyre pune.

Sipërmarrësi i këtij biznesi të ri, tregon se ambienti do t’u mundësojë kryesisht sipërmarrësve të rinj apo profesionstëve të mund të zhvillojnë punën e tyre, por edhe të ndajnë ide e mundësi bashkëpunimi mes njëri-tjetrit. Një ambient që ofron disa tavolina pune, sallë mbledhjesh, apo edhe mundësinë për të punuar apo konsumuar diçka në verandë, duket një mundësi relaksuese për pushime. Krahas qerasë mujore, ambienti mund të shfrytëzohet edhe përkundrejt pagesave ditore, apo për aq kohë sa i nevojitet klientit, apo edhe vetëm thjeshtë për një mbledhje.

Të tilla ambiente në Tiranë janë disa tashmë. Ashtu siç ka dyqane, apo pika shpërbimi specifike, siç janë bio-shop, dyqanet ku mund të merrni një lëng frutash të sapo shtyrdhur e të shkoni në punë.

Të gjitha këto janë shenjë e një kundër tendence të biznesit të bërë ndër vite. Sipërmarrësit e këtyre nismave të reja vështirë të ankohen për qeverinë, shokët, kolegët apo konkurentët. Ata janë të zënë me punë./Albana Muçaj/ Businessmag.al/

/Artikulli u publikua më parë në faqen 49 të numrit 17 të revistës Business Magazine Albania. Business Magazine Albania është revista e parë dixhitale me përmbajtje origjinale në shqip të orientuar nga fusha e biznesit. 

 

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas