Kryesore

Investigimi / Spitalet më shumë pastruese dhe shoferë, sesa mjekë

Fiks Fare vëzhgoi disa spitale rajonale dhe bashkiake, ku rezultoi se më shumë kishte sanitare dhe staf mbështetës sesa mjekë. Shërbimi spitalor në Shqipëri përbëhet nga 5 spitale universitare, 11 rajonale dhe 24 bashkiake.

 Fondi i Kujdesit Shëndetësor, vit pas viti analizon koston mesatare të trajtimit për pacient. Mesatarisht, kjo kosto shkon rreth 40 mijë lekë për pacient në spitalet universitare në Tiranë. Por, në spitalet e rretheve kostoja shkon deri në 10 herë më lartë. Kostoja më e lartë është në spitalet e Peqinit, Mallakastrës dhe Delvinës, që kanë kosto deri në 10 herë më të larta se mesatarja.

Sipas Fondit, kostoja rritet për shkak të stafeve të mbi fryra të këtyre spitaleve. Megjithëse mungojnë mjekët specialistë, këto spitale kanë më shumë staf mbështetës se personel mjekësor.



Fiks Fare vëzhgoi disa spitale në rrethe, ku rezultoi se pjesa më e madhe e punonjësve janë në administratë, sanitare, shoferë, staf teknik dhe në hoteleri.

Valentina Disha, përgjegjëse e sektorit të burimeve njerëzore në Spitalin e Korçës, thotë se ky spital një 545 punonjës. Nga këta, 73 mjekë, 274 infermierë, 73 sanitarë, 3 pastrues territori, 35 sektori teknik, 25 hoteleri. Sipas saj, mungojnë 3 mjekë reanimatorë, një reumatolog, një neurolog, një i mjekësisë së përgjithshme dhë një infeksionist.

Ndërkohë, Nevjana Buzani, thotë se në Spitalin Rajonal të Elbasanit janë 599 punonjës. Nga këta 100 janë mjekë, 320 infermierë, shërbimi sanitar ka 68 persona dhe 3 mirëmbajtës së ambientit të jashtëm. Sipas saj, administrata ka 108 persona.

Në Spitalin Bashkiak të Librazhdit janë 160 punonjës, 11 mjekë, 78 infermierë, 18 sanitare, 7 shoferë, 7 laborantë dhe 2 imazheri, ndërsa pjesa tjetër janë punonjës të administratës. Aktualisht, në këtë spital mungojnë mjekë radiolog, infeksionistë, dermatolog, mjek i grykëve dhe i veshëve. Është një mjek okulist, i cili ka një kontratë të pjesshme me spitalin, megjithëse ka dalë në pension. Mungojnë gjithashtu një mjek kardiolog, endokrinolog dhe urolog. Ndërkohë, në Spitalin e Përrenjasit, mungon një mjek urgjence.

Sipas drejtorit të Spitalit të Pogradecit, Erjon Thëngjilli, janë 220 punonjës. “Kemi 30 mjekë, 21 punonjës administrate, 14 laborantë, 110 infermiere, 20 sanitare, 10 shoferë, 8 janë pjesa e kuzhinës. Kemi fizioterapsit, koordinator urgjence. Aktualisht ne vazhdojmë me një strukturë të miratuar nga Ministria e Shëndetësisë. Kemi një mungesë për një mjek kirurg, i cili ka paraqitur dorëheqjen për arsye shëndetësore. Spitali u vjen në ndihmë rreth 90 mijë banorëve” thotë ai.

Në Spitalin e Fierit, sipas Rajmonda Nushit, drejtore e burimeve njerëzore, janë 522 të punësuar. “Kemi 89 mjekë, 258 infermierë, ku futen dhe laborantët, mamitë etj. Sanitarët janë në sektorin e shërbimit mjedisor dhe janë 64 sipas strukturës. Mungojnë mjekë pediatër, kardiologjia, neurologjia, imazheri” thotë ajo. Në Spitalin Bashkiak të Përmetit, janë 90 punonjës. Adelina Skraparlliu, specialiste e burimeve njerëzore, thotë se janë vetëm 9 mjekë, 9 punonjës administrate dhe 53 infermierë. Ndërkohë, janë 28 punonjës janë në sektorin mbështetës dhe sanitare. Skraparlliu thotë se të gjitha mungesat i kanë zgjidhur me sistemin e patronazhit, ndërsa mungon vetëm reanimatori. “Kemi sallë operacioni, por nuk bëjmë dot operacione” thotë ajo.

Fiks Fare shkoi edhe në Spitalin Rajonal të Lezhës. Valbona Prenga, nëndrejtore teknike, thotë se spitali ka 390 punonjës, ndërsa shërbimi spitalor ka 220 persona. “Shërbimi administrativ 29 veta dhe shërbimi mbështetës ka 68 veta. Kemi 43 mjekë, ndërsa kemi mungesë të një mjeku kirurg, mjeku neonat. Do kishim dëshirë të kishim shtesa te laborantët. Laboratorin se kemi 24 orë. Ne i shërbejmë një popullsie prej 220 mijë banorësh” thotë Prenga.

Ndërkohë, Fiksi shkoi edhe në Spitalin Rajonal në Shkodër. Drejtori i spitalit, Vilson Masmalaj, i zgjedhur para pak muajsh me konkurs, nuk pranoi të japë informacion për të punësuarit. Masmalaj, i cili ka mbaruar administrim biznesi dhe në zgjedhjet e fundit parlamentare ishte kandidat për deputet në Shkodër, i kërkoi grupit të “Fiks Fare” të bënin një kërkesë me shkrim për këtë informacion.

Pyetjes së gazetarëve nëse në këtë spital janë 160, ai tha se jo, ndërsa nuk përmendi shifër tjetër. “Të lutem, na u drejto me një shkresë dhe unë do ta kthej brenda ditës së sotshme” tha ai. Gazetarët bënë një kërkesë, e depozituan në sekretari. Pas disa orësh, Spitali i Shkodrës nuk dëgjoi të japë një informacion. Ai tha se spitali ka 718 punonjës, ndërsa nuk dha asnjë detaj.

Fiksi shkoi në Spital në përfundim të orarit zyrtar të punës, ku takoi sërish drejtorin Masmalaj, duke i kërkuar pikërisht statistikat. Drejtori nuk u përgjigj, ndërsa në orën 16.30 doli nga zyra dhe me telefon në vesh u largua. Fiksi e shoqëroi deri te makina dhe i kërkoi pikërisht informacionin, për të cilin drejtori tha se do kishte një përgjigje brenda asaj dite. Ai tha se informacionin do e merrnin për 10 ditë, por edhe sot, kur kanë kaluar më shumë se 1 muaj e gjysëm nga bërja e kërkesës, Fiks Fare nuk ka ende përgjigje.

PUNONJËSIT NË SPITALE

Spitali Rajonal i Korçës
545 punonjës
73 mjekë
274 infermierë
136 staf mbështetës
Pjesa tjetër administratë

Spitali Rajonal i Elbasanit
599 punonjës
100 mjekë
320 infermierë
179 staf mbështetës
Pjesa tjetër administratë

Spitali Bashkiak i Librazhdit
160 punonjës
11 mjekë
78 infermierë
34 staf mbështetës
Pjesa tjetër administratë

Spitali Bashkiak i Pogradecit
220 punonjës
30 mjekë
110 infermierë
73 staf mbështetës
Pjesa tjetër administratë

Spitali Rajonal i Fierit
522 punonjës
89 mjekë
258 infermierë
64 staf mbështetës
Pjesa tjetër administratë

Spitali Bashkiak i Përmetit
90 punonjës
9 mjekë
53 infermierë
28 staf mbështetës
Pjesa tjetër administratë

Spitali Rajonal i Lezhës
390 punonjës
43 mjekë
220 infermierë
68 staf mbështetës
Pjesa tjetër administratë

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas