Politika

Intervista, Agron Duka: Fushata e PAA-së në gjurmët e të gjelbërve gjermanë

Z.Duka, Partia Agrare Ambientaliste ka nisur tashmë fushatën për zgjedhjet vendore të vitit të ardhshëm, cilët do të jenë objektivat tuaj në këto zgjedhje?

Ne jemi në fazën e dytë të fushatës sonë për zgjedhjet e qershorit të ardhshëm, pasi simbolikisht motorët i “ndezëm” nga Shkodra prillin e shkuar. Pas ndërprerjes verore,  bashkë  me takimet elektorale nëpër qarqet e Vlorës dhe Gjirokastrës, kemi nisur një fushatë të re anëtarësimesh. Jo vetëm për të forcuar strukturat tona, por edhe për të evidentuar prurje të reja me të cilat ne do të konkurrojmë në këshillat bashkiakë të të gjithë Shqipërisë. Pra, po kërkojmë të shtojmë ofertën tonë politike duke hapur dyert e PAA-së edhe për ata që nuk janë marrë kurrë me politikë, por duan të jenë pjesë e alternativës sonë dhe të jenë një zë i fuqishëm në qeverisjen vendore për temat agrare dhe ambientale. Nisur nga ky riorganizim, dhe nga një ndërgjegjësim më i lartë i qytetarëve ndaj temave të zhvillimit të qëndrueshëm, një sensibilitet të ri për ambientin, dhe dimensionin rural që tashmë kanë bashkitë me reformën territoriale, në synojmë të kemi përfaqësues të PAA-së në 61 bashkitë e vendit. Jam i vetëdijshëm që është një objektiv ambicioz, për këtë arsye kemi nisur përgatitjet qysh prej prillit të shkuar.



Z.Duka ju jeni shprehur se do t’i kërkoni z. Basha një bashki në të cilën të kandidoni një eksponent të forcës tuaj politike, mund të na thoni për cilën bashki bëhet fjalë?

Unë jam shprehur prej kohësh se PAA është e gatshme t’i ofrojë opozitës një kandidaturë mbi të cilën të ndërtohet mbështetja e gjithë koalicionit tonë. Sigurisht bëhet fjalë për bashki me tipare të theksuara rurale, në të cilat ne mund të ofrojmë gjithë ekspertizën e ekipit tonë, për të cilin tashmë dihet se është i ndërtuar mbi një skuadër ekspertësh në fushën e bujqësisë, ambientit dhe sigurisë ushqimore. Në këtë mënyrë, identikiti i bashkisë për të cilën ne do të shprehim preferencën tonë pranë aleateve, del gati natyrshëm duke njohur gjeografinë e vendit. Por cila do të jetë në mënyrë specifike, është diçka që ne do të përcaktojmë bashkërisht si grupim opozitar. Unë e kam theksuar edhe më parë, që në këto zgjedhje do të jetë e rëndësishme shpërndarja e përgjegjësive midis aleatëve, për të qenë më efektiv në një garë elektorale që sigurisht do të jetë shumë e vështirë. Nëse si opozitë do të jemi të koordinuar dhe do të mbështesim kandidaturat reciproke, rezultatet nuk do të mungojnë.

Duke u nisur nga ajo që keni parë në këtë fazë fillestare të fushatës suaj, e keni krijuar një ide më specifike për zonën? Durrësi bën pjesë në listën e “dëshirave” të PAA-së?

Sikurse kam qenë i qartë për faktin se do t’i kërkoj Bashës një bashki ku PAA do të mund të japë alternativën e saj, po aq i qartë kam qenë edhe mbi vullnetin tim për të mos qenë pjesë e garës së Durrësit. Sa i përket pjesës së parë të pyetjes, le të themi se mund bëhet fjalë për bashki të vogla, si Memaliaj, Roskoveci apo Lushnja, për të përmendur disa me karakter të spikatur rural. Megjithatë, ndonëse përgatitjet tona do të vijojnë në gjithë Shqipërinë, është ende shpejt për të thënë se cilat do të jetë.

Para pak ditësh ju keni komentuar rezultatin e Partisë së Gjelbër gjermane në Bavari, mendoni se ekzistojnë kushtet për të sjellë një frymë të ngjashme edhe në politikën shqiptare?

Rezultati i të gjelbërve gjermanë nuk ishte një surprizë, apo thjesht rezultati i ndjeshmërive të reja të elektoratit gjerman ndaj  ambientit dhe zhvillimit të qëndrueshëm bujqësor, por i një pune të madhe të kësaj force, e cila ka krijuar një stuhi të vërtetë në politikën e atjeshme. Afrimi drejt qendrës i të gjelbërve gjermanë, u shpërblye nga elektorati duke forcuar këtë parti, dhe duke e kthyer në një alternativë ndaj forcave politike ekstremiste. Ky është sigurisht një lajm i mirë për të gjithë, por edhe një model për ne si Parti Agrare Ambientaliste. Një model nga i cili kemi shumë për të mësuar, dhe pikërisht për këtë arsye, në 13 dhjetor do të zhvillojmë një takim zyrtar me përfaqësuesit e Partisë së Gjelbër në Gjermani. Jam besimplotë se nga ky takim do të krijojmë një partneritet afatgjatë, nga i cili shpresojmë që të marrim një ekspertizë dhe një eksperiencë politike që do t’i lejojë PAA-së të ndjekë gjurmët e të gjelbërve gjermanë.

 

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas