Aktualitet

INSTAT: Inflacioni i dhjetorit 1.7%, rritja e çmimeve u frenua






               Publikuar në : 15:35 - 07/01/12 |
mapo.al

Muaji dhjetor ka pasur një rritje jo të konsiderueshme çmimesh krahasuar me një vit më parë. Rritja e çmimeve nuk ka qenë abuzuese. Instituti i Statistikës e ka cilësuar si normal rritjen e çmimeve të produkteve dhe shërbimeve gjatë muajit dhjetor të vitit që lamë pas, duke e argumentuar me raportin kërkesë- ofertë pasi kërkesat kanë qenë në rritje sidomos në fundin e muajit, në prag festash. Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT-it, gjatë muajve nëntor-dhjetor 2011, çmimet e produkteve ushqimore u rritën me vetëm 1 për qind, kundrejt rritjes drastike prej 2.2 për qind të konstatuar në të njëjtën periudhë të një viti më parë. INSTAT ka raportuar dje se, inflacioni, pra niveli i përgjithshëm i çmimeve të mallrave dhe shërbimeve në muajin dhjetor ka shënuar 1.7 për qind, ndjeshëm më i ulët se në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Duke iu referuar të dhënave zyrtare të INSTAT-it, në muajin dhjetor të vitit 2010, rritja e çmimeve ishte 2.2%, pra rreth 1.2% më e lartë se në vitin 2011. Në dhjetor të 2010-ës, çmimi i zarzavateve shënoi një rritje prej 27%, ose rreth 2 herë më shumë se këtë vit. Po kështu edhe çmimet në nëngrupin fruta. Rritja në muajin dhjetor të vitit 2010 ishte rreth 2 herë më e lartë. Njëkohësisht, gjatë muajit dhjetor është vënë re një rritje e çmimeve të karburanteve, si nafta dhe benzina, si dhe rritje e lehtë e çmimit të veshjeve dhe këpucëve. Megjithatë, sipas vëzhgimeve të herëpashershme të bëra në tregjet e kryeqytetit nga gazeta “MAPO” është vënë lehtësisht re se çmimet kanë qenë konsiderueshëm më të ulura se në dhjetorin e një viti më parë. Në fundvit, 1 kg domate ka kushtuar 40 lekë, 1 kg panxhar i kuq 80 lekë, 1 kg mandarina 80 lekë, 1 kg mollë 80 lekë, etj. Të gjitha tregjet e kryeqytetit gjatë muajit dhjetor kanë qenë nën vëzhgim të përditshëm nga grupet e kontrollit të Bashkisë Tiranë pas ngritjes së Task-Forcës për këtë qëllim. Tregjet në kryeqytet për festat e fundvitit nuk njohën rritje drastike të çmimeve të produkteve. Gjithashtu, edhe veshmbathjet dhe këpucët. Për këto të fundit, për shkak të krizës nuk ka pasur kërkesa të mëdha.


 

 



CLOSE
CLOSE
Pas