Kryesore, Politika

Instalacion me viktimat e komunizmit

in memoriam bashaNjë përkujtim që kreu i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha ka bërë për të gjithë të rënët në  diktaturë. Ky instalacion i ngritur mbi një platformë në qendër të kryeqytetit, do të qëndrojë i hapur për qytetarët deri më 30 nëntor. Gjatë këtij aktiviteti Basha njoftoi edhe hapjen e projektit “Drejt lirisë”.

 



Është hapur dje për publikun në sheshin “Skënderbej” instalacioni i muzeut virtual me fotografi dhe video të viktimave të regjimit komunist, që përfshin një periudhë gjysmëshekullore prej vitit 1944 e deri më 1990. Mjekë, artistë, inxhinierë, intelektualë, klerikë, të rinj, të cilët e humbën jetën në kërkim të lirisë…

Nën moton “Liria është frymëzimi ynë, kreu i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha ka përkujtuar  gjithë të rënët e egërsisë së diktaturës. Ky instalacion i ngritur mbi një platformë në qendër të kryeqytetit, nga ku mund të shihen fotografitë e të vrarëve e të pushkatuarve të regjimit komunist, do të qëndrojë i hapur për t’u vizituar nga qytetarët deri më 30 nëntor. Gjatë këtij aktiviteti Basha njoftoi edhe hapjen e projektit “Drejt lirisë”, në respekt të të gjithë atyre që iu mor jeta pikërisht sepse kërkuan lirinë, lirinë e mendimit, shprehjes, fesë, lëvizjes, grumbullimit, protestës.

Ky projekt do të nisë më 8 dhjetor, e njohur si Dita e Rinisë, dhe do të përmbyllet më 8 dhjetor të 2015-ës, që përkon me 25-vjetorin e themelimit të Partisë Demokratike.

Në fjalën e tij, Basha shprehu nderim për ata që u vranë, burgosën, internuan për lirinë dhe u ndal në përkujtimin dhe ringjalljen që po i bëhet diktatorit Enver Hoxha nga krerët e qeverisë sot, Rama e Meta.

“Ne do të shpallim projektin ‘Drejt lirisë’, që do të startojë më 8 dhjetor të këtij viti e do të vazhdojë deri në 8 dhjetor 2015, vitit të 25-të të krijimit të PD-së. Ky projekt do të përfshijë personazhe pa dallime politike, sepse ai përcjell mesazhe frymëzuese për lirinë. Ne kemi folur dhe flasim për dhunën, për luftën e klasave, për izolimin, për shtypjen e represionin dhe krimet e komunizmit, kemi folur për viktima dhe sërish do të flasim, por sistemi si ideologji, i tillë ka qenë dhe i tillë është akoma aty ku jeton dhe i tillë do të jetë nëse për fatkeqësinë e njerëzimit do të kthehej”, – u shpreh Basha duke theksuar edhe një herë ringjalljen e diktatorit Hoxha përmes kreut të qeverisë Rama. “Fotot e tij valëviten mbi kokat e Ramës dhe Metës, të krerëve të një vendi kandidat për në BE. Kjo është përdhosja më e madhe që i bëhet gjakut të mijëra bijve të këtij vendi, të atyre mijërave intelektualëve, klerikëve, të rinjve që u vranë dhe internuan se donin lirinë; është fyerja dhe provokimi që u bëhet gjithë shqiptarëve. Mesazhi i sotëm është liria, – përfundoi Basha, – liria është substancë e antikomunizmit, liria e mendimit, shprehjes, fesë, pronës, krijimit, e lëvizjes, e grumbullimit, e manifestimit dhe e protestës”. Të pranishëm në këtë ceremoni kanë qenë edhe përfaqësues të klerit fetar në Shqipëri.

Në kuadër të festave të Nëntorit, Bashkia e Tiranës ka organizuar një sërë aktivitetesh, duke vijuar të festojë me një axhendë të ndarë nga  qeveria. Pas ceremonisë së hapjes së muzeut virtual “In Memoriam”, festimet kanë vijuar me shfaqjen  “Shpërthimi i qenit”, ndërsa ditën e sotme, pas homazheve në varrezat e Dëshmorëve, në bustin e Adem Jasharit dhe shtatoren e Ismail Qemalit, aktivitetet do vijojnë në Universitetin e Arteve, me një koncert të Filarmonisë së Tiranës me vepra nga kompozitorët më të mirë shqiptarë, për t’u përmbyllur me shfaqjen “Ata hyjnë pa trokitur”, një dramë shqiptare në kujtim të jetëve të sakrifikuara në ferrin komunist, e cila do të jetë falas për publikun në skenën e Teatrit të Metropolit.

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas