Kryesore, Mapo Format

Informatika Ekonomike në UET, dega që po kërkohet gjithnjë e më tepër

Në lidhje me arsyet se përse një student zgjedh Informatikën Ekonomike, përgjegjësja e Departamentit të Informatikës, Matematikës dhe Statistikës, dr. Teuta Xhindi, shprehet se kjo degë nuk është më e ardhme, por është prezente në çdo sektor.

Epoka e teknologjisë ka sjellë dhe zhvillimin e arsimit në shërbim të një tregu pune që i përgjigjet kohës. Një nga degët më të reja në arsimin e lartë, Informatika Ekonomike, është njëkohësisht edhe një nga degët më të kërkuara sot nga studentët. Studentët e Universitetit Europian të Tiranës na tregojnë pse kanë bërë një zgjedhje të zgjuar që i përgjigjet kohës ku ata jetojnë.
Fuqia punëtore është vazhdimisht në lëvizje. Ajo ndryshon pasi teknologjia dhe aftësitë e nevojshme për të patur sukses në botën e biznesit zhvillohen me shpejtësi.



Duke patur këtë parasysh, të rinjtë të cilët regjistrohen për herë të parë në universitet parashikojnë se si diploma që do të fitojnë, do t’i ndihmojë ata në tregun e punës. Aktualisht, një ndër degët më të kërkuara në botë, por edhe në Shqipëri, është Informatika Ekonomike. I njëjti trend shfaqet dhe në regjistrimet e reja për vitin akademik, ndërsa kjo degë shënon dhe numrin më të lartë të të punësuarve që gjatë kohës së studimeve.

Çfarë është Informatika Ekonomike?!

Në botën e biznesit sot ka shumë pak procese apo detyra operacionale, që nuk janë të mbështetura nga teknologjia kompjuterike. Nisur nga ky fakt është e pritshme që rëndësia e teknologjisë të vazhdojë të rritet edhe më tepër në të ardhmen. Ky zhvillim do të rezultojë në një ekonomi globale digjitale, në të cilën kompanitë e ndërlidhura me njëra-tjetrën iniciojnë, rregullojnë dhe shkëpusin shkëmbimin e mallrave dhe shërbimeve duke përdorur sistemet e informacionit. Studentët e Informatikës Ekonomike, luajnë një rol jetësor në këtë evolucion shoqëror.
Në lidhje me arsyet se përse një student zgjedh Informatikën Ekonomike, përgjegjësja e Departamentit të Informatikës, Matematikës dhe Statistikës, dr. Teuta Xhindi, shprehet se kjo degë nuk është më e ardhme, por është prezente në çdo sektor.
“Arsyet përse një student zgjedh Informatikën Ekonomike sot, janë disa. Së pari, sepse është trend kudo në botë. Zhvillimi i teknologjisë është kthyer në një përparësi, ndaj edhe degët që kanë të bëjnë me këtë zhvillim si dhe Fakultetet e Teknologjisë së Informacionit janë më të kërkuarat kudo në botë. Së dyti, si qeveria ashtu edhe bizneset e sektorëve të ndryshëm e kërkojnë këtë lloj profesioni. Një informaticien i cili ka studiuar Informatikë Ekonomike në cilindo nga dy profilet, Financë-Bankë apo Menaxhim Biznesi, ka shumë më tepër probabilitet për të suportuar biznesin dhe qeverinë, sepse e njeh biznesin dhe nuk ka nevojë që analizën t’ia kryejë një biznesmen. Gjithashtu, duke njohur dhe teknologjinë ai është një plus për ekipet e IT-së që zhvillojnë software-t dhe aplikacionet e ndryshme”.
Ajo shprehet se në zhvillimet që bota ka sot dhe pritet të ketë edhe në të ardhmen, ky profesion është më se i nevojshëm.
“Mbështetja adekuate e IT-së është bërë absolutisht e domosdoshme në menaxhimin e shumë proceseve të biznesit, si p.sh. kompanitë softuerike, konsulencat e biznesit, degët e industrisë prodhuese, institucionet e kreditit dhe kompanitë e sigurimeve tek ofruesit e shërbimeve dhe firmat e konsulencës së menaxhimit, pra ekziston një larmi e madhe e mundësive të punësimit”.

Agim Kasaj: Ja pse informatika është dega më e kërkuar sot

Drejtori i IT-së në UET, Agim Kasaj, jep disa arsye se pse është i rëndësishëm studimi i Teknologjisë së Informacionit (IT) duke e lidhur me epokën ku jetojmë, ku të gjithë jemi të varur nga teknologjia. “Patjetër që informatika është dega më e kërkuar sot. Çdo i ri dhe e re që ka vendosur të ndjekë studimet e larta sot është rritur me teknologjinë. Është brezi i teknologjisë. Pa filluar ende ditën, ende pa dalë nga shtëpia, secili prej tyre e ka përdorur teknologjinë të paktën disa herë. Kanë hapur celularin, kanë marrë sms ose telefonata, njoftime elektronike nga miqtë, kanë marrë dhe dhënë shumë ‘like’ në rrjetet sociale, postuar foto etj. Ata nuk njohin kasetat, por njohin Iphone dhe Samsung të fundit. Jo vetëm studentët e ardhshëm, por edhe “financuesit” e dëshirave të tyre, prindërit, përballen me teknologjinë në mënyrë të vazhdueshme. Edhe ata e kanë kuptuar rëndësinë e teknologjisë në jetën e përditshme dhe ca më shumë në punën e tyre. Sa më shumë prindërit ndiejnë vështirësi në përdorimin e teknologjisë, aq më shumë duan që fëmijët e tyre t’i futen kësaj fushe dhe të bëhen të aftë për epokën që tashmë ka ardhur, thotë Kasaj.

Në këtë mënyrë njohuritë kompjuterike bëhen të domosdoshme për çdo vend pune.

Teknologjia na prek të gjithëve në pothuaj çdo moment të ditës, në ambientet e punës apo të argëtimit. Zor se gjen sot një lloj pune që nuk kërkon përfshirjen e teknologjisë. Çdo vend pune, sado i thjeshtë, kërkon që të përdorësh një kompjuter, laptop, apo celular. Është e vërtetë që çdokush po bëhet gjithnjë edhe me i aftë në përdorimin e teknologjisë, por paradoksalisht kjo ka shtuar kërkesën për profesionistë në fushën e teknologjisë edhe më të zotë. Sa më shumë përdoret teknologjia, aq më shumë ekspertizë kërkohet për sfida më të mëdha. Bizneset kërkojnë gjithnjë e më shumë zgjidhje teknologjie specifike të përshtatura me nevojat e tyre dhe nevojat e konsumatorëve të teknologjisë janë gjithnjë e më “tekanjoze”. Përdorimi i teknologjisë në biznes, në komunikim, në marrëdhëniet njerëzore, në edukim, në tregtinë elektronike sofistikohet çdo ditë. Kjo është kuptuar qartë nga prindërit dhe studentët e ardhshëm, ndaj dhe kërkesa për studime në fushën e teknologjisë do të vazhdojë të njohë vetëm rritje, shprehet Kasaj.

Gerald Tukseferi: Informatika Ekonomike në UET, mundësia ideale për studim

Gerald Tukseferi sapo ka përfunduar vitin e tij të dytë të studimeve në Universitetin Europian të Tiranës, për degën Infomatikë Ekonomike, me profil Financë-Bankë.
Ai tregon se cilat kanë qenë arsyet përse ka zgjedhur të studiojë në këtë degë.
“Para 2 vjetësh, kur më duhej të vendosja për të degën që do të vazhdoja studimet e larta, motra ime më sugjeroi Informatikën Ekonomike si mundësi. Unë kam dashur të studioj informatikë, por kam qenë gjithnjë skeptik dhe dilemat që më mundonin kanë qenë të lidhura kryesisht me tregun e punës dhe rritjen në karrierë. Kështu që kur më erdhi ky propozim, në fakt më erdhi mundësia ideale. Kjo pasi vetë dega e informatikës ekonomike ka dy profile, ekonominë dhe informatikën dhe kështu gjatë tri viteve Bachelor mund të shihja në cilin profil gjendem më mirë dhe në përfundim të studimeve të vendos nëse dëshiroj të specializohem në master në informatikë apo në ekonomi”.
Krahas të qenit student ekselent për të dytin vit radhazi dhe përfitues i bursës së ekselencës po ashtu për dy vite rresht, Geraldi sapo është kthyer nga një eksperiencë unike në Universitetin e Almerisë në Spanjë, ku studioi për të njëjtën degë.
“Eksperienca e Erasmusit ka qenë një nga më të bukurat e jetës sime, kjo pasi vetëm me një udhëtim arrita të eksploroj të gjithë botën. Studimet i kreva në Spanjë, në qytetin e Almerisë dhe gjatë qëndrimit tim atje, arrita të njoh njerëz nga e gjithë bota, jo vetëm nga Europa por edhe Amerika, Ekuadori, Kina, Koreja etj., duke m’u dhënë mundësia të mësoja mbi kulturën e vendit të tyre si dhe në të njëjtën kohë, të promovoja kulturën shqiptare dhe të prezantoja vendin tim”.

Enida Kalaj: Me Informatikën Ekonomike integrohem në çdo sektor të punësimit

Enida Kalaj është studente në UET në degën Informatikë Ekonomike dhe shprehet se kjo degë ka qenë për të kombinim i dy pasioneve të saj të mëdha, informatikës dhe ekonomisë, ndaj nuk ka hezituar ta zgjedhë atë.
“Informatika ka qenë për mua në fillim si një terren i pazbuluar dhe një nxitëse e imagjinatës, gjë që më ka çuar në zhvillimin e njohurive në të, e duke mos ndaluar këtu, e njëjta gjë ndodhi dhe me pjesën e ekonomisë, që në gjimnaz. Duke parë pasionin dhe dëshirën që kisha për këto dy disiplina, vendosa që studimet e mia t’ua kushtoja të dyjave, përpos dëshirës, një tjetër arsye që më nxiti të zgjedh këtë degë, është perspektiva që ajo ka në të ardhmen. Në botën e biznesit, ditët e sotme është shumë e vështirë të gjesh një proces apo funksion operativ që nuk kërkon përfshirjen e teknologjisë në të. Ndaj edhe rëndësia e degëve që lidhen me të rritet dita-ditës. Si përfundim zgjedhja ime ishte më se e qartë dhe e vendosur sepse përveç pasionit, ‘sigurova’ edhe të ardhmen time”, tregon ajo.
Pikërisht, për shkak të perspektivës që kjo degë paraqet për të ardhmen, edhe Enida, njëlloj si kolegët e saj, sheh mjaft hapësira punësimi në këtë degë, ndaj edhe pritshmëritë e saj për të ardhmen janë të larta.
“Duke qenë se suporti i IT në proceset e menaxhimit të bizneseve dhe jo vetëm, është bërë i pazëvendësueshëm në ditët e sotme, ka një varietet shumë të madh në lidhje me mundësitë e punësimit pasi unë të mbaroj studimet. Kjo përfshin thuajse çdo degë të industrisë, duke nisur nga vetë IT e duke vijuar më pas në kompanitë e sigurimeve, institutet bankare, kompanitë e konsulencave të bizneseve e shumë e shumë të tjerë. Varieteti është i madh por unë më shumë do të përqendrohesha në pjesën menaxheriale, por sidoqoftë fakt është se ka shumë mundësi punësimi dhe ky është një “as nën mëngë” për secilin prej studentëve që do të diplomohet në këtë degë”.

Kevin Mihaj: Zgjodha UET për ‘frymën” e veçantë që përfaqëson

Kevin Mihaj ka vendosur të regjistrohet në Universitetin Europian të Tiranës në degën Informatikë Ekonomike, për vitin akademik 2018-2019. Ai vjen në UET si një maturant me rezultate të larta në mësime që zgjedh të studiojë në një nga degët më premtuese për të ardhmen.

“Zgjodha të studioj për degën Informatikë Ekonomike, për shkak se mendoj se është një degë gjithëpërfshirëse dhe njëkohësisht sepse informatika më tërheq shumë. Krahas pasionit tim, e kam zgjedhur këtë degë edhe për mundësitë e shumta që ofron. Me Informatikën Ekonomike gjen hapësirë punësimi në shumë sektorë dhe jam i bindjes se kërkesat për të diplomuar nga kjo degë do të jenë gjithnjë e më në rritje, për shkak se ata mund të mbulojnë mjaft mirë dy degë të ndryshme”.
Kevin vjen në UET, pasi është prezantuar me këtë universitet më herët si pjesëmarrës në shkollën verore që u organizua këtë vit në Korçë.
“Universitetin Europian të Tiranës e zgjodha sepse mendoj se ka një ‘frymë’ që nuk e gjen kudo. Besoj se do ta gjej veten mjaft mirë në këtë universitet”, shprehet ai në lidhje me zgjedhjen që ka bërë, entuziast për përvojën e re akademike që e pret.

Alisa Dema: Të studiosh për Informatikë Ekonomike në UET është zgjedhja e duhur

Alisa Dema sapo ka përfunduar studimet në vitin e parë, në degën Informatikë Ekonomike, pranë Universitetit Europian të Tiranës. Arsyet përse ka zgjedhur të ndjekë studimet në këtë degë, Alisa thotë se janë të shumta.
“Zgjodha të studioj për Informatikë Ekonomike, për shkak të vlerësimeve të shumta që ka marrë kjo degë vitet e fundit, në lidhje me mundësitë e shumta që ofron, edhe për faktin se teknologjia po zë vend në çdo aspekt të jetës. Kjo është një nga arsyet se përse edhe të rinjtë e tjerë si unë, zgjedhin këtë degë, për hapësirat e shumta që ofron në tregun e punës. Megjithatë, arsyeja më e rëndësishme se përse unë kam zgjedhur të studioj në këtë degë është se ky është pasioni im. Kam pasur mundësinë të zgjedh e të vazhdoj në degë të ndryshme, por pasioni im për Informatikën Ekonomike, më bëri të mos e mendoj zgjedhjen time dy herë. Gjatë këtij viti të parë akademik që kaloi, kam kuptuar se kam bërë zgjedhjen e duhur pasi çdo lëndë e kam zhvilluar me kënaqësi”.
Alisa tregon se viti i parë i studimeve shkoi shumë mirë për të dhe se perspektiva për të ardhmen është shumë pozitive.
“Mbas mbarimit të vitit të parë të studimeve, me rezultate të larta, jam shumë e kënaqur pasi çdo lëndë të shkollës e kam bërë me qejf dhe mendoj se pasi të përfundoj studimet e mia, do ta shoh veten të pozicionuar në punë shumë shpejt. Kjo falë degës, e cila ofron shumë mundësi, por edhe falë UET që ofron zhvillimin dhe promovimin e studentëve të tij”.

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas