Kryesore, Op Ed

Industria e shërbimeve turistike ende nuk ekziston, jo më, të gjobitet

Nga Besart Kadia

Turistët e parë mund të quhen senatorët romakë që largoheshin nga temperaturat e larta të Romës dhe zhvendoseshin në gjirin e Napolit dhe në Pompei me shtëpitë e tyre verore e me një shpurë të madhe shërbyesish. Përveç tyre të rralla janë episodet e eksodit veror në masë drejt zonave bregdetare deri sa ndodhi industrializimi ekonomik në fund të shekullit XIX dhe krijimin e shtresës së mesme që garantoi numra të mjaftueshëm për të nxitur një industri të re të shërbimit.



Teknologjia e re e internetit, kosto e ulët e udhëtimit, rritja globale ekonomike, forcimi i shtetit social etj., kanë krijuar një industri botërore të paimagjinueshme 40 vite më parë. Mjafton të shohim të dhënat, ku në vitin 2000 në botë ishin vetëm 670 milionë turistë vjetorë kurse në vitin 2017 numri i tyre arrin në 1.2 miliard dhe me tendencë rritjeje duke ditur pasurimin e shteteve si Kina dhe India.

Shqipëria zë 0.3% të turizmit botëror. Me çfarë brandi?

Kjo industri është e re për Shqipërinë, e cila është akoma e paqartë në çfarë do t’u ofrojë 1.2 miliard blerësve potencialë botërorë. A është Shqipëria duke tentuar të krijojë një infrastrukturë fjetjeje të ngjashme me Greqinë e viteve 1970? A është Shqipëria duke u munduar të kapërcejë etapat dhe të ofrojë hoteleri të klasit botëror? A duhet Shqipëria të krijojë brandin e vet të infrastrukturës së fjetjes në formën e bujtinave të vogla tradicionale? Këto nuk janë pyetje teorike. Këto janë pyetje që krijojnë shtratin për një industri turizmi të suksesshme e të diferencuar në botë.

Brand Albania nuk dihet ç’është. Përfaqësues të industrisë u konsumuan në publik duke bërtitur për nevojën e uljes së TVSH-së, sikur sistemi fiskal të ishte zgjidhja e kësaj industrie. Sot diskutimi për të ardhmen e kësaj industrie ofrohet vetëm nga qeveria e cila thotë se ka siguruar pastërti e siguri turistëve duke ofruar sezonin më të mirë në histori. Por a është turizmi një fushë ku qeveria duhet të krenohet? A është pastërtia apo formimi profesional i punonjësve turistikë çfarë duhet të analizojë qeveria?

Nevoja për statistika të besueshme

Ndërkohë që numri i turistëve botërorë është dyfishuar, Shqipëria duket se ka ecur me ritme më të shpejta duke katërfishuar numrin e turistëve të ardhur nga jashtë në dhjetë vitet e fundit. Nga 930 mijë në vitin 2006 në më shumë se 4 milionë në vitin 2017. Por a duhen besuar këto statistika? Në pamje të parë duket se trendi është brenda logjikës të rajonit të Mesdheut, ku numri i turistëve pritet të dyfishohet në dhjetë vitet e ardhshme. Por të dhënat nga Organizata Botërore e Turizmit tregon se në vitin 2017 vetëm 1.9 milion vizitorë thonë se vizituan Shqipërinë për turizëm, ndërkohë që 2.7 milionë të tjerë thonë për arsye personale.

Po ashtu, në rast se krahasojmë të dhënat zyrtare të Shqipërisë me shtete të tjera me brand ndërkombëtar si Finlanda vihet re se ne në vit kemi patur 2 milionë turistë më shumë se ky shtet. Ky debat nuk është teknalitet i zyrtarëve të Ministrisë së Turizmit. Rëndësia e të dhënave statistikore është e padiskutueshme pasi biznese ndërmarrin vendime me kosto miliona euro bazuar mbi të dhëna të ofruara publikisht nga qeveria shqiptare.

Nevoja për taksim të diferencuar

A duhet të taksohet njësoj një biznes që ndodhet në buzë të Lungomares në Vlorë ku aksesi është i garantuar për 12 muaj, investimet publike arrijnë në miliona euro dhe urbanizmi është i garantuar me një biznes që krijohet në fshatrat e thella të Dhërmiut ku infrastruktura është e dobët, kosto e transportit e lartë, turistë sezonal, kosto investimi fillestare të larta? Në praktikën e formimit të turizmit shqiptar do të ishte në interes të shtetit të ofronte taksim të diferencuar për këto zona turistike që po zhvillohen ngadalë me kapital privat dhe me risk të lartë investimi. Sipas qeverisë mirë është që të gjithë të trajtohen njësoj pavarësisht rrethanave. Kjo mungesë të kuptuari të realitetit çon në goditje të kësaj industrie të sapoformuar dhe çorienton tërë sipërmarrësit e vegjël në vend. Në kërkim të parave qeveria pretendon se formalizon ekonominë.

Por të dhënat nga vizitat në terren të inspektorëve tatimorë nuk janë shumë inkurajuese. Sipas burimeve zyrtare, Administrata Tatimore kontrolloi rreth 6300 subjekte që ushtrojnë veprimtarinë e tyre në fushën turistike dhe mbi 40 për qind e subjekteve të kontrolluara deri në fund të korrikut, ose 2415 subjekte, u gjetën me shkelje. Industria e shërbimeve turistike ende nuk ekziston e jo më të gjobitet. Nëse 40% e bizneseve gjobiten tregon se shteti nuk është partner me këtë sektor por e sheh atë vetëm si mundësi për të rritur të ardhurat e tij pa menduar për pasojat që ka në afatgjatë. Shqipëria përbën 0.3% të turizmit botëror e ne ende s’jemi gati e të qartë me veten.

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas