Mapo Letrare

Industri & Libër: ‘Ditë-netët’ që takojnë Ballkanin përmes shkrimtarëve

Më shumë se 70 aktivitete do të mbahen në Tiranë, në Muzeun Historik Kombëtar por edhe në Akademinë e Arteve, si dhe në Lezhë e Fier, nga nesër deri më 20 maj. Përkthimet e mëdha, veprat e rëndësishme, letërsi artistike, shqipe dhe e huaj, ilustrime letrare e karikatura artistike, projeksione filmash e biseda të lira me autorët më në zë të letrave shqip, do i japin një tjetër frymëmarrje Tiranës

Stendat me oferta ekonomike dhe lehtësirat në pjesëmarrje si rrallëherë në një Panair –kështu shënohet ndër të tjera në njoftimin e Ministrisë së Kulturës për një festival të ideuar si “Ditënetët e librit” ku i bashkohen disa biznese të tjera për të patur “objektiv” librin.



Nga nesër, deri më 20 maj, vendi do të jetë Muzeu Historik Kombëtar ku duket se në Pranverë prej pak vitesh eksperimentohet me ngjarje të tilla pa mundur të krijohet një identitet kulturor, përfaqësues. Megjithatë është vlerësuar prej organizatorëve shtetarë si ngjarje e rrallë kulturore, ku libri dhe botimet me terma luftarakë, janë “mobilizuar” nga mbarë Ballkani, rajoni me ndryshime e veçanti, për t’u takuar me këtë përfaqësim përmes shkrimtarëve, botuesve, industrialistëve, përpunues të fjalës së gdhendur në letër, sipërmarrje gjithashtu që kanë lidhje direkte dhe indirekte me fushën e botimit e të Librit.

Më shumë se 70 aktivitete do të mbahen në Tiranë, në Muzeun Historik Kombëtar por edhe në Akademinë e Arteve, si dhe në Lezhë e Fier, në datat 16-20 maj. Përkthimet e mëdha, veprat e rëndësishme, letërsi artistike, shqipe dhe e huaj, ilustrime letrare e karikatura artistike, projeksione filmash e biseda të lira me autorët më në zë të letrave shqip, do i japin një tjetër frymëmarrje Tiranës. Në ceremoninë e inaugurimit, përveç organizatorit “Klik EkspoGroup” nën kujdesin e Ministrisë së Kulturës do të jenë të ftuar ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, ajo e Arsimit Lindita Nikolla, kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe Rexhep Hoti, zv.ministër i Kulturës i Kosovës.

Mjaftueshëm hapësirë i është lënë edhe përkthimit. Për këtë gjatë ditëve të Festivalit do të diskutohet për rolin e përkthyesve dhe përkthimeve në Ballkan e më gjerë, ndihmën e rezidencës europiane të shkrimtarëve në Tiranë. Botimet Poeteka, shtëpia botuese që ka në fokus letërsinë e rajonit do të prezantojë sfidat me titujt me të spikatur. Krijimtaria si ekzistencë, një prej temave aq të përfolura, do tentojë të vijë me një përgjigje të sinqertë përmes rrëfimeve mbi veten nga vetë ata që shkruajnë, në mbrëmjet e piketuara qëllimisht.  “Libri i përmirësuar nga filmi, a ndodh?”. Arkivi i filmit do të rreket t’i japë përgjigje kësaj pyetjeje përmes projeksionit të disa prej ekranizimeve më të mira të letërsisë shqiptare. Skenaristë, kritikë arti, dhe studentë të Gjuhë-Letërsisë do të debatojnë më tej.  “Karikatura – shqiptarët përballë identitetit”, do të takojë karikaturistët me të njohur në vend në një bisedë mbi imazhin si simbol, përmes karikaturës shqiptare në vite. Këto dhe shumë këndvështrime të reja do të hedhin dritë këto ditë mbi udhëkryqet e letërsisë shqiptare si pjesa më e vyer e vetëdijes kombëtare dhe jo vetëm.

“Arie dhe opera! Me aktivitete e vargje. Me gjuhë franceze. Ruse. Me përkthime të kantautorëve italianë. Me dokumentarë filmikë. Me lexime dhe interpretime. Me promovime. Me prezantime fragmentesh nga letërsia gjermane, spanjolle, greke. Me antologji turke! Me konkurse. Me krijime. Me studentë që do të jenë pasardhës të talenteve të letërsisë shqipe dhe pikturës. Me histori. Me histori. Me aktorë. Me gazetarë. Me debate. Me dialog pyetje- përgjigje me median. Me shtëpi botuese. Me shkrimtarë . O Perëndi! Me libra. Kujtime dhe rrëfime. Pa orë. Me ditë dhe net. Ti vetëm eja” fton lexuesit me ftesën e shkruar nga poetja Ilnisa Agolli, e cila është edhe organizatore e Festivalit Ndërkombëtar “Ditënetët e Librit”. Çelja e festivalit bëhet tek Atriumi i brendshëm i Muzeut Historik Kombëtar ku menjëherë pas ceremonisë Kosova vjen mes vargjesh me poezi nga Ali Podrimja, Din Mehmeti, Azem Shkreli, Rexhep Hoti dhe Ismail Syla, që lexohen nën moderimin e Diana Çulit. Takimi shoqërohet me arie, poezitë e zgjedhura të poetëve të Kosovës recitohen nga Justina Aliaj nën tingujt e pianos së Etrita Ibrahimit, për t’ia lënë vendin sfilatës “Libër & Letër” të Akademisë së Arteve nga prof. Najada Hamza.

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *