Editorial, Kryesore

Indeksi i krimit, mbetet i vetmi kriter për hapjen ose jo të negociatave

Nga Ervis Iljazaj

Ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Luigi Soreca, ka përshëndetur arrestimin e grupit “Bajri” në Shkodër. Ky është prononcimi i parë publik i Ambasadorit të ri. Dhe, nuk është një rastësi që, ky prononcim i parë nga përfaqësuesi i BE-së në Shqipëri, vjen pikërisht për luftën ndaj krimit të organizuar.



Sepse, lufta ndaj krimit të organizuar, suksesi ose jo ndaj tij, do të jetë përcaktues për ecurinë e hapjes së negociatave që jemi duke pritur në vitin 2019.

Ndoshta jo rastësisht, Bashkimi Europian ka deleguar në Tiranë zotin Soreca, i cili është një njohës i mire i çështjeve të sigurisë dhe krimit të organizuar.

Luigi Soreca ka patur një pozicion për çështjet e sigurisë në Komisionin Europian. Në këtë kuptim, lufta ndaj krimit të organizuar, është një çështje që e njeh mjaft mirë dhe me shumë gjasa do të jetë prioritet i tij gjatë misionit në Tiranë.

Vendimi për negociatat që Shqipëria pret të marrë në vitin 2019, nuk ka kriter tjetër, përtej indeksit të krimit që do të kemi deri në atë moment.

Kështu që, lufta ndaj krimit të organizuar, është padyshim prova më e madhe qeverisë Rama. Jo vetëm për hapjen e negociatave, por do të shërbejë edhe si një test për vazhdimin ose jo të kësaj qeverie.

Bashkimi Europian, në të gjitha raportet e tij, thekson fort domosdoshmërinë e luftës ndaj krimit të organizuar. Në këtë moment, ndoshta ky kriter, është i vetmi nga i cili varet ecuria e çështjes së negociatave vitin që vjen.

Praktikisht dhe teknikisht marrja e negociatave në këtë situatë, varet më së shumti nga puna e qeverisë. Sado konflikte politike të krijojë opozita, përtej rasteve kur kërkohen reformat e përbashkëta, në fund të fundit, ajo që vlerësohet nga Bashkimi Europian është puna e qeverisë.

Aq më tepër kur, nuk ka asnjë reformë e cila kërkon një votim bipartisan, e cila të jetë kusht i vendosur nga Bashkimi Europian.

Prandaj, merren ose jo negociatat, kryesisht është sukses ose dështim i qeverisë. Pa dashur të reduktojmë rolin e opozitës për frymën dhe mesazhin që ajo përcjell, i cili luan një rol të rëndësishëm, Bashkimi Europian është një mënyrë qeverisjeje interqeveritare. Për këtë arsye, roli kryesor i mbetet qeverisë.

Reforma në Drejtësi, e cila ka qenë një nga kushtet kryesore të hapjes së negociatave, është një Reformë që, mirë apo keq, ka hyrë në një rrugë pa kthim. Mekanizmat e përfundimit të saj, tashmë janë mekanizma automatikë, të cilët nuk varen nga vullneti politik. Në këtë aspekt, ajo që mbetet deri në momentin e vendimit përfundimtar për negociatat është vetëm lufta ndaj krimit, gjë e cila është totalisht detyra e qeverisë.

Ndonjëherë, politika shqiptare dhe opinioni publik bie preh e iluzionit se, Bashkimi Europian do të na pranojë për faktin se ka interesa gjeopolitikë në Shqipëri dhe Ballkani. Kjo është e vërtetë, por, BE, është një organizatë e ndryshme nga NATO. Nëse NATO, është një organizatë ushtarake dhe diplomatike, dhe për këtë arsye anëtarësimi është gjeostrategjik, Bashkimi Europian është tjetër histori. Bashkimi Europian është një sistem politik dhe një mënyrë qeverisje e përbashkët. Si e tillë, ka ekonomi të përbashkët, ligje të përbashkëta dhe parime të përbashkëta. Nëse ne nuk arrijmë dot të përafrojmë të gjitha këto standarde me BE, integrimi është i pamundur.

PasPara

1 koment

  1. Përveç krimit që jeton në unison apo si vëllezrit siamezë bashkë me qeverinë dhe që po ra njëra , bie edhe tjetra, kemi përpara edhe zgjedhjet lokale. Kemi drogën e magazinuar dhe mbjedhjet e reja pa harruar se na duhen edhe drogëra të forta për të mposhtur emocionet, skandalet e përditshme, kritikat që vinë nga brënda dhe jashtë si ajo e akuzave për eksport krimi në Evropë e më tej. Sa për reformat , ato janë pa kurfarë vlere dhe rezultatet i shohim çdo ditë, pasi asgjë nuk bëhet në frymën e tyre. Çdo hap që hidhet në këtë drejtim, bëhet duke shkelur ligjet, duke lehtësuar krimin dhe kjo vërteton se nuk kemi gjë në vijë. As vetingu i gjyqtarëve nuk po bëhet sipas rregullave e ligjeve që janë vendosur për këtë punë, por sipas preferencave, shijeve, nevojave që ka i gjati. Kjo e bën edhe më të pabesueshme, më qesharake dhe me efekte jashtëligjore. Po na pranuan në Be, i ngjajmë një nxënësi të keq fare, që ka mbetur në klasë vite me rrallë dhe një mësuesi bashkë me drejtorin që vendosin ta kalojnë në klasën tjetër edhe pse nuk meriton asgjë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas