Kryesore

Ina Rama-Kuvendit: Provat tona kundër Ballës, Doshit dhe Bares

Prokurorja e Përgjithshme i kërkon Kuvendit imunitetet e 3 deputetëve socialistë. SMS për Taulant Ballën: Çfarë të bëjmë tani? Pse u tërhoq shumica? Filmimet për Tom Doshin: Lin dhe Gjin Ndreu, para se të konfrontohen me policinë kontaktojnë me deputetin. Kërkesa e Bares: Nuk përcaktoi drejtuesit e tubimit dhe ndihmësit e tyre



 

Tiranë Një sms telefonik i Taulant Ballës, pamjet filmike të Tom Doshit dhe përgjegjësia për tubimin e Besnik Bares, kanë veçuar tre deputetët socialistë prej kolegëve të tyre, në hetimin e Prokurorisë për organizatorët e demonstratës së dhunshme. Në kërkesat dërguar Kuvendit për heqjen e imuniteteve të deputetëve Balla, Doshi dhe Baraj, Prokurorja e Përgjithshme zbardh hetimet e kryera deri më tani në këtë pistë, si dhe dyshimet që implikojnë tre deputetët me “axhendën” e një pjese të protestuesve. “MAPO” boton kërkesën e Prokurores së Përgjithshme për deputetët socialistë, e cila është diskutuar dje në mbledhjen e Këshillit të Imuniteteve në Kuvend.
Unë Ina Rama, Prokurore e Përgjithshme e Republikës, pasi u njoha me aktet e procedimit penal nr. 285/20, të vitit 2011, të regjistruar nga Prokuroria pranë Gjykatës së
Rrethit Gjyqësor Tiranë, vendimin për shpalljen e moskompetencës lëndore dhe kalimin e akteve për këtë procedim Prokurorisë së Përgjithshme, konstatova:

Nga hetimet e kryera rezulton e provuar se më datë 21.01.2011, në intervalin kohor midis
orës 13:30-17:00, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” Tiranë, para godinës së
Kryeministrisë është zhvilluar një demonstratë protestë, e njoftuar më parë nga subjekti  politik, Partia Socialiste e Shqipërisë. Gjatë këtij grumbullimi masiv njerëzish, persona të  ndryshëm, pjesëmarrës në protestë, kanë qëlluar me sende të forta në drejtim të forcave të caktuara për ruajtjen e rendit dhe të sigurisë publike, si dhe objektit ku ndodhen zyrat e  Këshillit të Ministrave. Në një moment,  nga efektivat që kishin marrë nën mbikëqyrje objektin e Këshillit të Ministrave, është qëlluar me armë zjarri. Nga kryerja e veprimeve hetimore për këtë ngjarje është evidentuar se, si pasojë e  përdorimit të armëve luftarake kanë gjetur vdekjen shtetasit Ziver Veizaj, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj, si dhe janë plagosur 6 persona të tjerë, prej të cilëve shtetasi Aleks Nika ka gjetur vdekjen pas disa ditësh. Nga ana tjetër rezulton se, si pasojë e veprimeve të dhunshme të pjesëmarrësve në protestë, janë dëmtuar me mjete të forta 36 punonjës të forcave të policisë, efektivave të Gardës së Republikës, si dhe janë shkaktuar dëme materiale në pasuri shtetërore dhe private. Për një numër të konsiderueshëm shtetasish pjesëmarrës në protestë, të cilët rezultojnë të kenë goditur me gurë dhe me sende të tjera të forta në drejtim të forcave të Policisë së Shtetit dhe efektivave të Gardës së Republikës, është proceduar me arrestimin e tyre në kushtet e flagrancës, si të dyshuar për kryerjen e veprave penale të goditjes për shkak të detyrës dhe shkatërrim të pronës. Materialet provuese në ngarkim të këtyre shtetasve, mbi bazën e së cilave është vendosur arrestimi i tyre në kushtet e flagrancës, kanë qenë pamjet filmike që disponoheshin nga ekspertët e Drejtorisë së Policisë së Tiranës, si dhe raportet e shërbimit, të mbajtura nga strukturat e policisë. Në kuadër të këtij procedimi penal, nisur nga pasojat tepër të rënda të verifikuara në vendngjarje, organi i akuzës ka kryer veprime hetimore për të zbardhur nëse personat që
kanë kryer veprime të dhunshme gjatë tubimit, kanë qenë të organizuar, dhe nëse po,  identifikimi i tyre. Nga të dhënat e grumbulluara gjatë hetimit janë evidentuar të dhëna dhe indicio që krijojnë dyshimin e arsyeshëm se deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, zotërinjtë Tom Doshi, Taulant Balla, Besnik Baraj, me veprimet e tyre gjatë tubimit të datës 21.01′.2011, kanë konsumuar veprën penale të “organizimit dhe pjesëmarrjes në grumbullime e manifestime të paligjshme”, parashikuar nga neni 262 i Kodit Penal.

  1. Nga pamjet filmike të administruara në këtë procedim penal evidentohet se personat përpara objektit të QNK (Piramidës), në krah të selisë së Këshillit të Ministrave, pranë të cilëve ka qenë edhe deputeti Taulant BALLA, kanë qëlluar me gurë e sende të tjera në drejtim të objektit të Kryeministrisë.

Pokështu, sipas procesverbalit të këqyrjes së telefonit celular nr. 069 58 51 808, që i
përket shtetasit Igers Vangjeli, rezulton se ky i fundit ka qenë në kontakt me deputetin
Balla, pasi është evidentuar një sms me këtë përmbajtje: “Taulant, çfarë të bëjmë tani? Pse u tërhoq shumica?” Ky tekst mesazhi na bën të dyshojmë për një
lloj varësie të disa protestuesve nga orientimi i këtij deputeti. Referuar këtyre të dhënave ngrihen dyshime se deputeti i Kuvendit të Shqipërisë, Taulant BALLA ka kryer veprime, të cilat mund të kenë shtyrë një numër të caktuar protestuesish për të ndërmarrë veprime të dhunshme kundër forcave të policisë.

2-Referuar deklarimit të deputetit Tom DOSHI, dhënë me cilësinë e personit që ka dijeni për rrethana të hetimit datë 21 shkurt 2011, rezulton se ai ka organizuar pjesëmarrjen e personave nga komunat Bushat, Dajç, Velipojë, Gur i Zi, Oblik etj, në tubimin e protestës të datës 21 janar 2011. Nga pamjet filmike të administruara në funksion të këtij procedimi penal, evidentohet se shumë protestues të ardhur nga Shkodra apo zona të tjera përreth, janë organizuar nga ana e deputetit Tom DOSHI për të marrë pjesë në tubimin e protestës së datës 21 janar 2011. Po nga të njëjtat pamje filmike mund të dallohet se shtetasit Lin Ndreu dhe Gjin Ndreu, tashmë të dënuar me vendim të gjykatës, por edhe shtetas të tjerë pjesëmarrës në këtë protestë, përpara se të konfrontohen me forcat e policisë, kontaktojnë në mënyrë të përsëritur me deputetin e Kuvendit të Shqipërisë, shtetasin Tom DOSHI.

3-Si përfaqësues i subjektit politik Partia Socialiste e Shqipërisë, kryetari i kësaj partie për Tiranën, deputeti Besnik BARAJ, me shkresën nr. 2 prot, datë 19.01.2011, ka njoftuar Drejtorinë e Policisë Tiranë për kryerjen e një tubimi proteste më datë 21 janar. Në përgjigje të kësaj kërkese, Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë i është drejtuar kërkuesit me shkresën nr. 430/14 prot., datë 20 janar 2011, duke i bërë me dije se në respekt sa parashikon ligji Dr. 8773 datë 23.04.201 Për Tubimet“, kërkuesi duhet të përcaktojë drejtuesit e tubimit dhe ndihmësit e tij, duke i pajisur këta me shenja dalluese, konform nenit 10 të këtij ligji. Gjithashtu, nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë është kërkuar edhe përcaktimi i orarit të përfundimit të tubimit, si edhe itinerari që do të ndiqej nga pjesëmarrësit. Në vijim të korrespondencës, z. Baraj, me shkresën nr. 3 prot., datë 20.01.2011, e njofton përsëri Drejtorinë e Policisë për zhvillimin e tubimit, por duke shpërfillur kërkesat e nenit 10 të ligjit nr. 8773, datë 23.04.201 Për Tubimet, pasi nuk ka përcaktuar se kush do të ishin personat konkretë që do drejtonin tubimin dhe as ndihmësit e tyre, të cilët dhe do të garantonin mbarëvajtjen e tubimit. Kështu, siç dhe kishin njoftuar, më datë 21 janar 2011, subjekti politik kërkues zhvilloi tubimin e protestës, i cili nga pjesëmarrësit degradoi në veprime të dhunshme ndaj forcave të policisë, të Gardës së Republikës dhe pasurisë shtetërore dhe private. Në kushtet kur deputeti Besnik Baraj është përfaqësuesi i subjektit politik që merr përsipër zhvillimin normal të një tubimi paqësor dhe për shkak të mosmarrjes së masave të nevojshme në përputhje me ligjin për tubimet, shpërfillje e cila ndikoi në degradimin e protestës në akte të dhunshme, janë fakte të cilat krijojnë dyshimin e arsyeshëm se ai ka konsumuar elementët e veprës penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme“, parashikuar nga neni 262 i Kodit Penal. Në referencë të rrethanave të përmendura rezulton se ekzistojnë të dhëna dhe indicio, për të cilat çmohet e nevojshme të zhvillohen hetime për sqarimin e pozicionit të deputetëve Taulant Balla, Tom Doshi e Besnik Bare në raport me këtë vepër penale.

 

 

Protestuesi nga Librazhdi: Ja pse i shkrova deputetit Balla

Dëshmia e Igers Vangjelit, i cili kishte ardhur nga Maqedonia për demonstratën e 21 janarit. “U arrestova në momentin që po nisesha për në Librazhd me autobusin pa lekë”

 

Procesverbal për marrjen e të dhënave nga personi ndaj të cilit zhvillohen hetime, Igers Vangjeli, ditëlindja 24.05.1990. Me vullnetin e tij të lirë, ai deklaroi: U njoha me shpjegimet e mësipërme, e kuptova se ndaj meje zhvillohen hetime për veprat penale të “kundërshtimit të punonjësit të policisë”, në lidhje me ngjarjen e ndodhur pranë Kryeministrisë Tiranë. Për momentin nuk kërkoj avokat në hetim. Unë vetë jam student në Maqedoni, vazhdoj arsimin e lartë në këtë shtet. Më datë 17.01.2011 jam kthyer nga Maqedonia në Shqipëri për në banesën time, të cilën e kam në Librazhd. Jam simpatizant i Partisë Socialiste, pra kam bërë përpjekjet e mia që të aderoj dhe të afirmohem në këtë parti. Pasi jam kthyer në banesë në Librazhd, nga biseda që kam bërë me shokët e mi, simpatizantë të PS-së, e kemi lënë që në datën 21 janar të merrnim pjesë në protestë. Së bashku me mua në këto bisedime që bëra me shokët e mi në Librazhd ishte i pranishëm edhe shoku im Marjuz Golemi. Më datë 21 janar 2011, rreth orës 11:00, unë së bashku me Marjuzin jemi nisur nga Librazhdi me një furgon ngjyrë jeshile, pronarin e furgonit nuk e njihja, për të marrë pjesë në protestë. Në Tiranë, unë dhe Marjuzi kemi arritur në orën 13:20 dhe kemi zbritur nga furgoni në rrugën e Elbasanit. Pasi kemi zbritur nga furgoni, unë dhe Marjuzi kemi shkuar në banesën e një mikut tim në Tiranë, i cili quhet Bujar Bici. Kemi ngrënë bukë te shtëpia e Bujarit dhe më pas së bashku me Marjuzin kemi dalë në demonstratë. Me Marjuzin, si vendndodhje ndodheshim te ‘Kullat Binjake’. Kur dolëm te demonstrata ku kishte shumë njerëz, kam dëgjuar disa krisma dhe më pas ka shpërthyer një re tymi me ngjyrë të bardhë. Protestuesit janë larguar me vrap nga vendi ku doli tymi, se të shkaktonte djegie nga sytë. Së bashku me protestuesit jam larguar edhe unë. Në këtë kohë nxjerr telefonin nga xhepi dhe i shkruaj një mesazh deputetit të Librazhdit, Taulant Balla, me këtë përmbajtje: ‘Pse u tërhoq shumica e protestuesve dhe çfarë do të bëjmë?’ Protestuesit, pasi janë larguar nga tymi që të shkaktonte djegie të syve, janë afruar prapë. Pas përdorimit të tymit nga ana e policisë, kam parë një zjarrfikëse, e cila po lagte me presion protestuesit para Kryeministrisë. Duke qenë se presioni i ujit ishte i lartë dhe të dëmtonte nga ana shëndetësore, unë dhe Marjuzi kemi kaluar në pjesën e prapme të ‘Kullave Binjake’, me qëllim që të mos na kapte presioni i ujit. Kam parë protestues të ndryshëm që qëllonin me gurë ndaj Kryeministrisë dhe punonjësve të policisë; kam parë se po djegin makina. Godisnin me shkopinj dhe mjete të tjera të forta punonjës të policisë dhe makina. Më vonë, duke qenë se autobusi i protestuesve që kishin ardhur nga Librazhdi ishte pa lekë, jam nisur për të hipur në autobus, por më kapi policia. Kam për të sqaruar se në vendin ku ndodhesha unë në demonstratë kishte edhe persona të tjerë që kishin ardhur nga Librazhdi për të protestuar. Unë gjatë gjithë kohës në demonstratë kisha me vete Marjuzin. Unë mora pjesë në këtë demonstratë sepse kisha dëshirë të afirmohesha në forumet e Partisë Socialiste, pasi më datë 29 janar 2011 do të merrja pjesë në Asamblenë e Forumit Rinor, ku do të flisja në emër të rinisë socialiste të Librazhdit. Për këtë gjë kisha vënë në dijeni edhe deputetin e zonës sonë dhe ai ishte dakord që unë të merrja pjesë në këtë mbledhje dhe të flisja. Procesverbalin e deklarimit, pasi e lexoj dhe konstatoj se thëniet e mia janë shkruajtur ashtu siç u shpreha në hetim, e nënshkruaj pa vërejtje.

 

Sms në telefonin e Igers Vangjelit

1-Gersi. Taulanti jam, po ju kërkoj kudo, më ço një sms kur ta hapësh.

Mesazhi i dërguar nga numri 06820…në emër të shtetasit Taulant Balla, datë 21.01.2011 ora 23:49:58

2-Taulant, çfarë të bëjmë tani? Pse u tërhoq shumica?

Dërguar në numrin 06820… në emër të shtetasit Taulant Balla

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas