Aktualitet

Imobiliarët: Rivlerësimi rrit shitjet e pasurive me 25%

Dhjetori ka “çmendur” shitblerjet e pasurive të paluajtshme. Tregu imobiliar ka dalë nga stanjacioni i tri viteve të fundit duke u gjallëruar në drejtim të shitblerjeve. Ka qenë procesi i rivlerësimit që ka gjallëruar tregun në fjalë. Agjentët imobiliarë në kryeqytet deklaruan dje për “MAPO” se procesi i rivlerësimit ka nxitur njerëzit të shesin pasuritë e tyre të paluajtshme, duke bërë që ky sektor të ketë pasur 25% më shumë shitje se në fund të vitit 2010. “Procesi i rivlerësimit ka kaluar nëpër dy kategori të interesuarish. E para janë personat, të cilët kanë rivlerësuar pasuritë për të ditur se sa kushtojnë ato dhe këtë e kanë bërë në zyrat e Hipotekës me çmime reference, dhe e dyta është kategoria e personave, të cilët janë nxitur të shesin shtëpinë dhe e kanë rivlerësuar atë me ekspert të autorizuar me çmimin e tregut, pasi në këtë mënyrë ata kanë fituar 9 % të shumës”, – u shpreh Granik Shtraza, menaxher i një agjencie imobiliare në kryeqytet. Sipas agjentëve, muaji dhjetor ka shënuar pikun e procesit të rivlerësimit të pasurive duke kaluar nivelin e 50% në krahasim me muajt paraardhës që kur ka hyrë në fuqi ligji i faljes fiskale. Agjentët kanë deklaruar se janë 70% e emigrantëve të ardhur për pushime që kanë bërë rivlerësimin e banesave të tyre. Madje, agjentët theksojnë se emigrantët këtë vit erdhën më parë se vitet e shkuara në atdhe, pikërisht për të përfituar nga rivlerësimi i pasurive me 1% të shumës totale të vlerës së banesës. Agjentët imobiliarë kanë raportuar sipas të dhënave paraprake se ditët e para të janarit kanë qenë më të vakëta për agjencitë imobiliare, pasi qeveria e shtyu deri në fund të muajit mars procesin e faljes fiskale, pra përfshirë edhe rivlerësimin e pasurive të paluajtshme. Në këtë mënyrë, argumentojnë ata, duke ndjekur traditën, shqiptarët i lënë veprimet për në fund dhe presin për të rivlerësuar pasuritë e paluajtshme në dy muajt që do të pasojnë. Qeveria, duke parë fluksin e personave të cilët kanë rivlerësuar banesat gjatë muajit dhjetor, mori vendimin për të shtyrë procesin e rivlerësimit të pasurive të paluajtshme deri në 31 mars 2012. Të gjithë ata që deri tani banojnë në apartamente që nuk janë të hipotekuara, por gjithashtu nuk kanë as kontratë shitblerjeje dhe legalizimi, do të tatohen 10 herë më shumë për të fituar hipotekën e shtëpisë së tyre, në krahasim me ata qytetarë që e kanë kontratën e shitblerjes dhe legalizimit të apartamentit. Duke iu referuar ligjit për legalizimin e kapitalit dhe faljes së një pjese të borxhit tatimor dhe doganor, qytetarët pa kontratë do të paguajnë për hipotekimin e apartamentit 10% tatim dhe ata, të cilët e kanë kontratën do të tatohen vetëm me 1%. Tatimi i rivlerësimit të pasurisë së paluajtshme do të llogaritet 1% e diferencës midis çmimit të rivlerësimit, me çmimin e blerjes së pasurisë në kontratën paraardhëse të shitblerjes. Në rastet kur pasuria e paluajtshme e regjistruar në ZVRPP nuk ka një kontratë paraardhëse shitblerjeje, tatimi i rivlerësimit të pasurisë së paluajtshme do të llogaritet sipas metodikës së përdorur në udhëzimin përkatës “Për tatimin e kalimit të së drejtës së pronësisë së paluajtshme”, të ndryshuar. Gjatë plotësimit të formularit të aplikimit, për rivlerësim të pasurisë së paluajtshme, zyra vendore e regjistrimit të pasurive llogarit masën e tatimit të rivlerësimit. Aplikuesi paguan në bankë, për llogari të Buxhetit të Shtetit të Ministrisë së Financave, tatimin 1% të rivlerësimit të pasurisë.

 



 

 

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas