Editorial, Kryesore

Ilir Metës i rri ‘ngushtë’ posti i Presidentit

Nga Ervis Iljazaj

Konflikti midis Presidentit dhe Kryeministrit qartësisht nuk është një konflikt kushtetues, por politik. Nëse do të ishte i tillë, do të mjaftonte një takim normal midis të dyve për të zgjidhur ngërçin institucional që është krijuar.



Për shkak të personazheve, të historisë së tyre politike dhe marrëdhënieve të së kaluarës, herët apo vonë, do të ndodhte një përplasje e tillë politike.

Me zgjedhjen e Ilir Metës si President të Republikës, Partia Socialiste mendoi gabimisht se do ta neutralizonte politikisht. Por, fakti e tregoi që Ilir Meta është një figurë politike më e fortë se sa kompetencat e tij si President. Në këtë kuptim, ai mbetet një alternativë politike.

Figurat të tilla të forta politikisht, nuk janë aspak të përshtatshme për poste institucionale neutrale, por janë të prirura për të zhvilluar beteja politike.

Kështu që, posti i Presidentit Ilir Metës, është një post që i rri “ngushtë”, duke qenë se është një politika race, dhe jo një figurë e ftohtë institucionale.

Me të gjitha karakteristikat e tij, Ilir Meta i duhet jetës publikë si kundërshtar i qeverisë dhe jo si President. Opozita do të ishte forcuar së tepërmi nëse do ta kishte faktikisht në radhët e saj, dhe, kjo do t’i bënte mirë garës politike.

Mirëpo, ka një problem në të gjithë këtë histori, Ilir Meta aktualisht është Presidentin e Republikës së Shqipërisë. Prandaj, duhet të zgjedhë midis rolit të opozitarit dhe kundërshtarit të qeverisë dhe Presidentit. Të dyja bashkë, janë në konflikt me njëra-tjetrën.

Qeveria e Edi Ramës, për shumë arsye ndoshta meriton të rrëzohet, por ta bësh këtë nga posti i Presidentit të Republikës, është tërësisht kundër logjikës së demokracisë dhe rendit Kushtetues të Shqipërisë. Kundërshtari politik, mundet nëpërmjet garës elektorale dhe votave, dhe jo nëpërmjet makinacioneve institucionale.

Përtej debatit nëse Meta kishte të drejtë apo jo në mos dekretimin e Sandër Lleshit si ministër i Brendshëm, ky rast, tregoi edhe njëherë se, posti dhe kompetenca te Presidentin shpeshherë marrin formën e personit që ndodhet në krye të atij institucioni.

Në këtë kuptim, një personalitet i fortë politik siç është ai i Ilir Metës, përbën një rrezik për cenimin e Republikës Parlamentare shqiptare.

De facto, me mos dekretimin dhe interpretimin që Ilir Meta po i bën Kushtetutës, po e kthen Shqipërinë në një republikë gjysmëpresidenciale të tipit francez, ku Presidenti emëron dhe shkarkon ministrat në fakultet të plotë. Mirëpo, kjo është kundra logjikës së rendit kushtetues të Shqipërisë dhe parlamentarizmit të saj.

Sepse, ndryshe nga Franca, Presidenti i Republikës në Shqipëri, as nuk ka pushtet ekzekutiv, dhe as zgjidhet direkt nga populli që të ketë të drejtë të ushtrojë kompetenca në qeverisjen e vendit.

I vetmi organi në Shqipëri, sipas modelit demokracisë së saj dhe formës së qeverisjes, i cili ka të drejtë të votëbesojë dhe emërojë qeverinë dhe anëtarët e saj, është Parlamenti. Shqiptarët, për të vetmin pushtet që votojnë, është pushteti legjislativ dhe përfaqësuesit e tyre në Parlament, nëpërmjet të cilit ushtrojnë sovranitetin e tyre. Madje, me këtë sistem zgjedhor që kemi aktualisht, as për përfaqësuesit e tyre nuk votojnë, por vetëm për siglat e partive politike, të cilat janë motori i qeverisjes në Shqipëri.

Për të gjitha këto arsye, refuzimi i dekretimit të një ministri nga e Presidentit, që deri më tani nuk ka patur publikisht asnjë argument kushtetues, përbën një precedent të rrezikshëm për Republikën Parlamentare të Shqipërisë.

PasPara

1 koment

  1. deri tani analiza qe presidenti ju ka bere ligjeve nuk ka rezultuar e gabuar perkundrazi analiza e drejte e ligjeve ben qe te mos shkelen ato dhe kushtetuta,ky artikull eshte tendecios dhe mbron qeverine qe gjitmone ka gabuar qellimisht ne interpretimet e ligjeve dhe shpesh here ka shkelur kustetuten

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas