Mapo Letrare

Ikonë e lirikës shqiptare

foto per dhori qiriaziNga Albert Rakipi

 



Dhori Qiriazi, poeti, përkthyesi dhe miku ynë i shtrenjtë, iku pesë vjet më parë. Ai na ka bërë një shenjë dhe ka ikur në mënyrën më të qetë dhe të pabujshme, krejt njëlloj si jeta dhe poezia e tij. E vetmja gjë që s’ka mundur të marrë me vete është poezia dhe fjala e tij.

Pesëdhjetë vjet më parë, Dhori Qiriazi, midis brezit të shkrimtarëve të viteve gjashtëdhjetë, u shfaq befasues, duke paralajmëruar një buqetë të veçantë në kurorën e lirikës shqiptare. Dhe ja ka mbërritur: fjalë pas fjale, libër pas libri, Dhori Qiriazi do të mbetet në kujtesën e sotme dhe të nesërme si një ikonë e lirikës shqiptare. Dhori Qiriazi është më së pari poeti dhe liriku i papërsëritshëm. Në bibliotekën e poezisë shqiptare, të gjitha librat e tij, që nga i pari “Kur zemra rreh së pari” dhe deri te i fundit, ende i pambaruar deri në fund,- janë të imët, të imët, si xhevahire të fshehura, që duhen zbuluar.

Dhori Qiriazi është edhe rasti i mbijetesës. Nëse besojmë se arti dhe poezia, si një thelb i artit është një komunikim me lirinë, rasti i Dhori Qiriazit është pa frikë rasti i mbijetesës, pa e tradhtuar komunikimin me lirinë. Për më shumë se tridhjetë vjet në Ersekë, në atë qytet të vogël juglindor të Shqipërisë, kur jo rrallë, ashtu si në të gjithë vendin, por atje ndoshta edhe me ashpër, frynin erëra të acarta edhe për shpirtin, edhe për lirinë e njeriut, Dhori Qiriazi nuk mund të ishte tjetër, veçse Bohemi shpërfillës përmes vargut të pabujë dhe tronditës, me thjeshtësinë dhe bukurinë e tij. Gjithë jeta e tij intelektuale ka qenë njëherazi edhe një mundim dhe në të njëjtën kohë një shpëtim.

Ne sot duhet të kujtojmë dhe të nderojmë përveç poetit edhe shqipëruesin e talentuar: Robert Bërnsi, Petrarka, Nekrasovi etj., folën një shqipe të mrekullueshme për shkak të shpirtit dhe përkushtimit të Dhori Qiriazit. Dhori Qiriazi, poeti, shkrimtari, përkthyesi dhe mësuesi i talentuar na ka bërë një shenjë të fundit dhe ka ikur. Por vargu i fundit, i shkruar nga shpirti i tij “Kam qenë i lirë” është si një testament i lënë prej tij: Na përket të gjithëve. U përket të gjithëve. Të jeni të lirë.

*Politolog.

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



Pas