Kryesore

I huaj në vendin tënd. Drama e emigrantit shqiptar

Drama e emigracionit të gjatë pa mundësi integrimi jashtë apo në atdhe ka prekur me mijëra familje shqiptare. Ata që po kthehen pas dhjetëra vitesh jashtë, apo pas refuzimit të një kërkese për azil, përballen në Shqipëri me mungesën e strukturave publike që do ta lehtësonin riintegrimin e tyre.

Nga Albana Muçaj, BusinessMag.al



Adil Brahaj është 38 vjeç. Gati 20 vitet e fundit të jetës së tij i ka kaluar si emigrant jashtë vendit, shumë vite në Greqi, e pesëvjeçarin e fundit në Suedi dhe Gjermani. Ka vetëm një javë që është kthyer në Shqipëri ditën kur e takojmë në një kafe pranë sheshit Avni Rustemi në Tiranë. Prej tre ditësh Adili ka filluar punë në një call center (në gjermanisht), i cili ndodhet pranë këtij sheshi.

Adil Brahaj është 38 vjeç. Gati 20 vitet e fundit të jetës së tij i ka kaluar si emigrant jashtë vendit, shumë vite në Greqi, e pesëvjeçarin e fundit në Suedi dhe Gjermani. Ka vetëm një javë që është kthyer në Shqipëri ditën kur e takojmë në një kafe pranë sheshit Avni Rustemi në Tiranë. Prej tre ditësh Adili ka filluar punë në një call center (në gjermanisht), i cili ndodhet pranë këtij sheshi.

Me shikimin e përhumbur, tipike për shumë emigrantë që rikthehen në vend, Adili tregon se e kanë kthyer nga Gjermania, ku kërkonte azil prej tre vite e gjysëm. Nuk di të spjegojë shumë, ende nuk i ka kuptuar arsyet e dëbimit pa një njoftim paraprak.

Shqetësimi i tij i parë janë gruaja dhe djali. Të parës i është ndërprerë terapia që ndiqte tek psikiatri, ndërsa djalit tre vjeçar i janë theksuar problemet e sëmundjes së tij kronike me laringun. Në telefonatë me gruan mëson se djali është me 40 temperaturë. E takojmë në pushimin e tij të drekës, ndërsa shpesh shikon orën, që të rikthehet në kohë në punën e tij të re.

‘’Me 250 euro të ardhura mujore, nuk do të mund të siguroj mbështetje për gruan dhe djalin’’, thotë Adili. Nuk di ku të drejtohet për të marrë informacione, apo një përkrahje të mundshme. ‘Ndihem i huaj këtu. Nuk di të orientohem. Disa herë kam ngatërruar stacionin e autobuzit për kthimin në shtëpi, dhe përfundoj të bëj në këmbë shumë pjesë të rrugës’’, thotë ai.

Nuk e di sa funksionale janë zyrat e punës në Tiranë. Ndaj thotë se nuk është prezantuar aty për t’u regjistruar si i papunë. Adil Brahaj ka punuar 1 euro/orë (5 orë në ditë) në komunën ku jetonte në Gjermani. Një punë kjo që shpreh dëshirën e tij për t’u integruar atje.

I përhumbur në Tiranë, Adili përsërit nevojën për psikologë e psikiatër për gruan, por tronditja e tij, të lë të kuptosh se edhe ai vetë ka nevojë për një psikolog.

Drama e familjes shqiptare që ka ‘humbur’ vite në përpjekje për të ndërtuar një jetë jashtë vendit nuk është e re. Shqetësimi, është se ajo po përsëritet në mënyrë konsistente, si për të treguar se asnjë hap nuk po bëhet në këtë drejtim.

Adili tregon se në Greqi, ka punuar në bujqësi, kamarier, shofer, murator, e sërish në bujqësi gjatë periudhës së krizës ekonomike atje. Në këtë periudhë krize, është rikthyer shumë pak dhe madje ka menduar të ndërtojë një jetë në Tiranë, por pa sukses.

Mediat gjermane: familja ishte e mirëintegruar

Disa media gjermane kanë shkruar për rastin e Adilit. ‘’Lübecker Nachrichten’’ dhe ‘’Segeberger Zeitung’’, u referohen vullnetarëve që kishin në patronazh familjen Brahaj, avokatit dhe përfaqësues të disa institucioneve. Përshtypja e krijuar gjatë takimit me Adilin, se ai është një kryefamiljar me kulturë  pune e dëshirë të madhe për t’u integruar, përkon me atë çfarë shkruhet në artikujt e mediave gjermane.

Largimi i papritur i familjes, cilësohet si një veprim i parë vetëm nëpër filma. ‘Nuk kishte asnjë komunikim nga zyrat e huaja që familja duhet të largohej’, thuhet në media. ‘’Familja ishte mirëintegruar, pastaj lejohet që me një fëmijë të sëmurë të përzihet nga Ricklingu? Kjo është përzërja jonë e parë’’, thotë Irmela Bartels, vullnetare.

Vetë Adili nuk arrin ta spjegojë largimin pa paralajmërim, apo edhe faktin që nuk i është lejuar të përdorë telefonin. ‘’Çdo person që ka nevojë, i lejohet që t’i telefonojë avokatit të tij’’, thekson  znj. Bartels, në media, e cila se bashku me me një tjetër ndihmëse Dr. Anne Engelhard  kanë arritur të takojnë familjen e përzënë në momentin e nisjes me autobus në drejtim të aeroportit të Frankfurtit. “Kemi mundur që t’i japim gruas disa ilaçe të rëndësishme”, thotë Bartels.

Adili po përgatitej të niste një shkollë të profesionale, ndërsa kishte gjetur vendin e punës (kusht për shkollën). Ne gazetën gjermane, citohen përfaqësuesit e zyrës së punësimit. Regine Gühlstorf thotë se ‘’Ne si firmë nuk arrijmë ta kuptojmë, e kishim mundësinë e punësimit të tij, në praktikë ishte shumë i mirë, kontrata ka qenë e mbyllur, do të ishte një situatë e favorshme. Përzënia qendron ende e paqartë. I riu shqiptar është një njëri i përkryer, flet shumë mirë gjermanisht, është i vullnetshëm dhe dëshiron të punojë, por për fat të keq për zyrat e huaja kjo nuk mjafton. Kjo varet nga ligjet e Asylit. Unë e kam njohur familjen personalisht. Jam shumë e mërzitur, por ky është mendimi im personal’’. Shqetësime në media janë ngritur edhe për djalin tre vjeçar. ‘’I diskutuesshëm është nëse fëmijës 3 vjeçar i lejohej të udhëtonte. Fëmija vuan nga sëmundja kronike ‘Pseudolaring’. Mjeku i familjes nuk lejohet të komentojë rastin për shkak të konfidencialitetit të tij. Megjithatë është në përgjithësi një inflamacion i qafës i karakterizuar nga kollitja dhe frymëmarrja. Në këtë rast duhet të merret menjëherë ilaçi i duhur. Por, ka raste që gjendja e fëmijës mund të bëhet shumë më dramatike dhe pacienti të mos marrë frymë dhe në një rast të tillë emergjent është e mundur vetëm në spital. Në autobus dhe aeroplan kjo gjë është shumë e rrezikshme’’, thuhet në mediat gjermane.

Shumë plane largimi, pak riintegrim

Me një nivel të lartë emigracioni, vitet e fundit e theksuar nga kërkesat për Azil, vendi nuk ka institucione specifike për rehabilitimin e riintegrimin e posaçësm të këtij kontigjenti në vend. Azilkërkuesit që kthehen në vend janë me mijëra, ndërsa dhjetëra mijëra të tjerë ‘vegjetojnë’ në shtetë të huaja, deri në një përgjigje, që përfundon të jetë masivisht negative, sidomos nga Gjermania.

Në tre vitet e fundit (2015-2017), të dhënat e Eurostat tregojnë se kanë kërkuar azil në vendet e Bashkimit Europian 132 mijë shqiptarë. Kjo është vetëm një pjesë e të larguarve. Mijëra të tjerë, po largohen nga vendi pasi pajisen me një kontratë pune, fitojnë llotarinë amerikane, apo shumë mënyra të tjera largimi, deri në formë ilegale.

Mëse e kuptuar në periudhën e ndërrimit të regjimit, emigracioni i shqiptarëve në fakt në më shumë se një çerek shekulli, rishfaqet në mënyrë të vazhdueshme e përmasa të mëdha, duke reflektuar pasojat e mungesës së vazhdueshme të një politike të mirëfilltë sociale, nivelit të lartë të korrupsionit e pasigurivë të mëdha që ofrohen në vend. Fakti konfirmohet nga të dhënat e Barometrit të Ballkanit, i cili tregon se vitin e kaluar 50% e të anketuarve planifikonin të largohen nga vendi. Shifër kjo në nivele të larta, e për më tepër në rritje (një vit më parë, 48% e të anketuarve planifikonin largimin nga vendi).

Institucionet publike e pranojnë dobësinë në ndalimin e kësaj rrjedhe emigracioni, e po ashtu edhe riintegrimin e emigrantëve të kthyer.

Në Strategjinë Kombëtare të Diasporës dhe Migracionit 2018-2024, Ministria e Diasporës, vë në dukje tre shkaqet pse emigrojnë shqiptarët. Shkaku kryesor pranohet të jetë faktori ekonomik. Në dokumentin e qeverisë thuhet se, “Shqiptarët largohen kryesisht për arsye ekonomike, të tilla si mungesa e mundësive për punësim, kushtet e vështira të jetesës, veçanërisht në disa zona ku mungojnë kushtet elementare si energjia elektrike, uji dhe strehimi”.

Arsyeja e dytë është siguria publike. Shqipëria është përballur me flukse masive emigratore, si pasojë e nivelit të ulët të sigurisë publike apo trazirave në vend. Një numër i madh i personave të kualifikuar me kushte të mira ekonomike janë larguar nga vendi për një të ardhme më të sigurt për veten dhe familjen e tyre.

Si faktor i tretë cilësohen institucionet e dobëta: Ato kanë krijuar mungesë besimi te qytetarët për përmirësimin e situatës në vend, vëren raporti, ku krimi i organizuar dhe korrupsioni paralizojnë funksionimin normal të institucioneve shtetërore.

Dokumenti që mban firmën e qeverisë shqiptare thekson se institucionet e dobëta dhe vështirësitë në zbatimin e ligjit ndikojnë në përpjekjet e emigrantëve për t’u rikthyer. ‘Në vitin 1990, 40% e arsimtarëve dhe studiuesve u larguan nga vendi’, sipas raportit. Fenomeni vijon me përmasa të mëdha, së fundi edhe me numrin e madh të studentëve.

Një studim i bërë nga Ardian Hackaj, Dr. Esmeralda Shehaj dhe Neshat Zeneli, mbi emigracionin në Gjermani në periudhën 2014-2016, rezulton se, një e katërta e të anketuarve nuk kanë pasur asnjë kontakt me institucionet publike në Shqipëri që nga kthimi i tyre. ‘Ata sillen sikur nuk kanë ikur kurrë nga Shqipëria dhe nuk kanë bërë ndonjë kërkesë për azil në vendet e BE-së. Gjtihsesi ata kanë qenë të paktën një herë në ambasadën gjermane në Tiranë pas kthimit’’. Studimi, ‘’Mbi njohjen e emigracionit Shqiptar në Gjermani 2014-2016’’ trregon se, ‘’nga të anketuarit që pranojnë se janë prezantuar në zyrat e punës, një prej tyre  është regjistruar në zyrat e punës në janar 2016, dhe nuk ka marrë asnjë njoftim nga zyra e punës, që atëherë.’’ Sipas këtij studimi, emigrimi i fëmijëve dhe riintegrimi i tyre në sistemin shkollor është një problem i vërtetë. Drejtori i shkollës Jordan Misja, në Shkodër, citohet të thonë se, ‘’në semestrin e parë të 2014-ës, më shumë se 10% e nxënësve kanë ikur me familjet e tyre. Që nga atëherë, rreth gjysma janë kthyer’’.

Në Shqipëri ka një strategji për riintegrimin e qytetarëve shqiptarë 2010-2015, një plan veprimi që synon të respektojë marrëveshjet e qeverisë Shqiptare me shtete të tjera për të pranuar qytetarët e kthyer. Por, një studim i bërë për emigrantët nga  Dr.Sidita Dibra; Irma Semini dhe Marsela Allmuça, tregon se, ‘’ strategjia fokusohet tek emigrantët e kthyer, por nuk përmend dhe nuk trajton kategorinë specifike të azilkërkuesve shqiptarë që kthehen në vendin e tyre të origjinës’’. Kjo kthehet, sipas studiuesve, në një pengësë për kryefamilarët në integrimin në punë, dhe për fëmijët në riintegrimin në shkolla.

Nuk ka një politikë apo dokument të shkruar për azilantët e kryer pasi, vetë qeveria, ashtu siç vlerësojnë edhe institucione ndërkombëtare e shtetet pritëse, Shqipëria cilësohet si një vend i sigurt. Ndaj edhe pse një femonen që ka marrë përmasa të mëdha (kërkezat për azil, refuzimi i tyre, nevoja për integrim) qeveria nuk e konsideron problem).

Ndër të paktat mundësi insitutcionale për riintegrim, është zbatimi i disa projekteve të huaja që kanë në fokus punësimin e të rinjve. Në vend, po zbatohen programe, të financuara nga qeveritë gjermane, zvicerane, etj., që synojnë emigrimin e ligjshëm më Gjermani, por mbi të gjitha riintegrimin e zhvillimin e të rinjve në Shqipëri. Një projekt është ‘’IDEA’’. Ai nxit hapjen e bizneseve të reja në Shqipëri, me një mesazh domethënës ‘Make it in Albania’.

 

Pak hapësira për riingegrim

Flet dok. Erka Çaro, studiuese

Ju keni studiuar për disa vite, fenomenin e migrimit të shqiptarëve. Përpjekjet e tyre për riintegrim në Shqipëri? Çfarë ka ndodhur, në veçanti me rikthimin e emgrantëve, së pari nga Greqia, dhe së fundi nga Gjermania?

Po është e vërtetë, janë dy forma të ndryshme rikthimi dhe kanë në thelb motive të ndryshme. Veç kësaj një ndryshim thelbësor qëndron dhë në procesin e riintegrimit pasi kthehen në vendin e origjinës.

Cili është fenomeni i emigrimit grek, rikthimit nga Greqia?

Kriza ekonomike ndërkombëtare e vitit 2008 preku më shumë pjesën juglindore të Europës, ku veçojmë Greqinë dhe Italinë. Pasojat më të rënda kriza ekonomike i pati në sektorët e ndërtimit dhe industrisë së rëndë, duke çuar në mbylljen e mjaft aktiviteteve, ristrukturim të tregut të punës, fleksibilitet të kontratave dhe marrëdhënieve në punë si dhe rritjen e konsiderueshme të nivelit të papunësisë. Të parët që humbën vendet e punës, sigurinë sociale dhe atë ekonomike ishin emigrantët.

Një pjesë e madhe e emigrantëve shqiptarë në Greqi mbetën pa punë, shpesh pa dokumenta dhe ishin të detyruar të riktheheshin në Shqipëri.  Sipas Institutit të Statistikave (2013) rreth 70% e të kthyerve ishin meshkuj, çka tregon se rikthimet nuk kanë qenë gjithmonë familjare por kryesisht individuale, duke u shoqëruar shpesh dhe me probleme sociale dhe psikologjike. Rikthimi ka qenë i vështirë e plot me sfida, ndërkohë që riintegrimi jo gjithmonë është arritur. Këta persona kthehen pas shumë vitesh largimi dhe shkëputje nga shoqëria shqiptare, shpeshherë mbi 25 vjet. Fëmijët e tyre flasin pak ose aspak shqip. Rrjetet e tyre familjare dhe shoqërore nuk janë më ose kanë ndryshuar.

Një pjesë e mirë vendosen në Tiranë duke shpresuar që aty do ketë më shumë mundësi adaptimi dhe pune. Ata kthehen me idenë që të investojnë në hapjen e një biznesi në Shqipëri apo investimi të kapitalit human dhe njerëzor që kanë mbledhur gjatë viteve të emigrimit. Investimet më të përhapura janë kryesisht në hapjen e restoranteve dhe fast food të stilit grek, parukeri apo dhe shërbime të tjera. Këto investime jo gjithmonë të suksesshme, duke i lënë të rikthyerit të zhgënjyer dhe pa shpresë.

Pothuajse të gjithë shprehen që nuk kanë marrë asnjë ndihmë nga shteti gjatë procesit të riintegrimit, përkundrazi janë penguar të investojnë për hapjen e bizneseve të tyre. Në momentin kur nuk ia kanë dalë kanë tentuar të largohen përsëri nga vendi, këtë herë si azilantë drejt shteteve më të zhvilluara si Gjermania apo shtetet nordike.

Kështu kalojmë tek azilkërkuesit në Gjermani. Cilat janë gjetjet tuaja tek kjo pjesë e fenomenit?

Migrimi i shqiptarëve si azilkërkues në Gjermani është një proces ende i pa hulumtuar siç duhet, sidomos nga pikëpamja akademike. Interesante në këtë proces është fakti i surprizës, është një fenomen që vështirë t’i bashkangjiten motive të arikuluara. Sigurisht që ka motive personale e familjare për njerëzit që ikin por nuk ka motive konkrete dhe të qarta për transformimin në një fluks largimesh, si flukset që kemi përjetuar në 1991 apo 1998.

Ndryshe nga vala e refugjatëve Sirianë apo nga vende të tjera në konflikt, të cilët qartësisht dihet përse largohen (megjithë retorikat e mediave, që shpesh i konsiderojnë si migrantë ekonomikë). Në rastin e Shqipërisë, por dhe të Kosovës, largimet janë të lidhura kryesisht me arsyet ekonomike. Nuk ka largime për motive konflikti apo për t’i shpëtuar luftës, logjikisht pasi nuk ka të tilla.

Ka dy skenarë të prezantuar në media që lidhet me motivacionet apo faktorët që kanë çuar në këto largime të organizuara. I pari është i lidhur më ndikimin qe ka patur shpërndarja e informacionit mbi nevojën e disa vendeve europiane për forcë punëtore të kualifikuara, kryesisht Gjermania. Nëse kujtoni në fillimet e largimeve, njerëzit kanë qenë të organizuar në grupe, me autobuzë apo mjete të tjera dhe nuk ka qenë lëvizje individuale dhe sporadike. Madje në ato fillime ka patur në qarkullim dhe disa teori ‘konspirative’ të organizimit të largimeve nga instanca politike për të dëmtuar partinë në pushtet.

Skenari i dytë, më zyrtar dhe i shprehur herët edhe nga Kryeministri në media është ai i lidhur më ri-qarkullimin e migrantëve të kthyer, kryesisht nga Greqia. Kjo u theksua dhe nga media ndërkombëtare si BBC apo Independent Balkan News Agency. Mendohet se migrimi i kthimit, pra kthimi i individëve që humbën punët e tyre në Greqi e Itali për shkak të krizës ekonomike ka stimuluar dhe nxitur ri-emigrimin e tyre në vende të tjera më të zhvilluara. Kjo e shkaktuar kryesisht nga vështirësitë e riintegrimit të këtij grupi në vendin e origjinës duke i shtyrë ata drejt një largimi të dytë.

Me këtë retorikë, kryeministri ka mbrojtur dhe pozitat e tij dhe të situatës ekonomike të vendit duke theksuar që vala e azilkërkuesve nuk është e lidhur me problemet ekonomike dhe nivelin e papunësisë në vend por me vështirësistë për t’u përshtatur, të një komuniteti që prej vitesh është larguar nga Shqipëria dhe që e detyruar nga kriza ekonomike u rikthye.

Për vitin 2015, shqiptarët në Gjermani qëndronin në vendin e katërt për nivel të azilkërkuesve ndërsa shqiptarët e Kosovës në vend të dytë (Guy Delauney for BBC News, 8 Shtator 2015). Duhet theksuar se ka një rritje të konsiderueshmë krahasuar me vitin 2014.  Pas vitit 2016 kemi ulje të konsiderueshme të largimeve ndërkohë që kthimet janë të shumta, kryesisht si rezultat i mohimit të statusit të refugjatit nga instancat përkatëse ne vendet ku ata kanë bërë kërkesat.

Çfarë ndodh në momentin e rikthimit, a kemi struktura riintegrimi?

Rikthimi i migrantëve dhe i azilkërkuesve shoqërohet me disa probleme siç janë pasiguria fizike, pasiguria sociale dhe psikologjike, pasiguri materiale, legale etj. Pas fluksit të rikthimeve të emigrantëve shqiptarë kryesisht nga Greqia, u përpilua dhe një strategji riintegrimi në nivel kombëtar, strategji që përfundoi në vitin 2016 dhe nuk u shoqërua nga një tjetër. Për fat të keq, kjo strategji nuk ishte rezultative dhe nuk pati ndikimin e duhur te emigrantët e kthyer, madje shumica e tyre as nuk ishin në djeni të një strategje të tillë. Në përgjithësi, procesit të riintegrimit duhet t’i kushtohet më shumë rëndësi në pikpamje të qëndrueshmërisë, pra që riintegrimi të jetë afatgjatë dhe i qëndrueshëm dhe jo sporadik dhe afatshkurtër. Që të arrihet një integrim i qëndrueshëm duhen përmbushur shumë detyra dhe mbajtur në konsideratë shumë elementë – me kuptim për situatën në Shqipëri do kishte rivitalizimi i ekonomisë, krijimi i vendeve të punës, një ristrukturim dhe përshtatje e sistemit arsimor, por edhe atij shëndetësor, rritje e besimit te strukturat shtetërore etj.

Kush rezulton se po has më shumë vështirësi për t’u riintegruar në Shqipëri?

Vështirësitë më të mëdha në procesin e riintegrimit, për mendimin tim, i kanë shfaqur migrantët e kthyer nga Greqia. Kjo për vetë faktin e kthimit pas një kohe të gjatë ku tashmë vendi i origjinës është kthyer në një vend të huaj. Shpesh e kanë thënë dhe me gojën e tyre “ndihemi të huaj në vendin tonë”. Rikthimi i azilantëve sigurisht është traumatik, sidomos nga pikpamja ekonomike, pasi shpesh përpara largimit familjet shesin gjithçka me qëllimin që të paguajnë udhëtimin. Gjithsesi largimet e tyre nuk zgjasin më shumë se dy vjet çka e bën më të lehtë përshtatjen pas kthimit. Zhgënjimi, humbja e shpresës dhe dëshira për t’u larguar përsëri janë element që hasen te të dy grupet.

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas