Aktualitet

I akuzuari për vrasje sfidon policinë: Kam video që provon pafajësinë

I akuzuari për vrasjen e Ilir Rexhepit mbrëmjen e 30 dhjetorit në Elbasan, ka sfiduar dje policinë duke nisur një letër, ku thotë se është i pafajshëm dhe se avokati i tij do të paraqesë edhe pamje filmike të kamerave të sigurisë të një lokali që e vërtetojnë këtë. Bledar Muça ka dërguar një letër nga Belgjika, ku thotë se ndodhet pranë familjes, ndërsa policia e ka shpallur atë në kërkim për vrasjen e 30 dhjetorit, ndërsa ka arrestuar edhe një kontrollor të dyshuar se e ka ndihmuar atë të kalojë kufirin ndërkohë që ndodhej në listën e të kërkuarve.



Letra

Muça shkruan se policia e ka akuzuar atë me pa të drejtë, edhe pse nuk ka bërë me dije se përse është akuzuar pikërisht ai në lidhje me këtë krim dhe jo dikush tjetër, ndërsa ka premtuar se do të ketë shumë shpejt një video që do të sqarojë plotësisht pozicionin e tij. Ndërkohë, ai ka theksuar edhe se gjatë kohës që ka qëndruar në Elbasan, nuk ka qenë i fshehur dhe policia nuk e ka kontaktuar në lidhje me ngjarjen. Muça pranon se është akuzuar për vrasjen, por nuk ka bërë me dije nëse ai e dinte këtë pakt para se të largohej nga Shqipëria, apo e ka mësuar këtë pasi ka ikur prej saj. Ndërkohë nuk ka pasur një reagim zyrtar të policisë në lidhje me këtë letër, edhe pse ajo ka pohuar shpalljen në kërkim të tij në lidhje me vrasjen e Rexhepit dhe ka arrestuar një kontrollor të pikës së kalimit kufitar në Kapshticë, pasi i ka mundësuar këtij të fundit largimin nga Shqipëria ndërkohë që ishte në kërkim.

Arrestimi

Një kontrollor i pikës kufitare të Kapshticës, i cili akuzohet se lejoi të kalonte për në shtetin grek të dyshuarin për vrasjen e Ilir Rexhepit në Elbasan, edhe pse e kishte atë në listën e të kërkuarve, është arrestuar nga SHKB-ja e këtij qyteti dy ditë më parë. Ndërkohë policia pohoi se ka zbardhur edhe detaje të vrasjes së 30 dhjetorit, ku humbi jetën Ilir Rexhepi, vëllai i ish-agjentit të antidrogës, Roland Rexhepi, i cili u vra dy vjet më parë. Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në Drejtorinë e Policisë së Elbasanit tha se ka arrestuar Ardjan Çekiçin 45 vjeç, me banim në Pogradec, me detyrë kontrollor në pikën kufitare të Kapshticës, pasi akuzohet “për veprën penale të përkrahjes së autorit të krimit”. Sipas deklaratës zyrtare të Drejtorisë së Policisë Elbasan, kontrollori i pikës kufitare ka lejuar të kalojë në territorin grek i dyshuari për vrasjen e Ilir Rexhepit, që është identifikuar nga policia si Bledar Muça. Kalimi i pikës kufitare nga i shumëkërkuari ka ndodhur të mërkurën rreth orës 10:15, ndonëse sipas Drejtorisë së Policisë së Elbasanit, ai ndodhej në listën e të kërkuarve për krime.

 

Ngjarja

 

Ekzekutimi i Ilir Rexhepit, dyshohet hakmarrje

 

Policia e Elbasanit ka identifikuar Bledar Muçën si autorin e vrasjes që tronditi qytetin më datë 30 dhjetor, në të cilën u ekzekutua me armë Ilir Rexhepi në një rrugë kryesore, pranë lagjes “Vullnetari”. Muça është shpallur në kërkim dhe një mandat arresti pritet të lëshohet edhe në policinë ndërkombëtare “Interpol”, pasi ai nuk ndodhet më në Shqipëri.  Një javë më parë, 24 orë përpara ndërrimit të viteve, Ilir Rexhepi u ekzekutua me një breshëri automatiku gjatë daljes nga një lokal. Në vazhdën e hetimeve, 15 persona u shoqëruan në komisariat derisa u bë i mundur përcaktimi i një piste dhe një motivi. Viktima ishte presidenti i një shoqërie të policisë private në qytet dhe njëkohësisht është vëllai i ish-policit të vrarë dy vjet më parë, Roland Rexhepi, i njohur ndryshe si Doda. Gjyqi i Dodës ende nuk ka përfunduar, ndonëse vrasja ka ndodhur që më 22 korrik të 2009-ës. Në seancën e fundit prokuroria kërkoi 48 vite burg për dy të dyshuarit për këtë krim. Dyshohet se vrasja e dytë që tronditi familjen Rexhepi është motivuar nga hakmarrja, por zyrtarisht ende nuk dihen arsyet e kësaj ngjarjeje. Muça që akuzohet nga policia, ka dërguar një letër publike ku shpallet i pafajshëm për krimin dhe thotë se ka një video që e provon këtë.

 

Letra e të kërkuarit

 

“Nga Shqipëria ika duke mbajtur radhë në Kapshticë”

 

Drejtuar mediave lokale në Elbasan, gazetave dhe Tv kombëtare

Unë që po ju shkruaj quhem Bledar Muça, personi që ju sot (dje) keni publikuar në media si autor i dyshuar i vrasjes së shtetasit Ilir Rexhepi. Dua t’ju bëj me dije se kam rreth 48 orë që kam lënë territorin shqiptar dhe kam kaluar nga pika kufitare e Kapshticës së bashku me bashkëshorten time për të udhëtuar drejt Belgjikës, aty ku familja ime kaloi festën e ndërrimit të viteve. Dua t’ju informoj mbi atë akuzë që kanë ngritur ndaj meje, se veçse është absurde, cenon rëndë dinjitetin tim dhe atë të familjes sime. Unë jam shtetas anglez dhe kam mbërritur në Shqipëri përpara Krishtlindjeve. Festën e Vitit të Ri e kam festuar në Elbasan së bashku me time shoqe dhe miq të mi, duke festuar si të gjithë ju, madje duke qenë gjatë gjithë ditëve deri përpara ikjes sime nga Shqipëria në bulevardin e qytetit tim dhe pranë të afërmve të mi. Nuk kam pasur asnjë shqetësim në të gjithë kohën që kam qëndruar në Elbasan, qoftë nga organet policore e qoftë nga të tjerët. Dua t’ju bëj me dije se në lidhje me atë çfarë më akuzon policia, jam krejtësisht i gatshëm të përballem në çdo kohë dhe në çdo moment, kur të kthehem sërish në Shqipëri, kur të marr disa ditë pushime nga pronari im në Londër. Kërkoj nga ana juaj që të paktën këtë herë të tregoheni realistë dhe të vëmendshëm me akuzën e ngritur ndaj meje, sepse duke bërë të kundërtën, ju dëmtoni rëndë shëndetin e familjes sime dhe e njollosni atë duke ia quajtur djalin kriminel. Unë kam kaluar në pikën kufitare të Kapshticës si çdo qytetar i kësaj bote, pa kurrë farë problemi, e duke ndenjur në radhët e gjata të pikës kufitare greke, por s’kam pasur qoftë edhe problemin më të vogël në asnjë moment. Shumë shpejt avokati im do t’ju vendosë në dispozicion edhe filmimet e kamerave të sigurisë, të momentit kur ka ndodhur vrasja në të cilën unë akuzohem, pasi kam qenë në shoqërinë e dy miqve të mi në ambientet e një lokali në periferi të qytetit. Kam ardhur në drejtim të qendrës së qytetit pas orës 21, çka konfirmon saktë dhe drejt se ku ndodhesha unë në momentin e ngjarjes për të cilën më akuzon policia. Duke shpresuar e besuar në mirëkuptimin tuaj, përzemërsisht Bledar Muça, i akuzuar për vrasje nga Policia e Elbasanit.
Punë të mbarë dhe suksese për vitin e ri.

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas