Bota

Hyjnë në fuqi tarifat më të fundit amerikane mbi Kinën

Të hënën ka filluar aplikimi i valës së re të sanksioneve të Shteteve të Bashkuara ndaj mallrave të Kinës, që është edhe masa më e madhe në luftën e përshkallëzuar tregtare mes dy superfuqive ekonomike.

Shtetet e Bashkuara kanë vënë tarifa në vlerë 200 miliardë dollarë për produktet kineze, në fuqi që nga mesnata me orën lokale të Kinës, për shkak të atyre që janë cilësuar si praktika të padrejta tregtare nga ana e kësaj të fundit.

Kina në anën tjetër është hakmarrë duke shënjestruar mallrat amerikane me tarifa shtesë në vlerë të 60 miliardë dollarëve. Autoritetet kineze kanë thënë se SHBA-ja ka nisur “luftën më të madhe tregtare në historinë ekonomike”.



Me valën e fundit të tarifave, vlerësohet se tarifat amerikane kanë prekur produktet kineze në vlerë të 250 miliardë dollarëve. Kjo njëherësh nënkupton se gjysma e të gjitha importeve të Kinës në SHBA, tani janë subjekt i tarifave.

Presidenti amerikan Donald Trump ka thënë se me anë të këtyre tarifave kërkon të ndalojë “transferimet e padrejta të teknologjisë dhe pronave intelektuale amerikane drejt Kinës” si dhe të mbrojë vendet e punës.

Ndërsa Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo premtoi se SHBA do të dalë fitimtare në çdo luftë tregtare me Kinën.”Ne do ta detyrojmë Kinën të sillet në mënyrën e duhur. Nëse do të bëhesh fuqi globale, nuk duhet të vjedhësh pronën intelektuale”, tha Pompeo./TCH

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



Pas