Aktualitet

Homazhet për 21 Janarin, të afërmit e viktimave akuzojnë mes vajit


Një roje që shtyu të mbyllë me forcë derën e vjetër dhe të rëndë të Akademisë së Arteve, ishte akti i fundit i tre orëve homazh e protestë në kujtim të viktimave të 21 Janarit, ndërkohë që çështja dhe hetimet rreth saj mbeten të hapura.

Homazhet për vrasjen e Ziver Veizit, Faik Myrtajt, Aleks Nikës dhe Hekuran Dedës filluan para derës së Partisë Socialiste, ndërsa në krye të një mase njerëzish ishin krerët e kësaj force politike dhe familjarët e viktimave. Fotografitë e katër të vrarëve në bulevardin përballë Kryeministrisë ishin vënë në vendin e ngjarjes, duke imituar në një farë mënyre edhe pikat ku ata dhanë frymën e fundit apo morën plagë për vdekje. I ndarë në dy kolona, ata që iknin dhe ata që vinin,  marshimi i heshtur përpos vajeve dhe ligjeve me zë të nënave dhe grave të viktimave zgjati rreth një orë ndërsa ceremonia në nderim të viktimave u zhvendos në Akademinë e Arteve. E ndërsa për rreth Kryeministrisë dhe Kuvendit ishin vendosur forca të shumta policie, madje dhe dy makina ujëhedhëse për të shpërndarë protestat, gjithçka ka kaluar përzishëm por pa probleme.



Nënat, gratë e fëmijët e viktimave parakaluan të parët para portreteve të tyre, të mbajtur nga krahët dhe të shoqëruar nga drejtues të PS, u përfshinë nga emocionet dhe lotët në momentin kur u afroheshin portreteve. Disa prej tyre vunë kujën e qanë me ligje të afërmit e vdekur, ndërsa mes të qarave hodhën akuza të rënda për qeverinë dhe pjesëtarë të saj, duke i quajtur fajtorë për vrasjet e një viti më parë. “Ata që të vranë, rrinë të qetë e vjedhin dhe askush nuk i dënon”, thërriste ndërsa qante me zë bashkëshortja e njërit prej të vrarëve të 21 Janarit. Vetë kreu i PS, mbajti nga krahët nënën e njërit prej protestuesve, ndërsa kjo e fundit lëshonte po ashtu akuza të forta ndaj qeverisë dhe drejtuesve të saj.

Ceremonia vijoi me njerëz që ndiznin qirinj dhe vendosnin lule para portreteve, ndërsa organizatorët kishin menduar sërish për një kordon sigurie me djem dhe vajza, por edhe të moshuar me shirit të kuq, që mbanin në rregull rreshtat dhe kontrolluan protestën edhe pse ndërhyrja e tyre nuk u kërkua.

Ziver Veizi, Faik Myrtaj, Aleks Nika dhe Hekuran Deda mbetën të vrarë apo morën plagë për vdekje një vit më parë gjatë protestës së opozitës, që u shoqërua me përplasje të dhunshme mes protestuesve dhe policisë. Ngjarja që ende hetohet është konsideruar nga opozita si një akt kriminal dhe shtypje e dhunshme e një proteste paqësore, ndërsa drejtues të saj i kanë cilësuar viktimat si “Dëshmorë të Demokracisë”. Vrasjet për të cilat akuzohen efektivë të Gardës së Republikës janë ende pa autorë, ndërsa vetëm një person është arrestuar. Çështja që gjithashtu është një nga betejat më të ashpra politike në vend hetohet gjithashtu nga një komision parlamentar, i cili heton pretendimet se protesta ishte skenar i një grushti shteti, në të cilin sipas Kryeministrit ishin të përfshirë edhe Presidenti, Prokurorja e Përgjithshme dhe opozita.

Ndërkohë dje, edhe pse nuk pritej të kishte probleme, hija e ngjarjes së rëndë shoqëroi protestën homazh deri në momentin që ajo u mbyll, ndërsa një pjesë e njerëzve u grumbulluan në një sallë të Akademisë së Arteve, ku u mbajt një takim për nder të tyre. Këtu familjarët e viktimave dhe kreu i PS kërkuan drejtësi dhe premtuan se nuk do të ndalonin së kërkuari këtë deri sa ajo të vihej në vend, ndërsa akuzuan për vrasjet kreun e qeverisë. Në fund të ceremonisë njësi lokale të drejtuara nga PS, pranë të cilave jetonin edhe viktimat, i shpallën ata qytetarë nderi dhe ua dorëzuan titujt familjarëve të tyre.

 

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas