Sociale

HISTORIA/ Nëna në koma, daja i dhunon dhe iu prish 100 mijë euro. Dy fëmijët drejt jetimores

Babai i braktis, nëna pëson aksident të rënde dhe prej 6 vitesh ndodhet në koma, ndërsa daja që ka marrë para për t’u kujdesur për ta i dhunon. Historia e sotme në emisionin “Me zemër të hapur” në News24 vjen nga qyteti i Korçës dhe flet për jetën e dy fëmijëve të cilët janë në mëshirë të fatit.

Otorino dhe Aishe janë motër e vëlla, konkretisht djali 12 vjeç ndërsa vajza 11 vjeçe. Dy të vegjlit i ka dënuar fati, që të jetojnë pa nënë e pa baba. Ata kanë ardhur në jetë nga një lidhje martesore mes nënës së tyre Rezarta Sallaku dhe babait që i braktisi që të vegjël.



Nëna me dy fëmijët ishte vendosur për një jetë më të mirë në Vicenca të Italisë. Para 7 vitesh fëmijët ishin të vegjël dhe ajo e kishte të pamundur të punonte dhe t’i rriste ata. Në këto rrethana, u detyrua të vinte në qytetin e saj të lindjes Korçë dhe t’i linte fëmijët tek vëllai i madh, për një periudhë kohe dhe më pas do rimerrte në Itali.

Fati i keq për atë dhe fëmijët…Rezarta kryen një aksident të rëndë dhe ka 6 vite që është në gjendje kome dhe ndodhet në një spital të Italisë. Edhe pse shpresat janë të pakta për të mbijetuar, fëmijët luten çdo ditë për nënën e tyre.

Motër e vëlla, pas aksidentit të nënës filluan të keqtrajtohen në mënyrë mizore nga daja dhe nusja e dajës. Ata jetuan 6 vite në banesën e tyre, derisa më në fund, daja më i vogël, Voltisi i ka marrë në shtëpinë e tij. Ai jeton me nënën, gruan dhe fëmijët në kushte të mjerueshme, nuk ka asnjë lloj ndihmë ekonomike.

Edhe pse zemra i dhemb për dy të vegjlit e motrës, ai e ka të pamundur t’i rrisë. Çfarë do të ndodhi me jetën e këtyre dy të miturve të cilët janë braktisur nga babai, nëna prej vitesh është në gjendje kome, daja i dhunoi ndërsa gjyshja dhe daja më i vogël nuk ka mundësi t’u sigurojë qoftë dhe bukën e thatë? Fëmijët janë gati të shkojnë në jetimore.

“Lekët i bëri motra e Italisë dhe vëllai im binjak që ka kujdestarinë. Fëmijët që pas aksidentit nuk kanë ikur më në Itali. Fëmijët kanë jetuar me dajën që nga viti 2011 deri para 7 muajsh. Pastaj mi solli mua, më tha mbaji për 2 muaj e shumta. Do të nis unë lekë tha e do t’i mbash. Mirë i thashë por dy muaj. Realisht unë nuk i mbaja dot më shumë. Se janë 5 fëmijë, 3 të mitë e 2 të motrës. Unë kam marrë 29 mijë euro dhe 29 mijë nëna ime. Ka përfituar Rebeke Çollaku, motra ime dhe vëllai im binjak 40 mijë euro”, thotë daja, raporton “BalkanWeb”.

Ai tregoi se fëmijët kanë para të tjera të mbyllura në bankë të cilat do t’i marrin kur të mbushin moshën madhore. Vëllai Voltisi, bën apel që shteti t’i heqë kujdestarinë vëllait të tij Eltisit dhe të vendoet një e ardhme e sigurt për fëmijët e motrës së tij.

“Fëmijët kur të venë 18 vjeç i kanë të destinuara paratë. Kujdestarinë të mos e marrë byrazeri por tua lërë fëmijëve paratë. Ka marrë edhe pension që kur është bërë aksidenti. Ka marrë mbi 30 mijë euro. Fëmijët nuk shkojnë në shkollë.

Fëmijët thonë më mirë të shkojmë në Shtëpinë e Fëmijës se tek daja. Nuk duam të vemi thonë”, tregoi Voltisi, daja i fëmijëve. Faktin që fëmijët janë dhunuar e konfirmoi edhe tezja tjetër e tyre që jeton në Angli. Në një lidhje telefonike ajo tha se ka denoncuar e para dhunën, ndërsa theksoi se fëmijët nuk shkojnë as në shkollë.

 

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas