Dikur

Historia e vietnamezit që erdhi në Korçë për të luftuar në Luftën I Botërore

Nga Artan Lame

Ndonjehere gjej diçka që me gezon aq shumë, sa ja vlen ta ndaj me të tjerët.



Jemi në vitin 1916, në mes të Luftës I Botërore. Greqia është e ndarë mes konstandinistëve – aleatë të Fuqive Qendrore dhe venizelistëve – aleatë të Antantës,. Trupat greke në kaosin e luftës, kishin përfituar për të pushtuar Jugun e Shqipërisë, por që u detyruan ta linin pa dëshirë, në fillim bregdetin të shtyrë nga italianët dhe më pas Krahinën e Korçës të shtyrë nga Francezët.
Këta të fundit, në akord me italianët, kishin si qëllim final ndërlidhjen e Armatës Italiane të Shqipërisë me Armatën e Lindjes të forcave franko-angleze (Armee de l’Orient), me qendër në Selanik dhe që kishin avancuar deri përtej kufirit shqiptar. Ky qëllim u arrit me kontaktin mes dy palëve, italianëve dhe francezëve në afërsi të Korçës, të cilën e pushtuan këta të fundit, duke përzënë forcat greke konstandiniste.
Kështu, në tetor të vitit 1916, në krahinën e Korçës u vendosën trupat franceze të Armatës së Lindjes dhe në fund të nëntorit në marveshje me francezët, hynë në Korçë forcat e Themistokli Gërmenjit. Kjo situatë vazhdoi me luhatje e me faqe të erreta e të lavdishme, deri në prill të vitit 1920, kur trupat franceze u tërhoqën përfundimisht nga Krahina e Korçës, duke ja dorëzuar këtë të fundit Qeverisë së Tiranës.

Kujtimi i prezencës ushtarake franceze në Korçë është ende i gjallë edhe sot pas plot 100 vjetësh. Shenja më e dukshme e saj, janë Varrezat e Ushtarakëve Francezë të vrarë gjatë Luftës I Botërore në Shqipëri.
Në mes të dalldisë së luftës dhe urisë së jashtëzakonshme të saj për trupa të freskëta, apo e thënë ndryshe për “mish për top”, të gjitha fuqitë ndërluftuese përdorën nëpër fronte edhe trupa nga kolonitë e tyre. Kështu Franca, në kuadër të Armee de l’Orient, kishte edhe regjimente me trupa të përziera marokene dhe senegaleze nga Afrika, si edhe regjimente me vietnamezë apo indokineze siç quheshin asokohe.

Dhe këtu zë fill historia ime. Sot më ra në dorë shenja e njohjes (plaque d’identité militaire) e një prej këtyre ushtarëve indokinezë, që ka luftuar dhe është vrarë në Korçë.
Shenja ka këto mbishkrime:
“4e Regt / TIR=IND / 20603”
“entre au / Service le / 24 aout 1916”.

Ose e shkruar gjatë:
“4e Regiment / Tirailleurs Indochinois / 20603”

Që në shqipen tonë del:
“Regjimenti i 4t / i gjuajtësve indokinezë”
“hyrë në shërbim më / 24 gusht 1916”.

Shenja është prej llamarine bakri me përmasa 35×25 mm. Në kohën e Luftës së Madhe, nuk kishte akoma rregulla të unifukuara për mbajtjen e shenjës dhe çdo ushtar zgjidhte vetë se ku e mbante, dikush në qafë, të tjerë në kycin e dorës, dikush të qepur në anën e brendshme të jakës, e kështu me rradhë.
Rekrutët nga lindja e Largme franceze, ishin të inkuadruar në 7 rregjimente dhe 2 batalione, prej të cilëve rregjimentet nga 1 deri 4 ishin me rektutë nga Vietnami i sotëm. Dhe mes tyre, Rregjimenti 4 ka shërbyer pikërisht në Frontin Ballkanik.
Rektutët grumbulloheshin dhe stërviteshin fillimisht në vendin e origjinës dhe, më pas, të inkuadruar ngarkoheshin në anije për të bërë rrugën nga Vietnami, përmes Oqeanit Indian, pastaj nëpër Detin e Kuq, kaonin Kanalin e Suezit, dilnin në Mesdhe dhe zbarkonin në Selanik. Nga Selaniku me trena kalonin nëpër Greqi dhe Maqedoni dhe arrinin në Manastrir, ku linja hekurudhore mbaronte. Nga Manastiri marshimi vijonte më këmbë, për të mbërritur në frontin franko-austriak, që shtrihej pak a shumë në linjën Berat-Pogradec-Prespë-Manastir. E pabesueshme apo jo!
Aq e sureale duket, sa më duhet të sjell edhe ndonjë fotografi prej këtyre rektutëve indokinezë teksa qëndrojnë gatitu nëpër kalldrëmet e Korcës, për t’u bërë e besueshme.

Për fat të keq, duhet shumë më tepër kohë e lirë për të gjetur emrin e këtij rekturi të pafat, duke u nisur nga numri i tij i identifikimit “20603”. Një zot e di nëse u vra në përpjekje, apo vdiq nga vështirësitë e shërbimit apo nga ndonjë sëmundje, por një gjë ngjan e sigurtë, që eshtrat e tij nuk pushojnë në varrezat Franceze të Korcës.
Kushedi se ku ka pas humbur trupi i tij ndën dhé pasi është vrarë, për t’u gjetur 102 vjet më pas nga ndonjë fshatar shqiptar ndërsa punonte tokën e marrë sipas ligjit 7501, apo duke hapur themelet e shtëpisë së re, apo dreqi e di se si. Dhe pastaj shenja e gjetur mes eshtrave, ka kaluar dorë më dorë deri tek unë.
Që me këto rradhë po përpiqem të sjell një copëz të historisë, por edhe të nderoj këtë ushtar të huaj që ra kaq larg atdheut të vet, në një vend që nuk ja kishin dëgjuar kurrë emrin.

 

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



Pas