Kryesore, Mapo Format, Mapo Letrare

Histori të rrezikshme… për leximin dhe mosleximin

Nga Arta Marku

Mbi një milion shqiptarë nuk paskan lexuar një libër të vetëm përgjatë vitit 2017. Një milion JOLEXUES pra. U habitët? Në të vërtetë unë nuk di ndonjë anketë të mëparshme lidhur me leximin. S’di pra shifra lexuesish a jolexuesish të viteve paraardhëse që të mund të ndërtoj një grafik. Por sidoqoftë, mendoj se shifra e jolexuesve është e lartë, trishtuese. E megjithatë aspak e papritur, përkundrazi. Harruat që botuesit prej vitesh s’bëjnë tjetër veçse ulërasin për mosshitjen e librit? Sigurisht harruat sepse të gjithë ne e kemi barabitur shqetësimin e botuesve me shqetësimin e një biznesmeni të cilit nuk i shitet malli. E çë pastaj se nuk fiton aq sa do të dëshironte një biznesmen? Harruam pra, se pas këtij shqetësimi të një grupi njerëzish fshihet një tjetër shqetësim akoma më i madh, që e i prek të gjithë: KRIJIMI I MOSLEXUESVE…



E ja tek gjendemi përballë faktit, që siç po vë re, shumëkush nuk do ta pranojë e disa të tjerë e shohin si një çështje politikash qeverish që ikin e vijnë… Harrojmë sërish se ata që sot janë 25 vjeç, janë mësuar apo çmësuar me librin qysh këtu e 20 vjet më parë, ata që janë 35 qysh këtu e 30 vjet më parë, 45 këtu e 40 vjet më parë e kështu me radhë…

Është rrugë e gjatë pra, është vazhdimësi dhe, mbi të gjitha, në një mënyrë a një tjetër, na bën të gjithëve shkaktarë… Se ashtu sikurse dikur zunë fill moslexuesit ashtu mund të kishin zënë fill lexuesit, me pak kujdes, jashtë dhe brenda nesh… Nuk po them se është dhe aq e lehtë sa ç’mund të duket, përkundrazi…

JASHTË NESH…

-Nesër, do të regjistrohem në bibliotekën e shkollës! – më tha një ditë ime bijë. Ishte vetëm 7 vjeç e gjysmë dhe deklarata e saj më entuziazmoi. E përgëzova. Fillova të mendoj se, ndoshta, kemi krijuar një mendim jo shumë realist mbi shkollat. Paskëshin biblioteka funksionale… Por ndjesia e mirë m’u përmbys 24 orët e ardhshme, kur ime bijë më tregoi ngjarjet e paradites në shkollë:

-Shkuam në bibliotekë, të regjistroheshim… ajo, mësuesja (punën e bibliotekares e bënte një mësuese, detyrë ekstra kjo për të dhe për pasojë e besdisshme, le ta pranojmë) na tha: nuk ka kartela, dilni jashtë

Ishte e mërzitur. Edhe unë. Shprehja “dilni jashtë” më shqetësoi. Një grup fëmijësh të klasës së dytë fillore, merrnin një përgjigje kaq dekurajuese për një kërkesë që, përkundrazi, duhej nxitur. Fundja pse “dilni jashtë” nga biblioteka? Epo, ndoshta herën tjetër, mendova. Por historia u përsërit. Ime bijë, me disa nxënës të klasës së saj, u rikthyen në bibliotekë, disa ditë më pas, dhe morën të njëjtën përgjigje: dilni jashtë

Kjo histori aspak e këndshme dhe aspak inkurajuese për një fëmijë që kërkon të lexojë m’u kujtua tek mori dhenë anketa e leximit dhe mendova se ata mbi 25 vjeçarët e sotëm që janë anketuar duhet të kenë histori të ngjashme në fëmijërinë e tyre. E pra: nëse e pranojmë se leximi është një proces që edukohet, si tua edukojmë leximin fëmijëve, kur atyre dikush u thotë: dilni jashtë nga biblioteka? Në një rast të tillë, s’mundet veç të presim krijimin e JOLEXUESVE.

***

Epo mirë, një rast tregova. Fundja, ka biblioteka të tjera. Ka biblioteka lagjesh, për shembull. Një të tillë e kam fare afër shtëpisë. Është më e vjetër se unë. Gjithnjë aty, në të njëjtin vend. Veçse këtu e 40 vjet të shkuara librat ishin strehuar në një vilë njëkatëshe me dysheme dërrasash dhe oborr të hijezuar. Më vonë, diku nga mesi i viteve ‘80 vila ia la vendin një pallati 5 katësh por një hapësirë në katin përdhe i mbeti bibliotekës. Kur shkova me time bijë për ta regjistruar, përfytyrova veten, veshur me një fustan basme, mëngjeseve të verës, duke kapërcyer portën e oborrit. Në vend të hapësirës së errët, të freskët e të lagësht të vilës së dikurshme, ishte një hapësirë plot dritë. Ama librat ishin pothuaj të njëjtët që kishin qenë dikur. Po ata libra që kisha lexuar unë, ndoshta, me fletë të verdha të shtypura në plumb, zinin pjesën më të madhe të rafteve. Disi të restauruar por  librat ishin tejet të përdorur. Kishte dhe libra të rinj, botime të kohëve të fundit, por fare pak. Gjithsesi libra kishte, mundësia për të lexuar ishte. Kësaj here time bije askush nuk mund t’i thoshte dil jashtë. Kështu, hapëm kartelën, morëm librat e parë. Por, duhej të riktheheshim në bibliotekë, të dorëzonim librat që kishim dhe të merrnim libra të tjerë. E pamundur. Dera gjithnjë, së paku sa herë shkonim ne, e mbyllur. Mbetëm jashtë… Aty, ngjitur me bibliotekën, ndodhej një kafene, e punonjësja mund të ketë qenë, me filxhanin e kafes në dorë, duke debatuar për ndonjë libër me ndonjë lexues të rregullt. S’po them se kishte shkuar të bënte pazarin. Sidoqoftë, ne, në bibliotekën e lagjes nuk hymë dot më shumë se një herë…

Tani, se kaloj shpesh andej, shoh që punohet. Besoj se shumë shpejt do të kemi një bibliotekë të restauruar, me hapësira më të favorshme për librin por edhe për leximin. Besoj shumë që edhe libra të rinj do të ketë. E mbi të gjitha, besoj që dera të rrijë e hapur e lexuesit të mos mbeten jashtë

…DHE BRENDA NESH

Padyshim, dy historitë e mia nuk nënkuptojnë asesi që mundësitë për të lexuar ishin zero. Se mundësitë për të lexuar gjenden gjithnjë. Dikur, për shembull, shkëmbenim libra. Hera herës gjej në bibliotekën time libra që i kam marrë në biblioteka miqsh e që, mesa duket, nuk i kam kthyer. Ndërkaq, sa herë kërkoj libra që nuk i gjej më shkon mendja se do të kenë përfunduar në biblioteka miqsh që m’i kanë marrë e kanë harruar të m’i kthejnë. Gjej pastaj, libra që m’i kanë dhuruar, e po kështu të tjerë duhet të kenë libra që unë u kam dhuruar… Është një mënyrë komunikimi edhe kjo e marrjedhënies së librave…

Dhe pastaj janë libraritë, gjithnjë e më të pasura, me rafte gati për të rënë nga pesha… Atëherë, pse anketa për leximin paskësh nxjerrë 1 milion JOLEXUES?

Duke menduar kësisoj, e pashë veten në një kafene, me një shoqe. Fëmijët, pak më tutje, luanin.

-A lexon vajza jote? – më pyeti papritmas shoqja duke parë të vegjlit që bisedonin gjithë këmbë e duar.

-Lexon,- i thashë shkurt dhe menjëherë dëgjova shoqen të më ankohej se i blinte libra të bijës 8 vjeçare, e cyste të lexonte, por ajo e mbante fare pak librin në dorë, sa për t’i bërë qejfin të ëmës dhe e braktiste në rastin më të parë të mosvëmendjes së saj.

-Po ti, a lexon ti?

E dija përgjigjen, por e lashë të më thoshte se ishte shumë e ngarkuar me punët e shtëpisë… E pra, fëmijës nuk i kish ndodhur ta shihte të ëmën me një libër në dorë. Vajza me siguri i lexonte librat që ia jepte detyrë mësuesja. Detyrat i bënte pra, por kaq nuk mjafton… Në shtëpi i mungonte një model për ta imituar. Fundja kështu janë të vegjlit, imitues të mëdhenj.

***

Sakaq, historitë me libra, lexime e fëmijë ku vetë kisha qenë dëshmitare, zunë e po më shfaqeshin në kujtesë, duke mos i lënë radhë njëra-tjetrës. Kjo që do të tregoj tani ka ndodhur vetëm pak kohë më parë:

Në klasën e time bije, çova për një bisedë një përkthyes. Libri Mrekullia e kishte mrekulluar time bijë, por jo vetëm atë. E kisha dëgjuar tek bisedonte me shoqet e klasës me shumë pasion për atë libër ndaj dhe ideova bisedën me përkthyesin. Gjeta tek ai gadishmërinë për të harxhuar dy orë nga dita e tij, në shoqëri me një klasë 14 vjeçarësh. Gjeta gadishmërinë e mësueses gjithashtu. Dhe takimi u bë. Diskutimi me fëmijët nuk kishte të mbaruar. Klasa ishte e ndarë në dy grupe: gjysma mezi priste të bënte një pyetje apo të jepte një gjykim mbi librin, gjysma tjetër heshtte shpërfillëse por pa ia cënuar entuziazmin pjesës tjetër (epo kush po pretendon që në Shqipëri të ketë 3 milionë lexues). Mësuesja e biologjisë, teksa kishte rënë zilja për fillimin e orës tjetër, hapi derën me kujdes si për të na lajmëruar se po i hanim minutat lëndës së saj, por u tregua bujare gjithsesi. Ia dhuroi gati gjysmën e kohës së studimit të anatomisë një diskutimi letrar. Më në fund u largova me një entuziazëm të pashoq për atë takim me lexuesit adoleshentë. Entuziazmi më mbajti gjatë dhe në takimin e radhës me prindër, ende nuk më ishte fikur. Kur mësuesja kujdestare po u kërkonte prindërve që t’i sillni fëmijët në shkollë fundjavave (le të vinin e të organizonin aktivitete të ndryshme), ndërhyra.

-Mund të organizojmë takime letrare, – propozova e bindur që do të mbështetesha pa ngurrim. – Mund të sjell në shkollë shkrimtarë, përkthyes… – por nuk e mbarova dot fjalinë.

Boll me libra! Fëmijët lodhen gjithë javës me mësimet. Pse nuk thua të vijnë të shtunën me një top?

Ishin prindërit. U përpoqa t’i justifikoj në shqetësimin e tyre për pamundësinë e fëmijëve për të luajtur…

***

Pavarësisht rastit, mendova sërish se është një histori dhe aq. Fundja gjithnjë kam besuar se prindërit u blejnë libra fëmijëve. Se janë të shumtë ata, të cilët edhe pse për vete mund ta shpërfillin leximin, fëmijët duan t’i shohin me libra në dorë. E kisha lexuar deri edhe në një studim të kryer nga italianët, në vitet e pushtimit, që i vihej theksi prirjes së shqiptarëve për t’i shkolluar fëmijët. S’bëhej dallim mes prindërve të shkolluar dhe të pashkolluar për vete. Që të gjithë, dëshironin, sakrifikonin madje, që fëmijët t’i çonin nëpër shkolla. Është një zakon që vazhdon ende, tipar shqiptar ky. Po, po, e qartë, të kesh një diplomë në xhep nuk nënkupton doemos lidhje me librin, me leximin e vazhdueshëm. Sidoqoftë diçka nënkupton kjo prirje tipike shqiptare, e pastaj diçka edukon edhe shkollimi, padyshim (edhe anketa thotë se lexuesit janë kryesisht të shkolluarit). Dhe ndoshta një lidhje e ka kjo me vizitat e herëpasherëshme të prindërve në librari, prej nga dalin me libra fëmijësh me vete. Më ka ndodhur shpesh të hasem me prindër (ndoshta teze, halla, xhaxhallarë apo gjyshër) të përqendruar në këndin e librave për fëmijë. Edhe botuesit ma kanë pohuar se librat për fëmijë janë nga ajo pjesë e botimeve që ngjall më së shumti interes. Blihen pra. E kjo do të thotë se prindërit duan që fëmijët e tyre të lexojnë…

Por dua të zbuloj një këndvështrim tjetër, që shpërfillet, ndoshta padashje e gabimisht: të rriturit, duke dashur që të vegjlit të lexojnë, harrojnë se nuk mjafton thjesht që libri t’u çohet fëmijëve në shtëpi… Cili është libri?

***

Po mbaja radhën për të paguar, në banakun e Adrionit, prapa një gruaje që kishte në dorë “Robinson Kruzonë”.

-E pëlqeja shumë kur isha e vogël, – i tha shoqes që kishte në krah, – mezi pres t’ia çoj mbesës.

A thua po qëllonte në shenjë me mbesën e saj kjo grua që po blinte “Robinsonin”? Më ishte ngulitur në kujtesë një copëz interviste e një shkrimtari bashkëkohor anglez librash për fëmijë, edhe pse jo emri i tij: “Të pretendosh se fëmijët do të pëlqejnë të njëjtat libra që kanë pëlqyer edhe prindërit e tyre 30 vjet të shkuara, është tërësisht absurde!”, thoshte shkrimtari. Një të diel të largët, sërish në librari, tek këmbëngulja t’i blija vajzës sime “Udhëtimet e kapitenit Hateras”, s’e kisha lexuar ende intervistën në fjalë. Përpiqesha ta bindja vajzën se do t’i pëlqente shumë kur ta lexonte, me entuziazmin që kisha pasur vetë dikur, kur e lexoja. Kisha diskutuar madje me tim atë për atë libër. Ai e kish lexuar për vete dhe e kish pëlqyer aq sa unë. E përderisa dy breza kishin të njëjtin mendim për të njëjtin libër, pse jo edhe brezi i tretë? Por ime bijë, dukej se nuk më dëgjonte… Ia kishte ngulur sytë një kopertine ku buzëqeshte një arush i veshur me pantallonat shkurtra shumëngjyrëshe. Atë donte që t’i blija. Në fund “fitova” unë: dolëm nga libraria me Kapitenin Hateras, për të vënë re shumë shpejt se kisha korrur një fitore të shkurtër, krejt të kotë. Ime bijë lexoi veç dy faqe dhe e la librin. Pas debatesh, më shpjegoi se preferonte më shumë librat me kafshë që flasin (ishte shumë e vogël në fakt). Epo mirë, e vura vëth në vesh për herën tjetër. Vizitën e ardhshme në librari, kur e lashë vajzën time të zgjidhte vetë një nga librat e serisë “Shtëpia magjike mbi pemë”, ajo nuk humbi kohë, por filloi ta lexonte ndërsa unë ende s’kisha bërë pagesën te arka…

Pra, qenkësh e rëndësishme t’i njohësh shijet që një fëmijë ka në lexim për t’i blerë librin që nuk do ta hedhë mënjanë. Është një proces, aspak i lehtë. Një rrugë nëpër të cilën s’vlen nëse ecet symbyllurazi. Ashtu si, çdo prind, i njeh fare mirë shijet e fëmijës në të ngrënë a në të veshur… duhet të njohë edhe shijet në lexim. Duhet pak kohë, por në fund e kupton. Pa harruar se librat për fëmijë janë të ndarë në grupmosha.

Leximi, sidomos në fillime, duhet të jetë kënaqësi, asesi detyrë. Një fëmijë kërkon të argëtohet dhe duhet të argëtohet. Edhe leximi duhet shijuar si një lojë. Dikujt i pëlqen një përrallë, dikujt një libër i ilustruar, apo i shoqëruar me pazëlla që të formojë figurat njëkohësisht që lexon. Tjetërkush dëshiron Pipi çorapegjatën ngase e njeh personazhin nga filmi, apo Pinokun, për të njëjtën arsye… Ime bijë nuk u dashurua dot me Zhyl Vernin, ama me Harri Poterin ndryshoi puna…

***

Ndonjëherë mund të përdoret, edhe një “karrem”. Për shembull një autograf nga shkrimtari, kushtuar lexuesit të vogël… Po kërkoja informacion në internet mbi shkrimtaren për fëmijë Meri Pope Osbërn, që të sigurohesha lidhur me serinë “Shtëpia magjike në pemë” që i pëlqente sime bije dhe hasa një fotografi ku ajo, mes fëmijësh, nënshkruante libra. Kjo ndodh edhe në Shqipëri. Nëpër panaire, fëmijët me prindërit për dore, kanë rast të takojnë autorët, në mos përkthyesit, dhe të marrin autografe duke u joshur pastaj ta lexojnë librin kushtuar atyre… Dhe funksionon. Sërish u ktheva pas në kohë, mbrëmjen kur i shkova time bije në shtëpi me librat e Kiço Blushit, “Beni ecën vetë” dhe “Mos”. Në fakt në promovimin që Blushi bëri për dy librat e tij, salla ishte e mbushur me gjyshër e prindër, ama të gjithë, kushtimet i morën për të vegjlit që kishin në shtëpi. Edhe unë i kërkova Blushit t’ia kushtonte autografin sime bije. Kaligrafia gati e palexueshme ia vështirësoi kuptimin asaj. Por ia lexova unë duke parë me kënaqësi reagimin e saj dhe sytë që i zmadhoheshin. Librat qenkëshin për të: Si rezultat, i “harroi” mësimet. Të nesërmen, kur pasi u ktheva nga puna, e pyeta nëse i kish bërë detyrat m’u përgjigj duke belbëzuar:

-Po ja… Beni… lexo dhe pak, lexo dhe pak… dhe jam te faqja 37…. dhe po më pëlqen shumë ndaj s’i bëra detyrat. Do të ulem tani…

Epo mirë. Mendova se ia vlente toleranca këtë herë…

***

Kështu pra lexuesit krijohen. 1 milion JOLEXUESIT mund të kishin qenë më pak. E pamundur që 1 milion jolexues të konvertohen pa firo në 1 milion lexues. Ama më pak mund të kishin qenë. Pa mësuesen që i nxjerr jashtë fëmijët nga biblioteka, pa bibliotekaren e lagjes që i vë drynin bibliotekës, me politika që nxisin leximin padyshim… por, mbi të gjitha, me prindër të kujdesshëm që i kushtojnë kohë lidhjes së fëmijës me librin… Frutat vilen kur piqen, e për t’u pjekur duan kohën e vet. Disa fruta nuk piqen kurrë e të tjera bien nga pema e shkojnë dëm… Por gjithnjë është mundësia që fruta të shëndetshme të ketë më shumë… Kërkon punë, sigurisht… Përndryshe mos u habisni me 1 milion JOLEXUES./Mapo.al/

 

 

PasPara

1 koment

  1. Po djalit tim si i bëhet? Ai më ka parë gjithnjë duke lexuar, por … nga librat që i kam blerë, lexoi deri në fund vetëm “Dhimbja e margaritarit” i Xhon Shteibek … nuk i mbaroi dot as “Librin e xhumglës”, as “Djemtë e rrugës Pal”, as “Kasollja e xha Tomit” … Tashmë është 17 vjeç dhe mendon se leximi është humbje kohe … Nuk është se nuk e kam lënë, të zgjidhte vetë librat në librari … dikur i pëlqenin figurat dhe aq … Mendoj se shoqëria njerëzore, në tërësi, po hyn në një cikël të errët për sa i përket leximit (ashtu si dhe përsa i përket respektimit të hirearkisë së vlerave) … shkurt, po hyjmë në tunel … PO CIKLI NUK NDALET … dp dalim një ditë nga tuneli !!!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas