Kryesore

Hipotekat brenda 2012, Basha: Zgjidhje dhe për ato me probleme


Jonida Tashi



 

Procesi i hipotekimit të 450 objekteve në Tiranë, të cilat përbëjnë 30-40 mijë apartamente, do të mbyllet brenda këtij viti. Garancia është ridhënë dje nga kreu i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, i cili ka deklaruar se brenda vitit 2012, në kryeqytet nuk do të mbetet asnjë objekt me leje i pahipotekuar, sado e vështirë të jetë situata. Madje, Basha ka deklaruar se në rastet që do të hasen probleme do të kërkohet ndihma e qeverisë për të bërë ndryshimet e nevojshme në ligj. “Hipotekimi është çështje drejtësie, personat që kanë paguar duhet të marrin tapitë dhe Bashkia nuk duhet të qëndrojë si pengesë këtu, por duhet të ndihmojë me çdo kusht. Por është edhe çështje kapitali, kapital jo i pakët që llogaritet nga ekspertët e pavarur deri në 700 milionë euro. Ky injeksion kapitali do të përkthehet në punësim të qytetarëve të Tiranës, ndaj edhe Bashkia ditë e natë do të punojë që kjo të përfundojë sa më parë dhe asnjë objekt me leje nga Bashkia e Tiranës nuk do të mbetet pa hipotekuar, sado e vështirë të jetë situata, edhe sikur të na duhet t’i kërkojmë qeverisjes qendrore të bëjë ndërhyrje në legjislacionin kombëtar dhe kjo të përfundojë doemos brenda 2012-ës. Kjo është sfidë personale e imja, jo thjesht, sepse kam dhënë fjalën, por sepse është një valvul jashtëzakonisht e rëndësishme për kapitalin në kryeqytet, për tregun imobiliar dhe është një provë e vetëbesimit që qyteti i Tiranës dhe biznesi i kryeqytetit ka për të ardhmen”, – ka deklaruar kreu i Bashkisë së Tiranës gjatë takimit me organizatën “Biznes Albania”. Nga ana e tyre, përfaqësues të biznesit kanë kërkuar që të nisë hipotekimi edhe për objektet që ishin përfshirë në proces legalizimi, por që janë bllokuar pranë ALUIZNI-t. “Përveç pallateve që ka Bashkia, mbi 200 pallate të tjera i ka ALUIZNI, dhe ne do të kërkonim që e gjithë kjo pasuri të futej në procedurë të njëjtë me atë që keni marrë ju zoti kryetar përsipër. Shoqata e Ndërtuesve ka shumë materiale dhe në shumë raste ka punuar për shumë vite dhe mund të ndikojë, mund të japë kontribut dhe mund të ndihmojë për zgjidhjen përfundimtare të këtij problemi, që është gangrenë për ekonominë e qytetit të Tiranës”, – tha Luigj Aleksi, nga Shoqata e Ndërtuesve. Por përveç 450 objekteve të pahipotekuara, gjatë viteve të fundit në Tiranë janë bërë edhe 5 700 shtesa pa leje, të cilat duhet të futen në proces legalizimi.

Gjatë takimit me përfaqësuesit e biznesit, Basha u ka premtuar atyre përmirësimin e klimës dhe lehtësimin e kushteve. Në këtë kuadër, kryetari i Bashkisë së Tiranës ka njoftuar se më 1 shkurt do të hapet qendra e biznesit  “one stop shop” dhe më shumë sporteleve në zyrat e regjistrimit.

 

“Asnjë objekt me leje nga Bashkia e Tiranës nuk do të mbetet pa hipotekuar, sado e vështirë të jetë situata, edhe sikur të na duhet t’i kërkojmë qeverisjes qendrore të bëjë ndërhyrje në legjislacionin kombëtar dhe kjo të përfundojë doemos brenda 2012”

 

Objektet 

5700 shtesa pa leje janë bërë në pallate

450 objekte të pahipotekuara gjenden në Tiranë

243 janë në proces për t’u dërguar në Hipotekë

124 objekte me leje janë çuar në Hipotekë

107 pallate u janë dhënë tashmë ndërtuesve

100 objekte të tjera përfundojnë brenda janarit

 

Apartamentet

375 apartamente banimi janë gati për hipotekim

1000 apartamenteve po u plotësohet dokumentacioni

20 000 apartamente janë ndërtime me probleme

30 000-40 000 numri total i apartamenteve 

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas