Kryesore, Mapo Format

Hijet e komunizmit: Efekti i trashëgimisë komuniste në ndërtimin e ‘Civic Culture’

Nga Florian Çullhaj, PhD

Përgjatë viteve të tranzicionit, shoqëria shqiptare, nën një sfond shterpë idesh teorike dhe përvojës empirike në funksion të sfidave të reja demokratizuese, pësoi një transformim të thellë në një larushi fushash. Përkatësisht, ndryshimi i sistemit solli në Shqipëri ndryshime drastike në formatin politik, juridik dhe ekonomik. Po t’iu hedhim një sy të shpejtë kritereve formale të demokracisë, të përcaktuara nga autorë te ndryshëm, vërejmë se sistemi politik shqiptar duket se e ka kapërcyer kriterin minimal të demokracisë që theksohej nga Shumpeter, i cili e përkufizon atë (demokracinë) si “garë e elitave për udhëheqje politike”. Ndërsa, Arend Lijphard argumenton se një vend është demokratik deri atëherë kur ai vepron “sipas parapëlqimeve të popullit”. Sot në Shqipëri gara elektorale është relativisht e lirë, opozita nuk shtypet dhe është legjitime, si dhe shihet një përgjegjshmëri relative e elitave ndaj kërkesave të qytetarëve. Megjithatë, këto kritere fokusohen në formatin politik, në rregullat për të arritur vendime politike dhe për të zgjedhur vendimmarrësit. Për pasojë, këto kritere e trajtojnë demokracinë më shumë si një fenomen politik në kuptimin e ngushtë të fjalës se sa si një dukuri shoqërore. Por, demokracia nuk është thjesht rezultat i bisedimeve ndërmjet elitave udhëheqëse, as thjesht vënie në zbatim e një inxhinierie kushtetuese, demokracia, në një pjesë të madhe të saj varet nga orientimet politike të qytetarëve për veten e tyre. Këto orientime i motivojnë ata për të kërkuar lirinë politike dhe për të siguruar përgjegjësinë e qeverisë, si dhe për të vepruar në atë mënyrë që elitat qeverisëse të jenë të përgjegjshme përpara tyre. Rrjedhimisht, këto reforma dhe shumë të tjera në fusha të ndryshme përcollën te shqiptarët idenë se sistemi i vjetër ishte lënë pas një herë e përgjithmonë.



Por, pavarësisht përpjekjeve për të etabluar një sistem demokratik formal, hijet e trashëgimisë komuniste janë ende prezente në funksionimin e politik(e)s në realitetin shqiptar. Kjo pikëpamje shtron një pyetje në një nivel treplanësh, përkatësisht, në nivel makro [kushtetues], meso [institucional] dhe mikro [kulturor]. Pyetja e parë shtrohet në planin normativo-kushtetues. A është e mundur që vetëm me formulimin e Kushtetutës së duhur, qëndrimet mbështetëse të shqiptarëve ndaj institucioneve demokratike do të zhvillohen tek ata nëpërmjet familjarizimit gradual?

Teoritë na mësojnë – në një arsyetim tautologjik – se legjitimiteti duket se tregon aftësinë e regjimit për të qenë jetëgjatë; por jetëgjatësia e tij mbetet kushti kryesor i krijimit të legjitimitetit. Kështu që, siç argumentonte Mayer, më shumë është “kultura politike që përcakton institucionet demokratike më tepër se e anasjella”. Për këtë pohim, mjafton të kujtojmë thjeshtësinë dhe lehtësinë e ndryshimeve kushtetuese të 2008-ës për të treguar se, për elitën politike shqiptare që e nxiti dhe për shoqërinë shqiptare që e toleroi, demokratizimi vertikal institucional nga lart-poshtë kuptohet që nuk është mjeti i posaçëm për demokratizimin e shoqërisë shqiptare.

Ndërsa, pyetja e dytë ka të bëjë me traditat social-kulturore në qëndrimet politike të tanishme të popullsisë. Përpara se të analizojmë konkretisht ndikimin e kulturës politike në demokratizimin e shoqërisë shqiptare, lind nevoja e një qartësimi sintetik të konceptit të ‘kulturës politike’, i cili është bërë popullor nga autorët Almond dhe Verba. Këta autorë e përkufizojnë kulturën politike si qëndrim subjektiv ndaj objekteve politike. Në kulturën politike përfshihen besimet, qëndrimet dhe vlerat e shtetasve rreth politikës në përgjithësi. Pavarësisht se Kultura Politike e një kombi përfshin disa lloj vetish, në këtë rast, si faktor heuristik, do të merret qëndrimi i shqiptarëve ndaj autoritetit i cili mund të klasifikohet në tre përbërës; nënshtrues, respektues, dhe barazitar. Sipas Inglehartit dhe teorisë së tij mbi socializimin politik, procesi me anë të të cilit përftohen dhe përhapen orientimet politike, argumentohet se qëndrime të tilla politike përbrendësohen herët në jetë dhe janë shumë të qëndrueshme. Pasi përbrendësohen, ato zbatohen në role të ndryshme në përditshmërinë e individit ku për pasojë edhe në aktivitet e tij politike. Si rrjedhim, është hamendësuar se qeverisja e efektshme demokratike kërkon një orientim ndaj autoritetit që synohet prej formatit kushtetues, i cili në njëfarë mase duhet të përputhet me kulturën politike të atij kombi. Rrjedhimisht, në Shqipërinë e viteve të diktaturës, kur bindja ndaj autoritetit përbënte një normë shoqërore të mirëfilltë, individët, me ndërrimin e sistemit politik, e kishin të vështirë të përshtateshin me idenë e fajësimit të qeverisë në momentet kur ajo nuk reagonte ndaj kërkesave të tyre legjitime. Ndikimi i traditës së shkuar, kuptohet edhe më qartë në vështirësinë e përbrendësimit të konceptit të kulturës qytetare edhe sot pas gati tre dekadash nga rënia sistemit. Koncept që Almond dhe Verba e quante [the] “civic culture”, ose në fjalët e Aristotelit “qytetari që qeveris dhe [më e rëndësishmja] di të qeveriset”.

Pamundësitë e realizimit të kësaj sjellje mund të jenë të shumta, duke nisur që nga struktura demografike, arsimimi, punësimi, kuptimi i lirisë, për pasojë shterimi konceptual i secilës syresh e tejkalon qëllimin e këtij artikulli. Megjithatë, raporti me autoritetin që trashëguan shqiptarët nga sistemi autokratik mbetet variabël qendror heurestik për vështirësinë e përbrendësimit të vlerave të reja, rrjedhimisht edhe i të vepruarit në përputhje me to.

Pyetja e tretë dhe e fundit, shtron një çështje tjetër edhe më akute nga pikëpamja e kuptimit dhe e ushtrimit të lirisë politike prej shoqërisë. Gjegjësisht, shtrohet pyetja se; në ç’masë strukturimi institucional i regjimit të shkuar autokratik shtyp fuqinë e sotshme kulturore demokratizuese?

Institucioni që do të merret në analizë në këtë rast është roli i Partisë Politike në sistemin e shkuar komunist dhe trashëgimia që është mbartur prej tij nga Partitë Politike në sistemin e sotshëm demokratik. Shkurt, në ç’mënyrë Partitë Politike, si një ndër mjetet kryesore për agregimin dhe artikulimin e interesave dhe pse jo edukimin e qytetarëve ndaj vlerave demokratike, kanë kontribuuar në formimin e “Kulturës Qytetare” në periudhën postkomuniste? Për të kuptuar përmasën politike të tranzicionit në Shqipëri duhet së pari të shqyrtojmë periudhën komuniste prej së cilës nis dhe vetë tranzicioni.

Atëbotë, partia komuniste pretendonte një shoqëri pa klasa, por në realitet vetë Partia Komuniste u transformua në një “klasë të re”. Komunizmi, gradualisht krijoi një sistem burokratik anëtarët e së cilës zotëronin një shumësi privilegjesh, kjo sepse ata kontrollonin proceset administrative dhe makinën shtetërore në tërësi. Gjithashtu, ekzistonte një sistem hierarkik mundësish të bazuara në rangun dhe pozitën brenda partisë. Pra, në sistemin komunist shtresëzimi shoqëror dhe privilegjet që buronin prej tij, bazoheshin në pozitën që individi kishte brenda partisë apo në lidhjet e tij me partinë. Me fundin e komunizmit në vitet ‘90-të, konstatohet një vazhdimësi e njëjtë me modelin e vjetër të sistemit komunist, ku roli i Partisë dhe ai model i sjelljes politike të anëtareve të saj mbetën ende të pandryshueshme.

Këto njëzeteshtatë vjet, pavarësisht ndërtimit të pluri-partitizmit në Shqipëri dhe shndërrimit të rolit dhe qëllimit të partive në artikuluese dhe përcjellëse të interesave të shoqërisë, sërish vërehen reminishenca të funksionimit të tyre nën shëmbëlltyrën e partisë së vjetër komuniste. Përpos kësaj, roli i Partisë Politike nuk duhet të kufizohet vetëm në funksionin e kanalizimit të interesave të shoqërisë drejt sistemit politik, por dhe në një rol edukues ndaj vlerave demokratike për shoqërinë. Sidomos në një vend të vogël si Shqipëria, mundësitë për të ta ushtruar këtë rol janë edhe më të mëdha. Përgjatë gati tre dekadave të fundit partitë janë orientuar thjesht në zotërimin absolut të pushtetit duke e shtrirë ndikimin e tyre në çdo hapësirë të jetës së individit. Ky fenomen ka sjellë uljen e mëtejshme të aftësisë organizative të shoqërisë dhe lindjen e lëvizjeve të reja sociale, ku i roli këtyre të fundit mbetet vendimtar në demokratizimin dhe emancipimin e shoqërisë. Për analogji, po të huazojmë një terminologji të Habermasit, i cili argumentonte për një “kolonizim të botës së jetës” që buron prej kontrollit të ashpër që shteti dhe tregu po ushtron gjithnjë e më shumë ndaj shoqërisë. Përkatësisht, shteti nëpërmjet juridizimit dhe tregu nëpërmjet filozofisë së konsumit po uzurpojnë çdo hapësirë për debat të lirë publik mbi shqetësime objektive të shoqërisë. Po në të njëjtën qasje, partitë politike në Shqipëri, kanë krijuar një “Partitizim të botës së jetës” duke kontrolluar në mënyrë kapilare çdo hapësirë të sistemit, me qëllimin final të kontrollit të votës së lirë.

Ky pushtet gjithëkontrollues, ka mpirë te qytetarët iniciativën për vetëvendosje duke bërë të mundur atë që Almond dhe Verba e quanin, zvogëlimi i kompetencës politike subjektive, perceptimin e njeriut të zakonshëm për ndikimin të tij mbi politik(e)n. Kjo mënyrë e ushtrimit të kësaj forme pushteti, rikthen dhe një herë tek qytetarët idenë se ata nuk kanë asnjë mjet për të ushtruar presion ndaj partisë dhe njëkohësisht ndaj qeverisë dhe se bindja ndaj autoritetit – tanimë Partiak – mbetet sërish një pjesë e kulturës së tyre politike. Për pasojë, kalimi në sistemin demokratik nuk ka sjellë ndryshimin e pritur tek qytetarët për liri veprimi dhe organizimi, duke e lënë sistemin politik shqiptar të përfshihet në ato demokraci të cilat cilësohen nga literatura si demokraci elektorale dhe/ose demokraci fasadë.

Mirëpo, që demokracia të funksionojë duhet kontribuuar në ndërtimin e kulturës politike qytetare, e cila është e lidhur ngushtë me zhvillimin e shoqërisë civile. Kjo e fundit përfshin brenda saj një fond të gjerë aktorësh, si p.sh: sindikatat, mediat, feja, biznesi dhe mbi të gjitha partitë politike të cilat shërbejnë për të institucionalizuar kulturën qytetare dhe për të vepruar si kundërpeshë ndaj qeverisë. Pikërisht në këtë moment merr vlerë e kaluara autoritare e Shqipërisë.

Pavarësisht se atëbotë, shoqëria shqiptare përfshinte tipa të shumëllojshëm organizatash, si organizata e gruas, rinisë, bashkimet profesionale ato ishin si zgjatime i frymës së partisë. Ato shërbenin si “rripa transmesioni” për të mobilizuar masat dhe për të ndërtuar një komunikim vertikal lart-poshtë, por jo për të funksionuar në mënyrë autonome duke shprehur lirshëm mospajtim ndaj politikave të regjimit. Për pasojë, mungesa e theksuar e parakushteve institucionale si dhe mungesa absolute e praktikave demokratike, mbeten një ndër trashëgimitë më ndikuese të sistemit komunist në konsolidimin e demokracisë në periudhën e sotme.

Në vazhdim, literatura teorike dhe faktet empirikë na mësojnë se demokracia dhe ekonomia e tregut nënkuptojnë ndërmjetësim dhe marrëveshje shumëplanëshe për ndërtimin e një sistemi funksional dhe të konsoliduar. Në mungesë të këtyre aktorëve, shfaqet prirja për sundim të pandërprerë personal nga elitat në pushtet të cilat shkaktojnë tek publiku ndjesinë e përjashtimit dhe të tëhuajsimit. Për pasojë, në ditët e sotme, nënshtrimi pa kushte ndaj figurave autoritare duket se është diçka e ngulitur herët në kulturën tonë politike. Kjo trashëgimi ngjizi ndjesinë e vetëizolimit, paaftësi për t’i besuar njëri-tjetrit si dhe mungesë dalzotësie ndaj publikes e politik(e)s. Atomizimi i shoqërisë së sotme po thellohet gjithnjë e më tepër edhe prej rolit të partive politike, të cilat, si pjesë e rëndësishme e shoqërisë nuk kanë arritur të përcjellin kulturën e lirisë ndërmjet qytetarëve, por janë shqetësuar më shumë për ruajtjen dhe forcimin e pushtetit të tyre politik afatshkurtër.

Si përfundim, mund të themi se trashëgimia autokratike e sistemit të shkuar mbetet një ndër variablat që ndikon në vështirësinë e formimit të kulturë politike qytetare (civic culture) dhe në konsolidimin e demokracisë në Shqipërinë post-komuniste. Nëse aktorët kryesorë, që kanë ndikim në të tria nivelet e shqyrtuara më lart nuk arrijnë të transcendojnë reminishencat e shkuara duke njësuar imperativin demokratik me vullnetin për veprim, atëherë, rezultati është i parashikueshëm; shoqëria do vazhdojë të ndihet e dobësuar, do vazhdojë të humbasë vetëbesimin dhe do të bëhet edhe më e paaftë për rezistencë, duke paralajmëruar në këtë mënyrë se ndërtimi i një demokracie të konsoliduar dhe funksionale kërkon kohë, mund dhe më shumë përpjekje nga të gjithë ne.

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas