Editorial

Herët apo vonë Reforma në Drejtësi do të zbatohet, është pjesë e Kushtetutës

Nga Ervis Iljazaj

Reforma në Drejtësi, me gjithë diskutimet, me gjithë kritikat ndaj saj, ndonjëherë të drejta, tashmë është një proces i pakthyeshëm. Këtë gjë e përmendin sa herë që jepet rasti aleatët tanë ndërkombëtarë. Arsyeja është shumë e thjeshtë. Tashmë kjo Reformë është e shkruar në Kushtetutën tonë dhe, herët apo vonë, politika shqiptare do të jetë e detyruar ta zbatojë.



Ndoshta, suksesi i Reformës në Drejtësi matet shpesh në opinionin publik nga arrestimet e pritshme për politikanë apo pushtetarë të rëndësishëm, por kjo është faza e fundit e kësaj reforme. Më së pari, duhen ndërtuar organet që parashikohen në drejtësinë e re, dhe të pastrohet pushteti gjyqësor nga figurat e korruptuara, duke ndërtuar kështu një drejtësi të pavarur, të ndershme dhe të guximshme, që do të jetë në gjendje të kryejë hetime edhe ndaj pushtetarëve të rëndësishëm.

Me gjithë përpjekjet e politikës për ta ndaluar Reformën në Drejtësi, të cilat kanë qenë konstante gjatë gjithë kësaj kohe, që në shumë raste kanë patur sukses, ajo është si ata hapat e elefantit, që janë shumë të mundimshëm për t’u hedhur, por në momentin që hidhen nuk kthehen më mbrapa.

Edhe Reforma në Drejtësi, tashmë është e kotë, nuk kthehet më mbrapa. Sa më parë të mësohet klasa politika shqiptare me këtë ide, aq më mirë është për të gjithë. Për një arsye shumë të thjeshtë. Të gjitha pjesët e saj janë të shkruara në ligjin themelor të shtetit shqiptar. Madje, e aprovuar me unanimitet. Ndoshta, nuk ka rast në Botë ku një ligj, qoftë edhe kushtetues, të jetë aprovuar me unanimitet. Megjithatë, kjo nuk përbën aspak vullnetin e mirë të klasës politike për të patur një drejtësi të pavarur. Të gjithë e dimë, se si deputetë u detyruan nga ndërkombëtarët të ngrinin kartonat. Pikërisht ky është problemi se, ajo është një Reformë e aprovuar jo si pasojë e një vullneti reflektues dhe spontan i politikës shqiptare.

Është një lloj paradoksi ajo që ndodhi me votimin e Reformës në Drejtësi. Si të thuash, politikanët tanë, që nga perceptimet e shumicës akuzohen se kanë dhe kanë patur probleme me abuzimin me pushtetin, aprovuan një Reformë që presupozohet që nuk do të bëjë më tolerime edhe për njerëzit me pushtet si ata. Pra, në një mënyrë ose tjetër, politika shqiptare, i ka bërë “gropën” vetes. Në këtë kuptim, është absurde të besosh se ka një vullnet nga ana e saj për ta çuar deri në fund. Këtë gjë e vërteton më së miri politika që tenton në mënyrë konstante ta pengojë atë. Megjithatë, tashmë ajo është një Reformë e pakthyeshme.

Prandaj, konflikti që ka shkaktuar ajo te politika, është pikërisht pasojë e këtij procesi të pakthyeshëm.

Ka dhe një problem tjetër në këtë proces, është faza tranzitore deri në zbatimin e plotë të saj. Është një fazë e cila po jep efekte kolaterale. Një ndër to, është padyshim nxjerrja jashtë funksionimit të Gjykatave si pasojë e vettingut, siç është Gjykata Kushtetuese apo Gjykata e Lartë. Pothuajse 50 % e trupës së gjyqtarëve që janë futur në sitën e kontrollit, kanë ngelur në klasë, duke lënë vakante shumë nga vendet e pushtetit gjyqësor. Por, ky nuk është i vetmi efekt kolateral që ka dhënë faza tranzitore. Mjafton të përmendim rastin e ligjit të Shkollës së Magjistraturës, për të cilin nuk u gjet një marrëveshje, dhe, si pasojë ata që presin të fillojnë studimet apo ata që i kanë mbaruar dhe që presin emërimet, janë ende në pritje të një bashkëpunimi politik, që me sa duket do të jetë i vështirë të gjendet.

PasPara

2 komente

  1. Reformën në drejtësi nuk e bëjnë krminelët, horrat, të korruptuarit, trafikantët, drogaxhinjtë, antikombëtarët, sekserët, as ata që shkelin çdo ligj dhe bëjnë ligje të paligjshme siç ndodh tek ne në çdo hap breshke që hidhet, gjoja, sikur po bëjmë reformë. Edhe Enveri , po të ishte gjallë, nuk do ta djalloste më bukur se ky që po ndjek rrugën e tij. Kush nuk e sheh, kush nuk e kupton, ai është i verbër nga sytë dhe nga mendja, bile edhe shurdh nga veshët. Kjo është fatkeqësia jonë e përbashkët që na bën të jemi turpi i Evropës dhe më gjërë. Kjo qeverri nuk e bën , sepse i bie të bëjë reformë kundër vetvetes. Djepi bosh dhe djalli në djep janë batuta, tuta dhe atlete kryeministrore bashkë me timonin, tepsinë, kusinë dhe bakllavanë e Erdoganit.

  2. “Reforma” i quante Enveri gjithë fushatat e tij terroriste të spastrimeve politike në parti, ushtri, në ministritë që nga e mbrendëshmja e deri tek e jashtmja, në arte e kulturë, në ekonomi e deri në shkatërimin e objekteve qindra vjeçare të kulturës nën preteksin e luftës kundër feve.
    Edhe në drejtësi, reformë quante ai që suprimoi fare ministrinë e drejtësisë, Gjykatën kushtetuese e institucionin e avokatit duke i marë vetë të gjitha kompetencat e drejtësisë.
    E për çfarë “reforme në drejtësi” mund të bëhet fjalë se ka kryer Rama, kur për nja dy vjet sëpaku, Shqipëria nuk do të ketë as Gjykatë të lartë e as Gjykatë Kushtetuese , por veç “komisione speciale” të komanduara prej tij ?

Leave a Reply to genti Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas