Aktualitet, Kryesore, Mapo Format

Henri Çili në ‘Studio e hapur’: Reformat, ky është viti i provës së Ramës

I ftuar në emisionin “Studio e Hapur” të gazetares Eni Vasili, analisti dhe botuesi, Henri Çili ka folur për reformën e arsimit të lartë si dhe aktualitetin politik në vend.

Henri Çili ka sqaruar arsyen e tërheqjes së tij nga administrimi i Universitetit Europian të Tiranës , duke respektuar Ligjin e ri të Arsimit që kërkon që Administratori të jetë nga bota akademike në fushën e drejtësisë ose ekonomisë dhe përvojë pune, së paku pesë vjet në këto fusha.



Çili ka sqaruar se, do të vazhdojë të japë kontributin e tij në arsimin e lartë privat në pozitat e pronarit.

I pyetur nga gazetarja mbi reformën në arsimin e lartë, ku shpesh ai është akuzuar për një flirtim me politikën dhe se ka qenë një nga hartuesit e reformës, Çili u përgjigj se ka qenë gjithnjë në koherencë me idetë e tij liberale dhe kurrë nuk u ka ikur atyre.

Sa i përket reformës së Arsimit, Çili tha se 2018 është viti i aplikimit të reformës, e cila ka tre elementë kryesore që janë kostoja reale e studimeve, tarifat dhe bursat dhe forma juridike konkurruese. “Ky version i ligjit nuk është versioni që do të donin liberalët.

Ata do të donin “privatizimin” e universitetit shtetëror. Por ky ligj krijon premisat e një tregu të edukimit të lartë. Është e vetmja zgjidhje për të kapërcyer prapambetjen e tmersshme në 90 % të sistemit”.

Çili e quajti kryeministrin Rama një paradoks, i cili i fitoi zgjedhjet duke marrë përsipër bërjen e reformave shumë të vështira dhe nuk po i bën ato.

“Populli e rikonfirmoi për politikat që bëri dhe nuk po i bën. Për njëqind arsye; ka filluar kompromiset e mandatit të tretë, nuk është i bindur, ka administratë mizerabël, megjithëse ka përpjekje. Ky është viti i provës. E vetmja gjë që mund ta shpëtojë kryeministrin”- tha Çili, duke shtuar se edhe investimet e huaja në Shqipëri nuk vijnë, sepse nuk janë të garantuar tregjeve.

“Reforma është krijimi dhe elaborimi i tregjeve; nuk kemi treg në arsim, në shëndetësi, të treg të pjesshëm në sektorin financiar, nuk kemi tregje në utilitet dhe infrastrukturë, që unë i quaj tregjet e modernitetit vetëm liberalizimi i këtyre sektorëve mund ta shpëtonte…”

Çili e quajti mandatin e parë të Ramës guximtar dhe reformist, por që në këtë vit të pestë duket se mekanizmi ka ngecur. “Njerëzit po largohen nga vendi, është goditur koncepti i garës, më akuzoni se mbroj qeverinë por ja ku po e kritikoj. Rama mori koston e reformës dhe nuk po e bën”.

Çili e quajti këtë vit pritës. “Besoj që Rama nuk është aq jo inteligjent që të bëjë një reformë që e ka pasur bindje, ka marrë koston dhe besimin e shqiptarëve dhe të mos e zbatojë. Ministrja e Arsimit duket vullnetmirë për ta çuar në fund dhe për të mos e denatyruar thelbin e reformës”.

Ky ligj i miratuar në 2015, tashmë ka kaluar tranzicionin tre vjeçar për ngritjen e strukturave. “Ligji ishte avancim përpara. Jo ajo që do të donim ne, por e çon gjënë në drejtimin e duhur”./Mapo.al/

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



Pas