Kryesore, Rajoni

Haradinaj para Ramës: Kufijtë duhen respektuar… s’ka nevojë për kreativitet

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se duhet respektuar kufijtë aktual që i ka Kosova me vendet fqinje.

Haradinaj foli në konferencën për shtyp në samitin informal të liderëve të Ballkanit Perëndimor, ku përmendi edhe vështirësitë që ka shteti i Kosovës në mungesë të lirisë së lëvizjes.



Shefi i ekzekutivit theksoi problemet e qytetarëve të Kosovës të cilat vijnë si pasojë e mos-liberalizimit të vizave.

Gjithashtu, Haradinaj foli për takimin e dy qeverive që pritet të mbahet në muajin nëntor në Pejë, mes Kosovës dhe Shqipërisë, ku tha se do të finalizohen procedurat e mbetura për heqje të burokracive doganore.

“Ne kemi ende vështirësi në qarkullim të lirë kur kalojmë nëpër Serbi qytetarët tanë presin me orë të tëra qoftë në kthim qoftë në shkuarje, pastaj kemi vështirësi në qarkullim ose nuk mund të shkojmë në Bosnje, për të komunikuar me Kroacinë na duhen viza, është vend i BE-së, e bënë jetën tonë më të vështirë ekonomike. Ajo që e kemi më lehtë dhe besoj që do ta avancojmë në nivelin e duhur është marrëdhënia jonë, dy ekonomitë Kosovë-Shqipëri, ashtu siç kemi rënë dakord me ju Edi, në gjysmën e dytë në nëntorit do të kemi takimin e përbashkët të dy qeverive në Pejë dhe besoj do t’i finalizojmë të gjitha procedurat e mbetura për heqje të burokracive doganore të cilat i vonojnë edhe qytetarët por edhe ekonominë dhe sipërmarrësit. Kosova i ka kufijtë e vet, i ka me Shqipërinë, me Malin e Zi, me Maqedoninë, me Serbinë, ne respektojmë këta kufij dhe nuk mendojmë se duhet ndonjë kreativitet i ri në dizajnim të tyre, por duhet t’i respektojmë kufijtë që i kemi”, tha ai.

Ky reagim i Haradinajt vjen pas intensifikimit të përpjekjeve të presidentit Hashim Thaçi për të çuar përpara idenë e tij për t’i lëvizur kufijtë.

Më herët është raportuar se propozimi i korrigjimit të kufijve që shihet si ndarje e Kosovës, i ideuar nga Thaci dhe Aleksander Vuçiç, përkrahet edhe nga Edi Rama.

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



Pas