Kryesore, Politika

“Hapja e dosjeve sjell pastrim moral”

gazmend oketaSekretari i Përgjithshëm i Frymës së Re Demokratike flet për buxhetin e vitit 2015, vitin e parë të qeverisë, raportet e FRD-së me PD-në dhe PS-në, si dhe komenton debatin për hapjen e dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit

Intervistoi: Nevila Perndoj



 

Sekretari i Përgjithshëm i Frymës së Re Demokratike, Gazmend Oketa shprehet në një intervistë për gazetën “Mapo” se përpjekjet e deritanishme të qeverisë “Rama” “janë të pamjaftueshme për ta projektuar perspektivën e Shqipërisë drejt një shteti me institucione stabël, me pushtete të ndara, me drejtësi funksionale, me treg të lirë e pa monopole dhe me luftë reale ndaj korrupsionit”. Përkundër qëndrimit të Partisë Demokratike, Oketa vlerëson ndër radhë se reforma territoriale ishte një domosdoshmëri dhe një arritje e rëndësishme për vendin, pavarësisht se sipas tij, edhe kjo reformë në fund nuk u shpëtoi pazareve të vogla politike. “Kjo reformë, vetëm për vitin 2015 i kursen buxhetit të shtetit 60 milionë dollarë”, – shton ai. Oketa flet për shumëçka në këtë intervistë, ndërsa argumenton edhe arsyet se pse i është bashkuar nismës së shoqërisë civile për hapjen e dosjeve. “…Unë e kam mbështetur këtë iniciativë të shoqërisë civile, me kushtin që nuk do të luhet politikisht me këtë çështje dhe se ligji i hartuar me asistencën e ambasadës gjermane do të depozitohet për shqyrtim në Kuvend dhe jo të përdoret thjesht për protagonizëm politik. Deputetët e pranishëm në atë takim kanë marrë përsipër të përmbushin këtë detyrim, më pas opinioni publik le të gjykojë se kush ka qenë dhe vazhdon të jetë i interesuar që këto dosje të mos hapen…”, – shprehet ai.

Oketa, një ditë më parë mazhoranca votoi buxhetin vitit 2015 dhe paketën fiskale, përmbajtja e së cilës nga ana e PD-së është parë si mjerim dhe rrezik për çuarjen e vendit në recesion…Si vjen ky buxhet në këndvështrimin e FRD-së? Çfarë duhet të kishte marrë parasysh qeveria në hartimin e saj?

Së pari është për të ardhur keq që në kohën kur diskutohet një nga ligjet më të rëndësishme, ai i buxhetit si dhe paketa fiskale, opozita parlamentare braktis misionin e saj dhe shmang debatin parlamentar në mënyrë krejtësisht të pajustifikuar.

Fryma e Re Demokratike po dje ka dhënë nëpërmjet një deklarate qëndrimin e saj lidhur me buxhetin e vitit 2015, qëndrim i cili nuk kondicionohet nga qëndrimi i forcave të tjera politike. FRD, pavarësisht nga pozicioni i saj opozitar, mbështet në mënyrë konstruktive të gjitha ato synime të cilat çojnë në rrugën e ndërtimit të shtetit të së drejtës dhe të një shoqërie moderne. Por FRD-ja gjykon se propozimi për çmimin e ri të energjisë jo vetëm nuk përmbush premtimin elektoral të mazhorancës për ulje të TVSH-së për këtë produkt, por rëndon drejtpërdrejt buxhetin e pjesës më të madhe të familjeve shqiptare. FRD mbështet synimin për uljen sado modeste të nivelit të borxhit publik, por jemi kundër rritjes së akcizës mbi karburantet, kundër rritjes së Tatimit mbi të Ardhurën Personale (TAP) apo taksimin e shërbimeve të tjera, nga 10% që ishte në 15%. Të tria këto rritje taksash e tatimesh do të marrin nga ekonomia e familjeve shqiptare rreth 180 milionë dollarë më shumë, duke shënuar edhe një mosmbajtje tjetër të premtimit elektoral, se kush ka të ardhura më shumë do të paguajë më shumë.

Nga ana tjetër, gjykojmë se ky buxhet duhet të merrte në konsideratë dhe t’i reflektonte propozimet e dhomave të tregtisë e biznesit shqiptar, duke krijuar kështu një klimë tjetër bashkëpunimi qeveri-biznes. Dhe së fundmi, por jo nga rëndësia, fondi për pronarët e ligjshëm dhe të përndjekurit politikë mund të ishte më i madh. Kjo për të përshpejtuar zgjidhjen e çështjes së pronësisë, çështje e cila përsa kohë nuk zgjidhet, ndikon negativisht në zhvillimin e qëndrueshëm të ekonomisë shqiptare, dhe përsa i takon të përndjekurve, për të mbyllur një kapitull të gjatë padrejtësie e për të hapur një kapitull të ri pozitiv për këtë shtresë.

Një prej debateve më të nxehta lidhet me mundësinë e rritjes së çmimit të energjisë, por edhe me aksionin paralel që po ndërmerret ndaj vjedhësve të energjisë. Qeveria ka argumentuar se masat shtrënguese që janë marrë dhe do të merren në vijim lidhen me gropën e madhe që ka lënë qeverisja e kaluar. Në fakt, sa përgjegjësi ka ish-qeverisja e djathtë në ndërmarrjen e këtyre aksioneve që nuk lidhen vetëm me energjinë…? A mendoni se rritja e energjisë apo aksioni që po zhvillohet janë  rrugëzgjidhja e vetme për të dalë nga ky kolaps?

Mazhoranca e shkuar, përgjegjësitë politike i mori në zgjedhjet e 23 qershorit, duke u “dënuar” nga vota e qytetarëve. Ajo që vazhdon t’i mungojë funksionimit siç duhet të shtetit shqiptar, është mosndëshkimi ligjor i atyre që kanë përgjegjësi direkte për abuzimet, si me zbatimin e ligjit, ashtu dhe me buxhetin e shtetit apo me detyrën. Përsa kohë tek ne askush nuk mban përgjegjësi ligjore, druaj se historia e abuzimit me pushtetin do të përsëritet në mënyrë ciklike. Përsa i takon aksionit për të ndaluar vjedhjen e energjisë elektrike, ne jemi në mbështetje të luftës së qeverisë për t’i dhënë fund abuzimit e vjedhjes me këtë produkt, dhe besoj se çdo qytetar korrekt, pavarësisht nëse është i pozicionuar apo jo politikisht, e mbështet një aksion të tillë. Ata që e paguajnë rregullisht energjinë elektrike, nuk kanë pse paguajnë edhe për vjedhësit e saj. Por nga ana tjetër, ky aksion nuk mund të përdoret si argument për të rritur çmimin e energjisë elektrike. Në situatën ekonomike që ndodhet sot Shqipëria, nuk mund t’u kërkohet qytetarëve shqiptarë të paguajnë më shumë për energjinë elektrike dhe në mënyrë ironike t’u ofrosh si alternativë uljen e çmimit për pijet energjike.

Kanë kaluar më shumë se një vit qeverisje dhe deri diku kuptohet që nuk janë mjaftueshëm për të gjykuar punën e saj në raport me premtimet e fushatës elektorale të 2013-ës. Megjithatë, disa vendime janë marrë e po aq kanë filluar edhe disa reforma…Në këndvështrimin tuaj, si po punon kjo qeveri, të metat, meritat dhe ku duhet të fokusohet ajo më shumë?   

Jam shprehur vazhdimisht dhe në çdo kohë apo pozicion, se jam në mbështetje të çdo përpjekjeje të qeverisë së vendit tim, për të vendosur funksionimin e shtetit dhe respektimin e ligjit nga të gjithë. Në këtë prizëm mbështes përpjekjet e qeverisë përsa i takon dhënies fund të abuzimit me energjinë elektrike, mbështes ndërhyrjen e policisë në Lazarat apo zona të tjera të vendit në luftë kundër kultivimit të bimëve narkotike; parimisht mbështes përpjekjet për të vendosur kontroll mbi ndërtimet pa leje, por nuk jam dakord me bllokimin që i është bërë industrisë së ndërtimit duke penalizuar pa të drejtë edhe ata që duan të respektojnë ligjin e rregullat në fuqi. Reforma territoriale ishte një domosdoshmëri dhe besoj se duhet shënuar si një arritje e rëndësishme për vendin, pavarësisht se dhe kjo reformë në fund nuk u shpëtoi pazareve të vogla politike. Kjo reformë, vetëm për vitin 2015 i kursen buxhetit të shtetit 60 milionë dollarë. Megjithatë gjykoj se këto janë detyrim i çdo qeverie dhe duhet të konsiderohen si një trajektore normale qeverisëse. Ajo që nuk jep garanci se edhe kjo qeveri, ashtu si e mëparshmja, nuk do të zhytet në batakun e korrupsionit dhe abuzimit me pushtetin, është fakti se nuk ka asnjë përpjekje serioze apo veprim konkret për reforma të cilat do të bënin që Shqipëria të kishte një demokraci të konsoliduar, një demokraci, funksionimi i së cilës të mos varej nga vullneti i mirë apo i keq i një individi. Kemi dëgjuar një herë para zgjedhjeve kryeministrin Rama të kërkojë ndjesë për ndryshimet kushtetuese, sot jo vetëm që nuk ka veprim, por as përmendet më një çështje e tillë. Sot Shqipëria është i vetmi vend i cili ka një administrim partiak të procesit zgjedhor dhe vullneti i votuesve deformohet gjatë numërimit që të fortët e partive u bëjnë votave tona. Edhe për këtë nuk ka asnjë fjalë, si nga qeveria, ashtu dhe nga ato institucione ndërkombëtare, të cilat një herë në dy vite monitorojnë zgjedhjet, ndërsa në periudhën e ndërmjetme shijojnë diellin, peshkun dhe verën shqiptare. Për të mos u zgjatur më shumë, gjykoj se përpjekjet e deritanishme janë të pamjaftueshme për ta projektuar perspektivën e Shqipërisë drejt një shteti me institucione stabël, me pushtete të ndara, me drejtësi funksionale, me treg të lirë e pa monopole dhe me luftë reale ndaj korrupsionit, i cili përbën dhe shqetësimin kryesor të shoqërisë shqiptare.

Deri para do kohësh ju jeni shprehur se FRD-ja nuk ka asnjë marrëveshje për të bashkëqeverisur me PS-në, por keni parashtruar katër kushte në funksion të asaj që ju pretendoni; të bërit shtet. Keni folur për ndryshime kushtetuese, korrigjim të Kodit Zgjedhor, reformë në drejtësi dhe impenjim në zgjidhjen e çështjes së pronës, të katërta këto në fakt ende pa lëvizje konkrete…A ka ndryshuar FRD në raport me këto kërkesa? Dhe, a keni krijuar në më shumë se një vit pas zgjedhjeve një projekt politik tuajin se çfarë raporti do të keni me PS-në, por edhe PD-në?

Së pari do thosha se FRD nuk e sheh projektin e saj politik në raport me njërën apo tjetrën forcë politike, por vetëm në raport me të vërtetën, me qytetarët dhe me objektivin e saj politik për të ndërtuar siç duhet shtetin shqiptar. Asgjë nuk ka ndryshuar në pozicionin e FRD-së në raport me ato kërkesa, pasi vetëm nëse korrigjohet kushtetuta, mund të rivendosen marrëdhënie normale, respektohet pavarësia e institucioneve dhe do të ulej tensioni politik në vend, vetëm nëse korrigjohet Kodi Zgjedhor, mund të garantohet parimi kushtetues i barazisë së votës si dhe zgjedhja e përfaqësuesve në kuvend nga qytetarët  e jo nga kryetarët e partive siç ndodh me kodin aktual, vetëm nëse korrigjohet Kushtetuta, mund të kemi një reformë të qëndrueshme në kohë dhe me efekte pozitive në sistemin e drejtësisë e jo arnime afatshkurtra të cilat e përkeqësojnë situatën në këtë sistem. Dhe zgjidhja e çështjes së pronës nuk është thjesht një kërkesë për shkak të pozicionimit të FRD-së si forcë e qendrës së djathtë, por një kërkesë e cila ka të bëjë së pari me një parim themelor se prona është e shenjtë dhe i takon vetëm të zotit, siç dhe zgjidhja e kësaj çështje jep një efekt pozitiv të padiskutueshëm në ndërtimin e një ekonomie kombëtare të qëndrueshme. Fatkeqësisht deri më tani kemi vetëm tryeza të cilat ngjajnë më shumë me show mediatik sesa veprime konkrete për të ndërmarrë hapat e nevojshëm për realizimin e këtyre reformave të domosdoshme. Ne jemi në mbështetje të çdo iniciative serioze e cila synon realizimin e këtyre reformave në funksion të interesave të shtetit dhe qytetarëve shqiptar.

Pak ditë më parë, PD-ja në bashkëpunim me sindikatat organizoi një protestë për gjendjen ekonomike në vend. Basha deklaroi dy ditë më parë se ato do të vijojnë si e vetmja zgjidhje, ndërsa Berisha kërkoi largimin e Ramës si emergjencë kombëtare. Në të njëjtën kohë, PD-ja vazhdon të bojkotojë Kuvendin…Së pari, a keni ndonjë koment për protestën e zhvilluar? Së dyti, cila është zgjidhja apo rrugëdalja që ofron FRD-ja për të mos pasur një situatë të tillë konfliktuale në vend?

Parimisht jam pro çdo proteste për sa kohë ajo i shërben interesit publik. Kur protestat i shërbejnë interesit politik të një apo dy individëve, ato përgjithësisht nuk japin asnjë efekt dhe nuk ofrojnë asnjë zgjidhje. Koha do të tregojë se cila nga të dyja ka qenë arsyeja e kësaj proteste. Për të mos pasur situata të tilla të një konfliktualiteti politik artificial, duhet që të rikthejmë vëmendjen tek ndërtimi siç duhet i shtetit shqiptar, i një Kushtetute e cila nuk prishet sa herë e kërkon interesi i një apo dy individëve, i një sistemi drejtësie të çliruar nga influencat politike dhe ekonomike, vendosja e kulturës së respektimit të ligjit dhe ndëshkimit të atyre që e shkelin atë. Fatkeqësisht shoqëria jonë mbështet më shumë politikanët të cilët luftojnë për pushtet dhe jo ata të cilët kërkojnë të bëjnë shtet. Politika ka arritur vazhdimisht të mbajë peng shoqërinë shqiptare, dhe sot, pas 24 vitesh nga rënia e komunizmit, shoqëria shqiptare nuk kërkon zgjidhje për problemet e saj në dyer institucionesh, por njësoj si para ‘90-ës, për çdo problem kërkon zgjidhje në dyert e forcave politike. Sot, për të rikthyer deri në njëfarë mase normalitetin politik, opozita parlamentare duhet të zërë vendin e saj në parlament dhe të përmbushë kështu detyrimin për të mos iu shmangur përgjegjësisë që ka si opozitë. Kjo mund ta ulte pak tensionin politik, por personalisht nuk besoj se aktorët kryesorë të politikës shqiptare janë të interesuar për një politikë normale dhe jashtë interesave për pushtet me çdo kusht. Për sa kohë shoqëria shqiptare do vazhdojë të mbështesë modele të tilla, konflikti dhe gjuha e urrejtjes do të dominojnë politikën tonë.

Pak ditë më parë ju iu bashkuat nismës së shoqërisë civile për hapjen e dosjeve, ndërsa me të drejtë pati edhe kërkesë llogarie nga disa ish të përndjekur politikë të pranishëm në takim, lidhur me atë që ka bërë e djathta në këtë drejtim jo vetëm tetë vite në pushtet, por edhe më përpara…Pse pikërisht tani duhet mbështetur kjo nismë, dhe sa do ta pastronte politikën shqiptare hapja e dosjeve?

Në fakt, e djathta së cilës ju i referoheni në pyetjen tuaj, gjatë këtyre 24 viteve ka qenë për 13 vite në pushtet, dhe jo vetëm që nuk ka bërë atë që duhej për ish të përndjekurit politik, por më së shumti i ka keqpërdorur dhe përçarë ata në funksion të interesave për pushtet të disa individëve. Të mos harrojmë se ajo e djathtë e mbylli mandatin e saj të fundit duke lënë të digjet i gjallë në mes të kryeqytetit të ndjerin Lirak Bejko. Sot gjykoj se është vështirë të besosh se hapja dosjeve do të pastronte krejtësisht politikën shqiptare. Politika shqiptare sot nuk është e bërë pis vetëm nga ish-bashkëpunëtorët e Sigurimit të shtetit komunist. Megjithatë hapja e dosjeve shoqëruar dhe me një ligj lustracioni joselektiv, do të sillte së paku në planin moral një pastrim të politikës, të disa institucioneve të rëndësishme kushtetuese, por edhe të medias. Janë jo të pakta rastet kur individë të përfolur si bashkëpunëtorë sigurimi, dalin pothuaj çdo natë ekraneve televizive dhe bëjnë moral dhe orientojnë sipas orekseve politike të shefave të radhës opinionin publik. Po ashtu hapja e dosjeve do t’i jepte fund edhe spekulimeve apo trillimeve mbi individë të cilët akuzohen padrejtësisht sa herë bien ndesh me “udhëheqësin” e radhës. Nga ana tjetër, gjykoj do të ishte e papranueshme që ky debat të mbizotërojë dhe eklipsojë debatet mbi çështje të tjera të cilat prekin jetën e përditshme të qytetarëve. Unë e kam mbështetur këtë iniciativë të shoqërisë civile, me kushtin që nuk do të luhet politikisht me këtë çështje dhe se ligji i hartuar me asistencën e ambasadës gjermane do të depozitohet për shqyrtim në Kuvend dhe jo të përdoret thjesht për protagonizëm politik. Deputetët e pranishëm në atë takim kanë marrë përsipër të përmbushin këtë detyrim, më pas opinioni publik le të gjykojë se kush ka qenë dhe vazhdon të jetë i interesuar që këto dosje të mos hapen.

PasPara

1 koment

  1. ke ti me topin moral-kurre jeni vegla te doshave,mates e rames.frrokve e ndokve parazit dhe pakurrizore.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas