Kryesore

Hapësira ajrore e Kosovës, NATO kalon administrimin Shqipërisë


Sabina Veizaj



Agjencia e Aviacionit Civil Shqiptar do të jetë enti i cili do të administrojë hapësirën ajrore në mbi 8500m të Republikës së Kosovës. Ministri i Transporteve, Sokol Olldashi, gjatë një takimi në Prishtinë me kreun e qeverisë kosovare, Hashim Thaçi, dhe ministrin e Infrastrukturës së Kosovës, Fehmi Mujota, vendosën të punojnë për të gjetur zgjidhjen më të mirë për administrimin e hapësirës ajrore të Kosovës nga Aviacioni Civil Shqiptar.  Hapësira e sipërme ajrore e Kosovës, në nivelin nën dhe mbi 8500 metra administrohet aktualisht nga NATO, ndërkohë që Aleanca ushtarake ka vendosur që së shpejti kjo hapësirë të administrohet nga Autoritete të Aviacionit Civil. Në këtë mënyrë, Shqipëria është ofruar e gatshme të bëjë administrimin për llogari të Kosovës, derisa Prishtina të krijojë kapacitetet e veta teknologjike dhe njerëzore. Gjatë takimit, ministri Olldashi dhe ai Mujota ranë dakord të ngrihet grupi i përbashkët teknik i ekspertëve, që do të ndjekë në vijimësi të gjithë problematikën e koordinimit dhe zgjidhjes së çështjeve që kanë të bëjnë me zhvillimet respektive infrastrukturore dhe në fushën e transporteve. Aktualisht në Kosovë NATO-ja është përgjegjëse për mbikëqyrjen e hapësirës ajrore mbi dhe nën 3 000 metra. Përfaqësues të NATO-s kanë qenë të interesuar qysh prej vitit 2008 për të kaluar përgjegjësitë tek institucionet vendore dhe ndërkombëtare të aviacionit, mirëpo kjo u la të ndodhte vetëm pasi NATO-ja të ishte e bindur se hapësira ajrore mund të menaxhohej në mënyrë të sigurt dhe profesionale nga autoritetet vendore. Vendimi i NATO-s për t’i kaluar administrimin e hapësirës ajrore të Kosovës institucionit përkatës kompetent, tregon besimin e NATO-s për arritjet e Kosovës, por njëkohësisht edhe vënien e saj përpara përgjegjësisë që ajo të përgatitë burime njerëzore kompetente për këtë qëllim. Sipas një studimi të mëparshëm të Institutit për Studime të Avancuara, ndryshimi i gjendjes momentale përsa i përket hapësirës ajrore të Kosovës, do të sillte përfitime të konsiderueshme ekonomike për Kosovën. Që nga viti 1999, hapësira ajrore e Kosovës ka qenë e mbyllur dhe si rrjedhojë njëri prej korridoreve ndërkombëtare, i cili lidh Europën Perëndimore me atë Juglindore, edhe më tutje është i pezulluar, duke shkaktuar fluturime më të gjata dhe më të shtrenjta.

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas