Arkiva 2

Hajdutët bëjnë kërdinë, Librazhdi “dixhitalizohet” me kamera. Banorët: Policia i kap vetëm kur…

Lagja “Semez” e qytetit të Librazhdit duket se po “vetëdixhitalizohet”, duke i ardhur kështu në ndihmë vetes nga hajdutët, të cilët kohët e fundit kanë zaptuar zonën e tyre. Edhe pse denoncimet e banorëve ishin të shumta në Polici, kjo e fundit jo në të gjitha rastet kishte bërë të mundur identifikimin dhe kapjen e tyre. Të mbledhur tok, banorët e kësaj lagjeje të populluar vendosën të gjejnë një zgjidhje për të zhdukur këtë fenomen, duke vendosur kamera sigurie, raporton Panorama.

Banori me inicialet S.L. shprehet se vetëm pak ditë më parë e ndihmuan Policinë, duke i dhënë pamjet filmike të një hajduti që qarkullonte në lagje. “Policia e arrestoi, por vetëm me ndihmën tonë”, tregon ai. Ndërkohë, banorja L.B., e cila ka një biznes të vogël në ketë lagje, edhe pse e ka instaluar kamerën, ndihet e shqetësuar.
Ajo kërkon ndihmën e Policisë që të rrisin masat dhe efektivët që të bëjnë të mundur qarkullimin më shpesh në lagje, me qëllim që bizneset e tyre të mos dëmtohen me thyerje nga ana e grabitësve. Por, hajdutët nuk kanë si synim vetëm bizneset, pasi ata hyjnë edhe në banesa për të vjedhur. Kjo ka detyruar banorët që të instalojnë kamera edhe në pika të fshehta, që të mos pikasen nga hajdutët.



Qyteti i Librazhdit është qytet me ekonomi jo shumë të mirë. Pjesa më e madhe e banorëve jetojnë me të ardhurat e emigrimit si dhe me biznese familjare. Policia nga ana e saj nuk e cilëson shqetësuese situatën. Shefi i Komisariatit, Bedri Hasanaj, pohon se në rastet e denoncimit për grabitje dhe vjedhje, Policia ka reaguar në mënyrë efektive duke kapur autorët. Ndërsa lidhur me fenomenin e vendosjes së kamerave të sigurisë, Hasanaj thekson se kjo gjë nuk ka ndodhur ditët e fundit, por ka kohë dhe se për bizneset një gjë e tillë është më se normale.

“Kamerat e instaluara në qytet kanë më shumë se 3 vjet dhe normalisht bizneset kanë të drejtën e tyre të bëjnë një gjë të tillë, por jo banesat. Policia është gjithnjë në shërbim të komunitetit dhe në të gjitha rastet ka bashkëpunuar, duke bërë të mundur kapjen në kohë të rasteve të vjedhjeve. Rasti i fundit u bë i mundur me ndihmën e kamerave të një biznesi, i cili e ka instaluar kamerën dy vite më parë.

Autori, i cili ishte nga Lushnja, u arrestua dhe tashmë çështja i ka kaluar Prokurorisë”, shprehet Hasanaj. Por, banorët duket se nuk kanë besim. Tani atyre i duhet të ruajnë veten dhe zgjidhja më e mirë për ta janë kamerat. “Do na vijnë fëmijët nga emigrimi. Do na vjedhin bashkë me makinën”, shprehet një e moshuar.

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



Pas