Dikur

Gruaja më e bekuar ndër të gjitha gratë

15 Gushti, që quhet ndryshe edhe Pashka e verës, është një ditë e veçantë për të krishterët, sepse ata festojnë fjetjen (vdekjen) dhe transferimin në qiell të gruas më të bekuar ndër të gjitha gratë, që kanë qenë dhe që do të shfaqen në historinë e njerëzimit deri në fund të kohës. Shumë gra kanë kaluar në historinë e njerëzimit dhe kanë lënë gjurmë të pashlyeshme, ndoshta punë edhe vepra të mëdha më shumë se burrat, të cilët, sipas rendit të krijimit, kanë rol udhëheqës, por, pavarësisht se ato gra të veçanta shkëlqyen në familje, në punë, në luftë, në art, në shkencë, ekonomi, politikë etj, përsëri asnjëra nuk mund t’i afrohet dhe të konkurrojë me gruan më të bekuar ndër të gjitha gratë.
Për të Tërëshenjtën Mari janë shkruar aq shumë traktate teologjike nga mendjet më të ndritura, janë folur aq shumë predikime nga gojët më të arta, janë shkruar aq shumë poezi dhe janë kënduar aq shumë këngë pothuajse në çdo gjuhë dhe fis njerëzor, saqë nuk mund t’i përmbante dot një libër i vetëm sa do i madh që të jetë. Figura e saj virgjërore dhe amësore njëkohësisht, një kombinim i padëgjuar te një grua, për 2000 e ca vjet ka frymëzuar artistë të shumtë të mëdhenj dhe për nderin e saj janë bërë vepra të panumërta arti në çdo gjini të artit figurativ, si ikonë, pikturë, skulpturë apo në arkitekturë në kisha, në të gjithë botën. Nderimi i saj i kapërcen kufijtë e besimit të krishterë; për të shkruhen në shkallën sipërore edhe në libra të tjerë me karakter fetar mbas Biblës si p.sh. edhe në Kuran, pavarësisht se janë jo sipas këndvështrimit biblik.
Emri i saj është Mirjam ose Maria dhe vjen nga gjuha hebre ose nga aramaishtja e vjetër, që flitej në Palestinë, para dhe pas Krishtit, që do të thotë: Princeshë ose Zonjë. Për ta dalluar këtë Zonjë nga të tjera gra të dëgjuara me të njëjtin emër ose me emra të tjerë, asaj i janë vendosur epitete të larta që asnjë grua nuk mund t’i meritojë, si: E Tërëshenjtë, Gjithmonë e Virgjër dhe, mbi të gjitha, ajo quhet Nëna e Jisuit, Nëna e Zotit ose Hyjlindëse (Theotokos)
Por çdo të thotë të jesh Nëna e Zotit, Hyjlindëse? Që ta kuptojmë deri diku këtë mister marramendës, duhet të kthehemi në një retrospektiv drejt fillesës së racës njerëzore dhe veçanërisht te gruaja e parë që, sipas Bilës, u krijua nga Zoti prej brinjës së Adamit si shoqja dhe frymëzuesja e burrit. Pavarësisht nga roli që kishte gruaja e parë, rol që shprehet në vetë emrin e saj Eva, që do të thotë “nëna e të gjallëve”, ajo dështoi në këtë rolin e saj për të ripërtëritur dhe përjetësuar farën e burrit, sepse e mashtruar nga djalli, armiku i njeriut mbasi pranoi dhe hëngri frutën e ndaluar u bë shkaktare duke sjellë e para mëkatin dhe për pasojë vdekjen te vetja, burri dhe fara e tij dhe i gjithë krijimi “ashtu si shkruhet siç na e thotë edhe Siracidi: “Prej gruas zuri fill mëkati dhe për faj të saj të gjithë vdesim”.
Por pavarësisht se gruaja u bë shkaktare e kësaj tragjedie njerëzore, Zoti, Krijuesi i njeriut, nga dashuria e tij e madhe tha një lajm të mirë për njeriun dhe veçanërisht për gruan, duke iu drejtuar me qortim mashtruesit të saj, djallit: “Do të shtie armiqësi midis teje dhe gruas, midis farës sate dhe farës së saj, dhe fara e saj do të shtypë kokën tënde dhe ti do të plagosësh thembrën e farës së saj” (Zan. 3:15). Eva, gruaja e parë, mendoi se ajo do të ishte gruaja që do të lindte këtë djalë për të fituar mbi djallin dhe për të korrigjuar kështu gabimin e saj me të gjitha pasojat, por, pavarësisht se ajo lindi shumë fëmijë, ajo nuk arriti të lindte djalin Shpëtimtar dhe pastaj vdiq. Pas saj, shumë gra të tjera aspiruan të jenë nëna e këtij djali Shpëtimtarit të botës, por më kot ato vdiqën bashkë me djemtë e tyre dhe shpirtrat e tyre vajtën në botën e të vdekurve së bashku me gruan e parë; ky fund i tyre tragjik ishte tregues i frikshëm se armiku i racës njerëzore djalli, së bashku me mbretërinë e vdekjes (Hadin) dukej se ishin të pamposhtur.
Por profecia e Edenit kishte një të fshehtë që mendjet racionale njerëzore të lindura vetëm nga procesi biologjik i riprodhimit, i bashkimit të (spermës) farës së burrit me vezoren e gruas nuk mund ta kuptonte apo ta pranonte. Fjalët “nga fara e gruas” fshehin misterin e një lindjeje virgjërore ku fara e burrit (Adamit) do të ishte e përjashtuar nga ky plan shpëtimi: “Prandaj vetë Zoti do t’ju japë një shenjë: Ja, e virgjra do të mbetet me barrë dhe do të lindë një fëmijë të cilin do ta quajë Emanuel që Kjo mrekulli u realizua te virgjëresha Mari, ashtu si ajo u lajmërua në Nazaret nga kryeengjëlli Gabriel: “Dhe engjëlli hyri tek ajo dhe tha: “Gëzohu, o hirplote, Zoti është me ty; ti je e bekuar ndër gratë… Dhe engjëlli i tha: “Mos ki frikë, Mari, sepse ke gjetur hir para Perëndisë. Dhe ja, ti do të mbetesh shtatzënë dhe do të lindësh një djalë, dhe do t’ia vësh emrin Jisu. Ai do të jetë i madh dhe do të quhet Biri i Shumë të Lartit”… Dhe Maria i tha engjëllit: “Si do të ndodhë kjo përderisa unë nuk njoh burrë?”. Dhe engjëlli duke u përgjigjur, i tha: “Fryma e Shenjtë do të vijë mbi ty dhe pushteti i Shumë të Lartit do të të mbulojë me hijen e vet; prandaj i shenjti që do të lindë prej teje do të quhet Bir i Perëndisë… Atëherë Maria tha: “Ja shërbëtorja e Zotit; le të më ndodhë sipas fjalës sate”. Dhe engjëlli u largua prej saj”(Lluka 1:28:38).
Lindja virgjërore e gjithmonë virgjëreshës Mari duke u bërë nënë e Jisuit, Birit të Zotit, është gjithashtu plotësimi i dëshirës së të gjithë njerëzve për shpëtim, dëshirë dhe shpresë që gjendet në tërë fetë dhe filozofitë e historisë njerëzore para edhe pas Krishtit. Por vetëm Perëndia mund ta shpëtojë botën. Njeriu vetëm nuk mund ta bëjë sepse është vetë njeriu që duhet të shpëtohet, kështu fetë janë përpjekje njerëzore të dështuara. Prandaj, sipas doktrinës orthodhokse, lindja virgjërore është e nevojshme, jo për shkak të një idolizmi të rremë të virgjërisë ose si refuzim i seksualitetit normal njerëzor, por Shpëtimtari, Biri i Perëndisë, nuk mund të jetë thjesht si çdo njeri tjetër, që ka nevojë për shpëtim. Shpëtimtari nuk duhet të jetë thjesht si një njeri i racës së Adamit, lindur në mish si gjithë të tjerët. Ai duhet të jetë “jo i kësaj bote”, që të mund të shpëtojë botën: “Sepse Perëndia e deshi aq shumë botën, sa dha Birin e tij, të vetëmlindurin, që, kushdo që beson në të, të mos humbasë, por të ketë jetë të përjetshme” (Joani 3:16).
Mësimi Kishës Orthodhokse thotë që Jisui nuk është “thjesht njeri” si gjithë të tjerët. Ai është me të vërtetë një njeri real, një njeri i plotë dhe i përkryer me trup, mendje dhe shpirt njerëzor. Por Ai është Biri dhe Fjala e Perëndisë që u bë njeri. Për këtë arsye Kisha e quajti Marinë Theotokos (Hyjlindëse/Perëndilindëse), që do të thotë se ajo lindi Perëndinë në mish, sepse Biri i Perëndisë dhe Biri i Njeriut (Marisë) është një Bir! Vendim dogmatik i Sinodit III Ekumenik të Efesit në vitin 431 pas K.
Kjo lindje virgjërore edhe amësi e Hyjnisë ngre personin e saj femëror më lart se çdo grua dhe nga të gjitha krijesat e arsyeshme engjëllore edhe njerëzore me një lavdi hyjnore edhe fuqi të pamposhtur, aq sa dhe dielli, hëna dhe yjet e stolisin, ashtu si na shkruhet në librin e fundit të Biblës, Zbulesës: “Pastaj një shenjë e madhe u duk në qiell: një grua e veshur me diellin, dhe me hënën poshtë këmbëve të saj, dhe mbi krye të saj një kurorë me dymbëdhjetë yje” (Zbul. 12:1)
Në Shkrimin e Shenjtë, Virgjëresha Hyjlindëse Mari është vendosur në kryqëzimin e historisë dhe zë një vend qendror në mes të njerëzve dhe Zotit. Biri i Zotit merr nga Maria natyrën njerëzore dhe hyn në skenën e njerëzve nëpërmjet këtij barku të nënës së Tij. Ajo, duke qenë nëna e Tij, qëndron pranë Krishtit dhe bëhet qendra e konvergimit të historisë së shpëtimit, ajo qëndron mes Zotit dhe njerëzve dhe i drejton ata për tek Ai. Ky është roli i përmbushur i gruas në historinë e shpëtimit si një Evë e re drejt Adamit të ri. Për këtë arsye ajo, kur ikonizohet në ikonat orthodhokse, nuk paraqitet e vetme, por gjithmonë duke mbajtur në prehër Birin dhe Zotin e saj duke i drejtuar ata që e shikojnë me dorë drejt Atij.E vetme paraqitet kur qëndron poshtë kryqit duke bashkëvuajtur në zemrën e saj me dhimbje “shpate” si asnjë grua tjetër për të birin, sepse ajo që do shumë, vuan po aq shumë. Ajo, në heshtje poshtë kryqit, pranonte vullnetin hyjnor që “Qengji i Perëndisë” por edhe i saj, të flijohej për mëkatet e botës që e kishin zanafillën te mëkati i gruas së parë.
Por, kur Jisu Krishti ishte në kryq i lartësuar për të mundur tre armiqtë e njerëzimit: mëkatin, djallin dhe vetë vdekjen në trupin e Tij, mbasi tha “u kryen”:“kur pa nënën e tij dhe pranë saj dishepullin që donte, i tha nënës së tij: “O grua, ja biri yt!”. Pastaj i tha dishepullit: “Ja nëna jote!”. Dhe që në atë moment ai e mori në shtëpinë e vet”(Joan 19: 26-27). Këto fjalë të Krishtit drejtuar nënës së Tij me emrin Grua që do të thotë Zonjë, nuk e nënvlerësojnë as ia heqin amësinë si Hyjlindëse, por e lartësojnë atë si Gruan më të bekuar, si një Evë të re dhe Ai me autoritetin e Zotit i jep asaj amësinë drejt të gjithë besimtarëve të Tij. Në këto fjalë gjendemi përballë një ngjarjeje me rëndësi mesianike, Jisui i jep njerëzimit, në personin e Joanit, këshillën për nënë Marinë. Që nga ai çast e për gjithmonë të gjithë të shpëtuarit, do të kishin një nënë sipas vullnetit të shprehur nga vetë Zoti, vetë nënën e Jisuit, kështu gjatë shekujve, asnjë në botë nuk do të mund të ankohet se ka mbetur jetim dhe vetëm, por në Krishtin ai do të gjejë Atin e tij dhe në Virgjëreshën Mari Nënën e tij.
Sipas traditës, Hyjlindësja Mari, mbasi Krishti u Ngjall dhe u ngjit në qiej në vitin 33 (pas Kr.), qëndroi në shtëpinë e Joanit në Jerusalem. Sipas traditës, Zonja Shën Mari i lutej shpesh te kopshti i Gjesthemanisë, në atë vend ku u lut edhe Biri i saj në agoni Atit Perëndi duke i thënë “O Atë, po të duash, largoje këtë kupë nga unë! Megjithatë mos u bëftë vullneti im, por yti. Dhe kështu kalonin vitet e saj në botë duke pritur me durim momentin që të ribashkohej sa më shpejt me Birin e saj në qiej. Tri ditë përpara fjetjes (vdekjes) së Hyjlindëses, Zoti Krisht dërgon përsëri kryeengjëllin Gabriel për t’i komunikuar asaj se do të shkëputej nga jeta e përkohshme dhe do të kalonte në atë të pavdekshme në lavdi të përjetshme.
Apostujt, të shpërndarë në të gjithë botën, erdhën nga vendet e ndryshme të botës me mënyrë të mrekullueshme mbi re. Ata i dhanë përshëndetjen e fundit Nënës së Zotit dhe Nënës së tyre. Në atë çast u shfaq me lavdi bashkë me fuqitë qiellore dhe vetë Zoti Krisht, i cili zbriti nga qiejt për të marrë shpirtin e së Tërëshenjtës Mari. Apostujt e varrosën me nderime trupin e Hyjlindëses në një shpellë në varrin e prindërve të saj Joakimi dhe Ana në kopshtin e Gjetsemanisë, ku nderohet deri më sot. Nga të gjithë apostujt mungonte vetëm apostull Thomai, i cili erdhi ditën e tretë pas fjetjes së saj. Ai nuk besoi se ajo kishte vdekur dhe kërkoi që të shihte dhe ai atë që kishin parë apostujt e tjerë, trupin e saj tashmë të varrosur. Atëherë u detyruan që ta hapin varrin dhe menjëherë të gjithë mbetën të mrekulluar dhe të habitur sepse varri ishte i zbrazët njësoj si vari i Krishtit. Apostujt menjëherë ranë në gjunjë dhe iu falën varrit të zbrazët të së Tërëshenjtës. Në këtë moment apostull Thomai shikon të Tërëshenjtën duke u rrëmbyer në qiej. Ajo si shenjë besimi dhe bekimi i hedh nga lart Thomait rripin e fustanit, Thomai e priti si një bekim dhe ngushëllim. Gjatë shekujve kjo relike e së Tërëshenjtës, Virgjëreshës Mari është nderuar me shumë devocion, sot ruhet në Malin e Shenjtë në manastirin e Vatopedhit. Është një relike shumë e shenjtë si në aspektin historik në lidhje me personin e saj, por edhe bekim, mbrojtje, për gjithë popullin e Perëndisë dhe për të gjithë botën.
Në këtë ditë, pra më 15 Gusht, ashtu siç e përmendën në fillim, Kisha Orthodhokse përkujton vdekjen, ngjalljen, transferimin dhe lavdërimin e Nënës së Krishtit tashmë si e pavdekshme dhe Mbretëreshë e qiellit edhe e dheut. Ajo përfundimisht i kapërceu kufijtë e kohës dhe të hapësirës, dobësitë e natyrës njerëzore duke jetuar nga jeta e Birit të saj dhe duke u gëzuar e u lavdëruar me lavdinëe Tij në Mbretërinë e Qiellit, në Mbretërinë e Perëndisë. Ashtu si Zoti Jisui, Biri i saj tha: “Unë jam ringjallja dhe jeta; ai që beson në mua, edhe sikur të duhej të vdesë do të jetojë. Dhe ai që jeton e beson në mua, nuk do të vdesë kurrë përjetë” (Joani 11:25-26).
Kisha Orthodhokse në këtë ditë këndon: “Në lindjen tënde virgjërinë e ruajte, në fjetjen tënde s’e neverite botën, o Virgjëreshë; në jetën e qiellit shkon, Jetën si linde këtu mbi dhé dhe i shpëton gjithnjë prej vdekjes shpirtrat tanë, o Hyjlindëse”(Përlëshorja e festës).
Por, pavarësisht nga nderimi që i bëhet gruas më të bekuar ndër gratë, Kisha Orthodhokse i ruhet devijimit si djathtas apo majtas d.m.th. në mbivlerësim apo nënvlerësim të figurës së saj. Doktrina e krishterë orthodhokse mëson se Virgjëresha, Hyjlindësja Mari, vërtet nuk ka mëkate personale, sepse u rrit e izoluar nga njerëzit në shoqëri me engjëjt në tempullin e Solomonit, por ajo trashëgoi hijen e mëkatit stërgjyshor dhe për këtë arsye ajo kishte nevojë të shpëtohej nga Krishti, Zoti dhe Biri i saj, ashtu si gjithë njerëzit e tjerë që janë të shpëtuar nga mundimet, vuajtjet dhe vdekja nëpërmjet flijimit dhe vdekjes vullnetare të “Qengjit të Perëndisë që heq mëkatet e botës”(Joani 1:29). Ajo nuk vdiq vullnetarisht si Biri i saj në kryq, por si pasojë e natyrës së vdekshme njerëzore, e cila është e lidhur në mënyrë të padukshme me prishjen e kësaj bote. Kjo është arsyeja që Kisha Orthodhokse nuk pranon shtesën dogmatike të kishës Romano-Katolike në shek XIX ku papa Piu IX shpalli zyrtarisht doktrinën mbi (zënien pa faj dhe mëkat të rrjedhshëm të Virgjëreshës Mari. Ky mësim i kishës Romano-Katolike për krishterimin orthodhoks është një teprim i gabuar për nderimin e Nënës së Zotit dhe nuk ka bazë ungjillore, madje e bën vdekjen e saj një vdekje vullnetare dhe flijimin e Birit të saj të panevojshëm për shpëtimin e saj, ndryshe nga çfarë ajo vetë, e mbushur me Shpirtin e Shenjtë na thotë: “Dhe Maria tha: ‘Shpirti im e madhëron Zotin,dhe fryma ime ngazëllon në Perëndinë, Shpëtimtarin tim, sepse ai e shikoi me pëlqim ultësinë e shërbëtores së tij” (Luka 1:46-48).
Po ashtu krishterimi orthodhoks është kundër dhe nënvlerësimit që i bëjnë kishat protestante mbas reformës së Martin Luterit (shek. i 15-të). Ata nënvlerësojnë nderimin e saj si Hyjlindëse e Tërëshenjtë, Gjithmonë Virgjëreshës, Nëna e Zotit, duke e quajtur atë një grua të zakonshme që nuk ka nevojë për nderim të veçantë, madje nderimin e saj e quajnë gabim, deri në blasfemi. Përsëri ky nënvlerësim nuk ka bazë biblike sepse në Shkrimin e shenjtë, në ungjillin sipas Llukait, ajo, e frymëzuar nga Shpirti i Shenjtë, tha: “Sepse ja që tani e tutje të gjithë brezat do të më lumërojnë, se i pushtetshmi bëri gjëra të madha tek unë” (Lluka 1:48-49) dhe Elisabeta, edhe ajo e mbushur me Shpirtin e Shenjtë, thotë në emër të të gjithë besimtarëve para e saj: “Ti je e bekuar ndër gratë dhe i bekuar është fryti i barkut tënd. Dhe përse po më ndodh kjo, që nëna e Zotit tim të vijë tek unë?”.
Shën Epifani i Qipros u kundërvihet si atyre që i japin asaj pothuajse adhurim hyjnor, ashtu dhe atyre që e nënvlerësojnë atë dhe thotë: “Në të dyja këto herezi është i njëjti dëm, si kur njerëzit e nënvlerësojnë Virgjëreshën, ashtu edhe kur e lavdërojnë Atë më shumë se ç’duhet… Le të nderohet Maria, por adhurimi le t’i jepet Zotit… Ndonëse Maria është një enë e zgjedhur, ajo përsëri është një grua nga natyra, e padalluar nga të tjerat… Sipas mësimit Orthodhoks nuk ka asnjë njeri, përveç Jisu Krishtit, që të jetë i përjashtuar nga mëkati stërgjyshor, por askush si ajo, nuk e deshi dhe iu bind vullnetit të Zotit me përulësi”. Prandaj mbreti Solomon (900 para Kr.) duke profetizuar për atë, tha: “Shumë bija kanë bërë gjëra të mëdha, por ti ua kalon të gjithave” (Fjalët e Urta 31:29).
Miron Ҫako Përgjegjës i Zyrës Katekizmit në Kryepiskopatën e KOASH-it, Tiranë.



PasPara

1 koment

  1. MARIA APO MIRIAM APO MERIEM NUK ESHTE ARABITHT APO HEBRAISHT.THJESHT FJALA SHQIPE E PASTER.E MIRE JAMAM PRA EMIRA .TE DHJEFSH INTELIGJENCEN.
    EMIRA

Leave a Reply to VALA E DETIT Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



Pas