Sport

Godelli, Atlasi shqiptar me botën mbi supe

godelliPeshëngritësi ngriti 369 kg në dygarësh, duke marrë dy medalje ari dhe një argjendi. I pari shqiptar Kampion Bote. Në peshën 77 kilogramë, Shqipëria dominon në Europë dhe Botë

Nga Vladimir Karaj



 

“Hapi supet Daniel… Mbaje! Mbaje!…”, dëgjohet në sfond. “Është e pabesueshme!” thonë komentuesit e Eurosport. “Kjo është një ngritje brilante. Dhe ti që nuk e besoje…Mendova që nuk kishte asnjë mundësi.. Shikoje si i vështron peshat, ai nuk e beson dot se çfarë ka ngritur lart… E mrekullueshme, rekordi personal nga 157 kilogramë, 171 kg…Thjeshtë brilant…Një moment i madh për Shqipërinë, për herë të parë një peshëngritës i saj merr medalje ari në Botëror”. I gjithë ky lumë fjalësh të mira për Daniel Godellin, nga dy komentuesit e Eurosportit për Kampionatin botëror të Peshëngritjes në Kazakistan.

Godelli është nga dje shqiptari që “ngriti botën mbi kokë”. Kampioni i Botës. I pari i tillë në historinë e vendit, që prej dje mbretëron këtë sport sovran në botë dhe Europë në peshën 77 kg. Më shumë se kaq Godelli ishte dje, në një sport të dominuar nga Azia, i vetmi europian me një medalje ari. 22-vjeçari mori medalje ari në stilin e shkëputjes pasi ngriti 171 kg, medalje argjendi në stilin e shtytjes me 198 kg dhe po medalje ari në dygarësh me 369 kg, duke lënë pas vetes kinezin Zhong dhe koreano-veriorin Jon Vi Choe.

“Me Kampionin e Botës, Daniel Godelli që na rrënqethi mishin. Që provoi rekordin e botës. Shpresoj t’ju kemi gëzuar ndopak. Jemi krenarë që jemi shqiptar”, shkruante pas paraqitjes trajneri Sokol Bishanaku.

Godelli tentoi të thyejë rekordin botëror në dygarësh, por dështoi në provën e tretë në stilin e shtytjes me 211 kg. Ishte vetëm një shpërqendrim. Komentuesit e garës në Eurosport u habitën në fakt kur shqiptari shkoi nga 198 në 211. “Janë 211, menduam se ishin vetëm 201”, tha komentuesi i Eurosport. Vetëm pak mungoi për t’ia dalë mbanë. Një shpërqendrim.

Sidoqoftë, ky është rezultati më i lartë i arritur ndonjëherë nga një peshëngritës shqiptar në një kampionat botëror. Ky në fakt është rezultati më i lartë që arrin Shqipëria në një garim të kësaj natyre. Djali nga Peqini, që i bëri të gjithë krenarë dje, nuk është i pamësuar me të artën mbi gjoks. Ai ka katër medalje të arta. Dy në lojërat mesdhetare, Kampion Bote për të rinjtë 2011. Medalje bronzi dhe dy herë nënkampion Europe, së fundmi u mund vetëm për pak gramë nga kampioni tjetër i Shqipërisë, Erkand Qerimaj. Të dy janë kampionë të Europës (vendi i parë dhe i dytë) dhe dje mund të kishin qenë bashkë në krye të botës, por Qerimaj thotë se pati probleme fizike me bërrylin. Në një mesazh ai uroi Godellin për titullin dhe kërkoi ndjesë që nuk mundi të bënte më shumë vetë.

Në Shqipëri po bëhen gati t’i presin në Rinas. Edhe pse ka ende kohë për medalje. Zyrtarë të Federatës shpresojnë që Romela Begaj po ashtu mund të arrijë një vend të rëndësishëm në garën e radhës. Politikanët, që nuk ua kanë bërë mjaft të lehtë punën kampionëve që shpesh ankohen se nuk kanë ku të stërviten apo që nuk marrin as dietat e shpërblimet që u takojnë, vrapuan të urojnë dje. “Uh çfarë gëzimi, Daniel Godelli kampion bote në peshëngritje! Do të tentojë pas pak rekordin botëror! Sapo e urova, fantastike!”, shkroi kryeministri Edi Rama në murin e tij në Facebook pas garës. “Sot, Sportistët e Sport Klub Tiranës nderojnë sërish Shqipërinë. Faleminderit Daniel Godelli, kampioni më i ri i botës në peshëngritje. Mbështetja për ju, detyrimi ynë. Urime dhe Erkand Qerimajt për rezultatin e arritur. Urime dhe suksese sportistëve tanë që na bëjnë krenarë. Përpara Shqipe!”, shkroi po ashtu në faqen sociale kreu i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha.

Shqiptarët ndërkohë shpërthyen në mesazhe urimi në faqet personale të Godellit në Facebook. Danieli është vetëm 22 vjeç dhe e ka nisur gjithçka me klubin e Shtërmenit në Peqin e prej aty mbërrin në majat e botës. Shqiptarët në fakt nuk janë zënë në surprizë, madje mund të merrnin më shumë nëse Qerimaj nuk do të kishte pasur dëmtim, por ndërkohë peshëngritja edhe pse nuk tërheq numër të madh tifozësh është sporti më i suksesshëm në vend. Shumë rrallë i janë afruar mundja, qitja dhe sporte të tjera individuale. Megjithatë, ai pak ka pasur vëmendjen e duhur dhe sportistët jo rrallë janë ndeshur me pengesa jo të vogla nga mungesa e ambienteve për stërvitje te mungesa e dietave dhe një perspektivë pas fundit të karrierës. Jo rrallëherë kampionët janë harruar menjëherë sapo kanë mbërritur në Tiranë. E megjithatë, me tifozët në rritje shanset e peshëngritjes janë bërë më të mëdha. Daniel Godelli ishte dje Atlasi ynë. Ai që ngriti për ne botën në duar duke lënë pas Kinën, një superfuqi edhe në peshëngritje.

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas