Mapo Format, Universitet

Glinxhdet Madhi; e paragjykova aplikimin për Ersamus, derisa u përzgjodha përmes intervistës

Glinxhdet Madhi është një tjetër student i UET, që po i gëzohet përvojës ndërkombëtare ndërsa po kryen semestrin e dytë të vitit të tij të tretë në Bachelor për Marrëdhënie Ndërkombëtare, në universitetin ELTE, të Budapestit.
I riu ka zbuluar se në postën e tij elektronike, gjatë tri viteve të studimit në UET, i kanë ardhur vazhdimisht thirrje për të aplikuar në bursat Erasmus, nga të cilat kishin përfituar jo pak studentë në klasën e tij.

Më në fund erdhi edhe mundësia e tij në Budapest, të cilën e quan fantastike dhe nuk hezitoi në procedurat e aplikimit, duke u shpallur fitues.  “Në fillim dukeshin një mal me dokumente, por hap pas hapi çdo gjë u bë më e qartë. Ndihmë e madhe kanë qenë studentë të UET të cilët më parë kishin qenë pjesë e Erasmusit, por në çdo moment të ditës zyra e Marrëdhënieve me jashtë në UET ka qenë e hapur për çdo pyetje apo konsulencë mbi aplikimin”- zbulon Glinxhdeti, duke dhënë hollësi për ata që kanë fobi nga procedurat burokratike, të cilët vetëm për hezitim mund të digjnin një mundësi të rrallë e shumë të vyer.



Edhe vetë ai, megjithëse e njihte këtë mundësi për të udhëtuar jashtë si student, nuk kishte shumë besim se do të funksiononte. “Kështu e paragjykova UET, deri në momentin e intervistës; përballë kisha tre njerëz që nuk njihja personalisht, me të cilët zhvillova një intervistë në forme dialogu dhe, fitova”.
Eksperiencën në kryeqytetin hungarez e konsideron si një përmbushje në shumë aspekte.

“Jam njohur me metodat e zhvillimit të orëve të mësimit nga pedagogë të ndryshëm, debate, shkëmbim eksperiencash, dhe mbi të gjitha zgjerim i njohurive mbi degën ku po vazhdoj”. Kjo përvojë shkëmbimi e ka bërë të kuptojë edhe rëndësinë që ka Europa për vendin tonë, jo vetëm ekonomikisht por edhe për vlerat që ndan dhe Erasmus është një nga ato vlera.

“Erasmus ashtu si vetë BE, është një krijim fantastik; heq barrierat e mendjes, gjuhës, prejardhjes etj. Mundësi për të njohur miq nga e gjithë bota, për të kuptuar kultura të ndryshme, për t’u socializuar dhe mbi të gjitha për të marre përsipër ndryshim”, e mbyll Glinxhdeti intervistën duke thënë se çdo student duhet ta provojë.

 

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas