Kronika

Gjykata urdhëron shoqërimin me forcë në gjyq të ish-kryebashkiakut Shukri Xhelili

Xhelili, i cili akuzohet për mosdeklarim të 35 mijë eurove pasuri dhe avokati i tij, nuk janë paraqitur në asnjë prej tre seancave gjyqësore, megjithëse sipas gjykatës kishin marrë njoftim. Ata po ashtu nuk kanë dhënë arsye për mosparaqitjen

Nga Hysen Likdisha, BIRN



Pasi dështoi për herë të tretë seanca gjyqësore në ngarkim të ish-kryetarit të Bashkisë së Dibrës Shukri Xhelili, gjykata urdhëroi që ky i fundit të shoqërohej me forcë në gjyqin e radhës.

Dosja për Shukri Xhelili, i cili ndiqet penalisht në gjendje të lirë nga prokuroria e Dibrës, për “mosdeklarim dhe deklarim të rremë të interesave private (pasurisë)”, mbi bazën e kallzimit të ILDKPI-së, u dërgua për gjykim në korrik të këtij viti, por megjithatë deri tani nuk ka qenë e mundur të zhvillohet asnjë seancë.

Xhelili akuzohet  nga Prokuroria e Dibrës, se nuk justifikon me dokumente zyrtare kontratën për blerjen e një apartamenti në Durrës, me vlerë 34.000 euro, në emër të djalit të tij. Ai vetë pretendon se blerja e apartamentit nuk ishte deklaruar pasi ishte bërë me kontratë kleringu.

Gjatë seancës së fundit gjykata tha se shkak për shtyrjet, ishte bërë mosparaqitja e të pandehurit dhe avokatit të tij mbrojtës. Sipas gjykatës “i pandehuri dhe avokati i tij mbrojtës ishin vënë në dijeni të zhvillimit të seancës, me anë të dërgimit të flet-thirrjeve dhe telefonit, ata u treguan të gatshëm për tu paraqitur në këtë seancë”.

Mungesa e tyre, në kushtet kur palët nuk kanë paraqitur shkaqe, u cilësua prej gjykatës “e papranueshme”.  Me propozim të prokurores, gjykatësi i seancës vendosi; “të njoftojë të pandehurin Shukri Xhelili, me shoqërim të detyrueshëm nëpërmjet policisë gjyqësore, në seancën e radhës që u caktua të mbahet më 16 nëntor”.

Ish-kryebashkiaku i Dibrës përfundoi në fund të muajit Maj dënimin me 1 vit e 8 muaj burg, përfshi kohën e paraburgimit,  për akuzën e “marrëdhënies seksuale ose homoseksuale duke shpërdoruar detyrën”. Xhelili u arrestua në  Maj 2016 pas trasmetimit të një kamera të fshehtë ku ai shfaqej duke i ofruar një vend pune një vajze në këmbim të favoreve seksuale. Xhelili, i zgjedhur kryebashkiak në Dibër në vitin 2015 si kandidat i Partisë Socialiste u shkarkua menjëherë nga kryeministri Edi Rama  dhe Gjykata Kushtetuese rrëzoi ankimin e tij duke lënë në fuqi shkarkimin.

Ai u dënua fillimisht në Shkallën e Parë për “korrupsion pasiv” me 2 vjet e 8 muaj burg, por më pas Gjykata e Apelit e Krimeve të Rënda e ndryshoi akuzën dhe i uli dënimin me 1 vit.  Xhelili u dënua edhe me 5 vjet heqje të drejte për ushtrim të funksioneve publike.

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



Pas