Mapo Letrare

“Gjoni i madh” i Papagjonit: Dashuria si luftë dhe patriotizmi si profesion

Nga Agron Gërguri

Rrëfimi nis nga legjenda, e cila trajtohet letrarisht duke zbritur te njeriu, përkatësisht deri tek emri konkret Gjon, tek unë si lexues… Dhe menjëhere pas  përshkrimit të  figurës së tij (është edhe s`është Skënderbeu, por dhe mund të jetë), autori hidhet metaforikisht  në antikë, përkatësisht  tek Polifemi gjigant  i  mundur, apo i tejkaluar nga  dinakëria e Odiseut, i cili fatkeqësitë  i kthente në fat, derisa Gjonit gjithë  jetën i bien glasat përmbi supe, por fatin e mirë nuk e gjen dot. Shpërfillja e kohës kalendarike në funksion të kontekstit kohor



Rrëfimi apo më saktë situatat e thurura nëpër të cilat endet narrativa e autorit, nuk çanë kokën fort për kohën kalendarike, por e mbushën atë me përmbajtje domethënëse dhe shqyrtuese, në kontekst të kohës aktive. Ai flet e  vepron brenda problemit që trajton, nuk merr rëndësi këtu puqja kohore, përkundrazi, koha abstragohet, mjetet dhe shenjat e caktuara autori i “shfrytëzon” për të thënë atë që ka për të të thënë, pra e vë problemin  e këqyrur në dijeni shqyrtuese që shkon për te lexuesi, duke e marrë me vete atë në shëtitjet e tij nëpër labirinthet e kohëve dhe ndodhive të mëdha. Këtë e bën ngjashëm siç funksionojnë video-lojërat, ku jeta e personazhit ndeshet me lloj-lloj sprovash, kurthesh, befasish, duke përdorur mjete e mënyra sa të reja aq dhe të vjetra, të matshme e të pamatshme, në një kontekst normal (lexo real) historik, ngase krejt befasisht autori e vë në ngjashmëri pretendimin Gilgameshian: krenaria e njeriut e të qenurit Zot dhe vuajtja për pavdekësi. Pastaj i  jep volumit të fantazisë dhe të merr në krahët e dragoit, por rrëfimi edhe kështu i sajuar ecën përpara e zhvillohet duke mbledhur dukuri, virtyte e përçapje njerëzore:

“Ajo grua ishte e pangopura e fshatit, pusi ku pinin ujë gjithë meshkujt e etur që u ishin tharë buzët… aty derdhej kazani i përvërvëluar i epshit”, “palestra e çunave që përgatiteshin për punët e krevatit”. Kështu është edhe romani, apo vendi ku ndodhin ngjarjet. Njeriu rreket të shuajë etjen, duke përvluar moralin dhe dinjitetin e humbur. Në këto koordinata rrëfimtare enden çështjet e trajtura duke regjistruar gjendje, dukuri e fenomene që janë e thëna e veprës. Midis mizorisë, egërsisë dhe dinakërisë krijoheshin edhe virtyte edhe vese, për të cilat shquheshin e me të cilat jetonin në Luginën e Shqipeve Labi, Lali dhe Loku, të ndodhur në mes të një orgjie të ankthshme midis mishit e hekurit, dashurisë dhe luftës. “Për njerëzit të cilët kishin lindur në Lëndinën e gabuar” dhe të cilët kurrë nuk arrijnë të dalin aty ku i ka paracaktuar natyra, zoti, apo thjesht talenti i tyre. Ky ka qenë një mallkim që jo pak herë ka rënë mbi shqiptarët, të cilët duke i zënë rrugën njëri-tjetrit nuk e shohin dot diellin, e as dielli nuk i sheh ata. Aq më tepër kjo dukuri pastaj shndërrohet në një karantinë kolektive, si vetëngujim, një lloj demarkacioni që nuk lë të prekësh mundësinë. Dhe vazhdon kështu rrëfimi i Erjonit, gati i thënë me shpejtësinë elektronike të komunikimit virtual, të cilin po e jetojmë, duke na hedhur gjithkund e askund. Sa na dërgon për shembull në antikë, po aq shpejt na kthen te vetvetja,  në principin e video lojërave të internetit. Shpejtësi e ngarendje, shpërfytyrim, ambicie për të perceptuar gjithçka e për të mos prekur asgjë. Ky është një stil që e zotëron prozën e shkrimtarit

Me pak fjalë, në ligjërimin e romanit “Gjoni i madh” ka një prani të shpeshtë e funksionale kundërshtish: sa alegori, aq ironi, sa fisksion e iluzion, aq realitet i prekshëm, sa veçanti aq ngjashmëri,  sa mburrje aq përqeshje e tallje, por gjithnjë ngulmim për të nxjerr të keqen nga strofulla e krenarisë, si vetëmjaftueshmëri, e rrahagjoks për Shqipërinë dhe shqiptarët apo të ngjashmit si këta, për të mos thënë ne. E gjithë kjo ecejake romaneske të shtyn në konkludim për pasurinë imagjinative dhe zhbiriluese të autorit, sidomos në shprehjen e zhgënjimit ndaj jetës dhe dashurisë për të, fotografimin anamnezik të mburrjes dhe burracakërisë, duke shquar mentalitetet e njerëzve të luginës, të cilët edhe po të mos jenë shqiptarë, janë prapë ata. Janë po ata që mbanin dikur në dorë perandori të mëdha të civilizimit e që sot janë stërkequr e çrregulluar në raport me mundësitë parashikuese, për të mos thënë kush dreqin janë sot?! Njerëz plot kontradikta e mospërfillje për vlerat, duke u ngjitur lëngshëm pas dallkaukëve që e shkruajnë historinë sipas humbësve të shpallur fitues, duke e mbajtur të ngujuar të vërtetën me krenarinë  e madhështisë së vogël?! Krahasimet të formuluara si hidhërim:  shqiponjë-vrasëse me zot-vrasës, duket se prekin vrerin e zhgënjimit me vetveten, me përkatësinë dhe identitetin, të cilat duke u vetëlavdëruar e kanë humbur rrugën e dritës. Por edhe kur e gjejnë, ajo i verbon sytë dhe u bëhet terr. Mamuthi nga parahistoria, një specie e zhdukur, për ta përmbajtësuar simbolikën e romanit, këtë emër e mban pikërisht kryeheroi i romanit. I madh dhe i papërmbajtshëm si kujtesë, nga përvoja personale ai shndërrohet në  përfaqësues koletiv nacional. Shoqërimi narrativ i Mamuthit me Hamzain dhe pretendimet e këtij të dytit për t`ia përkëdhelur gruan, të kujton konstatimin e Ekos, se në këtë kohë të ashtuquajtur postmoderne, nisesh me dikë si mik, por më vonë gjatë rrugës konstaton se ke me vete një armik. Pra janë thyer disa tabu, por ka rënë morali, dhe kjo e bën më komplekse mundësinë e pafundme të paraqitjes së natyrës njerëzore, mbushur me tradhti, sulme, gjak e lot. Dhe kështu duke udhëtuar, romani nganjëhere të vë para Odiseut, Circes apo  Prometheut, si në një pasqyrë. Dhe në sfondin e saj sikur na del përpara Lugina e Shqipeve, ku epshi narcisoid shkundet me lot e poezi!… Ai që shkoi të merrte brekët e mbretëreshes, mbeti aty ku i  gjeti ato, ngjashëm siç i ndodhi Jasonit kur gjeti Medean. Duke na hedhur nga një skaj te tjetri autori nuk rrëfen të ndodhura normale, ai ecën nëpër dej antropologjikë të së keqes, delirit mburravec për të bëmat, për  të qenurit i lashtë, i mençur, i vjetër si moshë e dije, me një ironi shkundëse që pretendon të kthehet në vetëdijësim, në këndellje për të kuptuar realen, normalen, jetësoren, paçka se as për këtë nuk kemi ndonjë ide të saktë. Figurshmëria, alegoritë, ironia, përqeshja, të gjitha si një ushtri kritike  kalërojnë nëpër Luginën e Shqiponjave për ta harur nga e rrejshmja dhe për t`i lënë hapësirë reflektimi e përtëritjeje, për të ngritur në këmbë normalen, të vetëdijshmen. Shkrimtari e sheh sa me ironi, aq dhe me mallëngjim popullin që i përket, i cili, ani pse i vjetër, asnjëhere nuk e bëri betejen e tij fituese ndaj dhe me vetveten. Përkundrazi, gjithëherë ka mbetur në kurthin e tradicionales. Dhe duke pretenduar lashtësi, duket sikur ka mbetur atje; ende nuk po e gjen rrugën për këtej, aty ku zhvillohet e merr hov jeta, qytetërimi, aty ku bota ecën në tjetër kah, të cilin mund ta quajmë edhe si rruga e mundësive.

Karakteristikat rrëfimtare të romanit “Avatar”

Rrëfimi i Erjonit shtjellohet si në filmat vizatimorë, andaj autorit nuk i del asnjë pengesë për ta aranzhuar galimatisin me përplot njerëz të ndryshëm e kolazhe veprimesh, apo disi ngjashëm me mundësitë e shprehjes elektronike, për t`i animuar gjërat në mënyrë të atillë që ato të lëvizin sipas idesë së tij. Labirinthet nëpër të cilat ecën rrëfimi janë të sajuara falë një imagjinate frytdhënëse, andaj edhe zgjidhjet janë të tilla, imagjinative. Romani “Gjoni i madh”  mbështetet në pjellshmërinë e imagjinatës së autorit. Ne model është një roman “Avatar” me një peshë të theksuar kritike mbi historinë, glorifikimet historike, njeriun, shpërfytyrimin, dashurinë deri tek asgjëja e absurdit të Becketit. Hiperbolizimi i së keqes dhe të këqijave bëhet me qëllim për t’i vënë në shënjestrim ato, e që pastaj ne si bashkëudhtarë (lexo shigjetarë) të Erjonit, nga pozita e lexuesit të shënjestrojmë për ndryshim ato të këqija që na kërcënojnë me asgjësim. Romani provokon reflektim deri në një gjykim autorkritik, duke e bërë të dukshme pasqyrimin e asaj që jemi dhe duke na nxitur të mendojmë se si do duhej të ishim… Ecja nëpër labirinthet e pushtetit me vyrtytet e (pa)pranuara të pushtetarëve, nga njëra anë dhe veset e popullit të cilat lexohen si të tilla me intonim ironik, nga ana tjetër, na mbushin me pezëm dhe njëkohësisht me energji, e cila stimulon padëgjueshmërinë qytetare ndaj kësaj vendosje të çoroditur në raportin pushteti – populli. Dashuria lind në frymë dhe zbret në mish, n`daç kuptoje si luftë për liri n`daç si betejë midis sekseve, ajo përfundon në kalbje. Ne sikur kemi mbërritur në këtë pikë dhe vërtitemi në vorbullën e frymës dhe të mishit: duke e dashur atdheun e duke i vënë vetes medalje patriotike, ne patriotizmin e kemi bërë një profesion përderisa të mirat e dëshiruara, dëshirat vetë, po abortojnë nga qëllimi dhe kthehen veçse në fjalë. Këto dhe jo vetëm kaq i bashkëbisedova duke lëçitur romanin e Erjon Papagjonit gjatë një leximi, le ta quajmë reciprok…

*Dramaturg – regjisor, Drejtor i Teatrit “Avdush Hasani”, Podujevë

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas