Aktualitet, Kryesore

Gjiknuri i hap rrugën kompanisë të lidhur me Gazprom për koncesionin e naftës

Nëpërmjet një vendimi të marrë me 19 qershor, ministri i Energjisë dhe Infrastrukturës Damian Gjiknuri i ka kërkuar kompanisë shtetërore të naftës Albpetrol, që të bëjë kërkese në Agjencinë Kombëtare për Burimet Natyrore për pajisjen me licencë marrëveshje të kompanisë Transoil Group AG, për vendburimet Cakran-Mollaj, Gorisht-Kocul dhe Amonicë.

“Shoqëria Albpetrol Sh.a me shkresën nr.4834 me datë 07.07.2018, ka dërguar në MIE, miratimin e Termave dhe Kushteve Kryesore të Marrëveshjes Hidrokarbure për zhvillimin prodhimin e hidrokarbureve në vendburimet Cakran-Mollaj, Gorisht-Kocul dhe Amonicë,” shkruhet në vendimin e firmosur nga ministri Damian Gjinknuri.



“Shoqëria Albpetrol Sha informon së bashku me kompaninë Transoil Group AG, ka negociuar dhe nënshkruar Termat dhe Kushtet Kryesore të Marrëveshjes Hidrokarbure për vendburimin Cakran-Mollaj, Gorisht-Kocul dhe Amonicë,” shton vendimi

Firmosja e marrëveshjes midis Albpetrol dhe Transoil Group AG, pason finalizimin e një gare të mbajtur më 31 mars nga Albpetrol, ku Transoil Group AG u shpall fitues mes nëntë kompanive ndërkombëtare pjesëmarrëse.

Një investigimin i BIRN i publikuar me 6 qershor, zbuloi se kompania fituese Transoil Group – e cila administrohet në Shqipëri nga Shefqet Dizdari, ka lidhje biznesi me kompaninë Gazprom Neft në pronësi të gjigandit rus të prodhimit të gazit, Gazprom. Gazprom zotërohet në 50.23 për qind të aksioneve nga qeveria ruse.

Lidhjet e biznesit me kompaninë ruse nuk janë të vetmet pikëpyetje mbi mënyrën se si kompania e naftës, e regjistruar në Zvicër dhe me pronarë të panjohur, u shpall fituese e tenderit për fushat naftëmbajtëse Cakran-Mollaj, Gorisht-Kocul dhe Amonicë.

Dokumentet e siguruara nga BIRN tregojnë se në momentin që u hapën ofertat, pagesa e Transoil Group për marrjen e paketës së të dhënave për vendburimet nuk kishte mbërritur ende në llogarinë e Albpetrol. Këto dyshime shtohen edhe nga fakti që gjatë tenderit, vëllai i drejtorit të Albpetrol, Kastriot Bejtaj punonte si drejtues teknik i operacioneve hidrokarbure në fushën e Visokës për llogari të Transoil Group Sh.a – një konflikt interesi për të cilin ministri Gjiknuri ishte në dijeni.

Kompania Transoil Group Sh.a ka pasur gjithashtu detyrime të mbartura ndaj Albpetrol nga operacionet e saj të mëparshme në fushën e Visokës si dhe ka regjistruar përplasje me Agjencinë Kombëtare të Burimeve Natyrore, AKBN për shkelje të vazhdueshme të marrëveshjes hidrokarbure.

E pyetur nga BIRN ministria e Energjisë dhe Infrastrukturës ka hedhur poshtë akuzat për konflikt interesi, ndërkohë që ka nënvizuar se Gazprom Neft nuk kishte të drejta mbi fushat hidrokarbure në Shqipëri.

Nëpërmjet vendimit të datës 19 qershor ministri Gjiknuri ka kërkuar nga AKBN që të përgatisë Licensë Marrëveshjen për tre fushat e naftës me kompaninë Transoil Group AG. Për të hyrë në fuqi kjo marrëveshje duhet të miratohet nga Këshilli i Ministrave.

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas