Arkiva, Kryesore

Genta Sula për debatin e kampit të Tepelenës: Ja pse duhet kthyer në muze

Kryetarja e Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, Gentjana Sula propozon që kampi i Tepelenës gjatë kohës së komunizmit, mund të shndërrohet në një vend të vizitueshëm për këdo që do të prekë nga afër një pjesëz të kësaj historie të dhimbshme.

Përmes një postimi në Facebook, Genta Sula, thekson se në mënyrë që e kaluara të mos harrohet dhe të shërbejë për të kuptuar të tashmen dhe për të ndërtuar në baza më solide të ardhmen, shqiptarët kanë nevojë për të pasur disa vende të kujtesës.



Vuajtjet e të shkuarës komuniste jo pak herë janë bërë objekt debati dhe në ekranet e televizioneve shqiptare.  Dje ai që ka ndezur një sërë reagimesh të forta ka qenë historian Pëllumb Xhufi.

Mbrëmë në studion e “Arena” ai ka publikuar një dokument të CIA-s rreth kampit të Tepelenës. Ai thekson se konsiderimi i këtij kampi si Aushvici shqiptar është banal.

Çështja e kampit të Tepelenës ishte ndoshta kampi më i mirë se kampet e tjera. Kampi i Maliqit ishte më i tmerrshëm. Askush nuk e thotë pse u ngrit ky kamp. Pas prishjes me Jugosllavinë, ka ndodhur një gjë e madhe pasi Jugosllavia ngriti bazat në Prizren dhe në Ulqin, ku organizoheshin grupet që arratiseshin nga Shqipëria. Armatoseshin, vinin dhe bënin aksione. Në këtë kamp u izoluan familjet kryesisht nga veriu.

Këta që e kanë promovuar çështjen e këtij kampi ku është angazhuar edhe Ministria e Kulturës dhe Bashkia e Tepelenës, e kanë quajtur Aushvici shqiptar, kampi i shfarosjes në masë. Po ta dëgjojnë lobet çifute do të tmerrohen sepse është një banalizim. Unë kam pasur rastin të shoh dokumentet e CIA-s për këtë kamp që ishin informuar nga njerëz nga brenda. Ata thonë që këta janë familjet e njerëzve të arratisur të sponsorizuar nga Jugosllavia”, deklaroi Xhufi.

I pyetur nëse ka një numër të vdekurish në këtë kamp, historian i njohur tha se: “Absolutisht jo! Kanë qenë kazermat e ushtrisë deri në fund të viteve 60. Ato i ka ngritur ushtria italiane, ndërtesa solide me tulla”.

 

Më poshtë komenti i plotë i Genta Sulës:

Në maj 1949 filloi të funksionojë kampi i Tepelenës, në të cilin u dërguan të gjithë të internuarit e kampit të Beratit. Arsyeja që u zgjodh Tepelena si vend internimi, mendoj se ka të bëje me disa lehtësi praktike. Tepelena ishte nën juridiksionin e Drejtorisë së Punëve të Brendshme të Beratit dhe aty gjendeshin disa kabina të mbetura nga koha e pushtimit italian, të cilat u përshtatën si vendbanime për të internuarit. Kampi i Tepelenës u drejtua nga dy komandantë: Bektash Pogaçe (1949 –1952) dhe Haki Ibrahimi (1952-1953), të dy me arsimim të papërfunduar. Organizimi i Tepelenës vazhdoi të ishte një vend i rrethuar me tela me gjemba, në të cilët të internuarit i cili kontrollohej nga ushtarë të armatosur. Gjatë viteve 1949-1953, në Tepelenë u vendosën rreth 1500 familje: burra, gra, të moshuar dhe fëmijë.

Tepelena nuk ishte i vetmi vend internimi në Shqipëri, as në këtë kohë dhe as gjatë gjithë viteve të regjimit komunist. Shumë krahina të tjera në Shqipëri shërbyen si vende për të internuar njerëz, faji i vetëm i të cilëve ishte se ishin të afërm të individëve që regjimi i konsideronte të rrezikshëm. Por, Tepelena është kampi i cili mbeti në mendjen e atyre që patën fatkeqësinë për të jetuar në të. Tepelena mbahet mend për kushtet tejet të vështira të jetesës dhe mungesën e theksuar të ushqimit, për mungesën e theksuar të higjienës, për punën tejet të rëndë që burrat, gratë dhe fëmijët mbi moshën 12 vjeç ishin të detyruar të zhvillonin.
Tepelena mbeti në kujtesën e njerëzve, pasi për shkak të këtyre kushteve të vështira, pati raste të shumta vdekjesh, sidomos në mosha të reja. Ndonëse dokumentet janë të pakta, ato tregojnë që gjatë viteve 1949-1950, lajmërohet për raste vdekjesh nga dizenteria. Ndërkohë që nga muaji tetor 1950 deri në dhjetor të po atij viti numri i fëmijëve është zvogëluar me 285 vetë, fenomen i cili nuk haset në kampe të tjera të ngjashme.

Disa studiues mendojnë se ishte pikërisht vdekshmëria e lartë e fëmijëve në kampin e Tepelenës dhe nevoja për të konsoliduar sistemin e internim-dëbimeve, që i detyroi drejtuesit e lartë komunistë të merrnin vendimin në fund të viti 1953 për ta mbyllur kampin e Tepelenës dhe në përgjithësi kampet e rrethuara me tela me gjemba.

Brezi më i ri i shqiptarëve ka pak njohuri për çfarë kanë ndodhur gjatë regjimit komunist dhe mekanizmat e përdorura prej tij për të mohuar të drejtat më elementare njerëzore për kundërshtarët realë apo imagjinarë. Dokumentet arkivore për vitet e para të regjimit mungojnë, apo janë shumë të pakta. Kjo për shkak të nivelit shumë të ulët të edukimit të nëpunësve të administratës së asaj kohe. Në kushtet kur po humbasin, për shkak të moshës, edhe dëshmitë e personave që e kanë jetuar atë kohë, shumë shpejt nuk do të kemi mundësi të gjejmë të dhëna mbi këto aspekte të Shqipërisë komuniste.

Në mënyrë që e kaluara të mos harrohet dhe të shërbejë për të kuptuar të tashmen dhe për të ndërtuar në baza më solide të ardhmen, shqiptarët kanë nevojë për të pasur disa vende të kujtesës, si: institucione burgimesh, internimesh etj. Sa i takon sistemit të internim-dëbimeve, kampi i Tepelenës do të ishte ideal si vend kujtese për disa arsye:

1. Ky kamp mbart qindra histori të dhimbshme njerëzore. Për shkak të situatës ekstreme të jetës në Kampin e Tepelenës, ai është përmendur në mënyrë të posaçme nga qeveria amerikane në vitin 1955, si pjesë e ankesës së saj në Kombet e Bashkuara për shkeljen e të drejtave të njeriut në Shqipëri dhe për përdorimin e punës së detyruar si ndëshkim.

2. Ai pasqyron më së miri tipologjinë e kampeve të rrethuara me tela me gjemba, të cilat nuk kanë qenë fenomen i përhapur në Lindjen Komuniste dhe mund të krahasohen vetëm me gulagët sovjetikë.

3. Ndërsa për kampe të tjera të tilla, si ai i Beratit, Krujës, Valiasit, Cërrikut, Shijakut, Porto – Palermos, Kuçovës, Kuçit të Vlorës etj., nuk na kanë mbetur objekte kujtese, për kampin e Tepelenës këto ekzistojnë. Disa nga kazermat e kampit të Tepelenës ruhen ende. Për më tepër, skicat e Lekë Previzit na japin dëshmi për t’i rindërtuar kabinat ku strehoheshin të internuarit.

Pergatitur nga Qendra e Sudimeve Albanologjike, date 13 mars 2018, per te paraprire punen projektuese te memorialit te Tepelenes.

<
>
19756478_1632123410163705_3745209646522420245_n 19665362_1632121163497263_1788887859887162458_n 19665283_1632121070163939_1033712461916617117_n 19429705_1632121960163850_589025648663165203_n 19247979_1632120890163957_5241533290546614368_n
PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas