Aktualitet

Gazrat serrë, Trump ndërpret monitorimin nga NASA

Ndërsa bota është e përqëndruar tek kriza me Iranin apo zhvillimet historike me Korenë e Veriut, fare në heshtje administrata amerikane mbylli sistemin e NASA-s për monitorimin e gazrave serrë.

Sistemi i monitorimit të karbonit ose CSM është një program që kushton 10 milionë dollarë në vit dhe mat nga ajri e nga hapësira dioksidin e karbonit në planet, por tashmë nuk do të marrë më fonde. Revista Amerikane e Shkencës raporton se humbja e këtij programi rrezikon aftësinë për të matur reduktimin e ndotjes në vend, siç parashikon Pakti i Parisit për klimën. Por, duket se Donald Trump nuk është aspak i shqetësuar për këtë, edhe për vetë faktin se ka lajmëruar tërheqjen e SHBA-së nga kjo marrëveshje, megjithëse ndërprerjen e fondeve për CMS-në e ka bërë në heshtje.



Programi CMS i NASA-s ka mbështetur dhjetëra projekte shkencore që prej vitit 2010 për monitorimin dhe matjen e dioksidit të karbonit e metanit në botë, përmes instrumentave të vendosur në avionë apo satelitë. Programi ka ndihmuar shumë vende që të vlerësojnë gazrat serrë nga shpyllëzimi.

Zyrtarë nga NASA thonë se ndalimi i CMS-së nuk pakëson aftësinë e këtij organizmi për të monitoruar gazrat serrë, pasi do të nisin projekte të tjera. Por, shkencëtarët thonë se Trump duket qartësisht i interesuar më shumë në pushtimin e kozmosit dhe ridërgimin e njerëzve në Hënë sesa tek shkencat e Tokës, prandaj lidershipi në fushën e monitorimit të gazrave serrë pritet që shumë shpejt t’i kalojë Evropës.

 

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas